MKRS në gjendje emergjente, Baleti shkon në Bullgari pa ‘asnjë cent’

Kultura July 04, 2018 - 15:03

Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe stafi përcjellës janë nisur mbrëmë rreth orës 22:00 për të dhënë shfaqje në Bullgari, mirëpo nuk kanë marrë asnjë cent mëditje.

Krejt kjo për shkak të bllokimit të llogarive bankare të institucioneve që janë nën ombrellën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, shkruan gazetametro.net.

Bllokimin e llogarive për 17 institucione vartëse të MKRS’së, e ka konfirmuar edhe këshilltari i lartë politik në këtë ministri, Samir Hoxha. Ai ka theksuar se në dikaterin që udhëhiqet nga ministri i PDK’së, Kujtim Gashi, është krijuar gjendje emergjente.

Për këtë, sipas tij, është krijuar një grup ndërministror e që qëllim ka të marrë parasysh rekomandimet e Auditorit, të cilat kanë çuar edhe në mbylljen e llogarive.

“MKRS, ka krijuar edhe një grup punues ndërministror me përfaqësim edhe të Ministrisë së FInancave (MF) për të gjetur zgjidhjet adekuate të problemeve që janë evidentuar në raport. Grupi ka zhvilluar diskutime dhe ka shqyrtuar opsionet për të dalë nga situata aktuale, ku llogaritë financiare të institucioneve vartëse të MKRS –së janë mbyllur, aktivitetet dhe programet e 17 institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, janë pezulluar dhe për pasojë është krijuar situatë emergjente”, ka thënë për Metron, këshilltari Hoxha.

Siç tregon ai, në MKRS dhe grupin ndërministror është diskutuar që t’iu drejtohen me një kërkesë të veçantë Ministrisë së Financave, Drejtorisë për Buxhet dhe Thesarit, në mënyrë që paratë të dalin për të mundësuar funksionimin e institucioneve që iu bllokuan llogaritë.

“Grupi Punues, si konkluzione të arritura pas diskutimeve dhe analizës së situatës aktuale por edhe të obligimeve ligjore, ka arritur në përfundimin që MKRS t’i drejtohet me kërkesë dhe propozime konkrete, Ministrit të Financave, Drejtorit të Buxhetit dhe Drejtorit të Thesarit. Këto propozime janë në funksion të daljës nga situata aktuale pra të zhbllokimit të punës së institucioneve”, ka shtuar Hoxha.

Sidoqoftë, këto probleme të evidentuara nga Auditori, nuk janë të reja. Ato janë të trashëguara që para disa vitesh kur me këtë dikaster udhëhiqet Memli Krasniqi, e po ashtu edhe Kujtim Shala i LDK’së.

Ndryshe, institucionet të cilat mbeten pa para, kishin pasur llogari të paautorizuara në Thesar, e cila gjë solli tek vërejtja e Auditorit.