Xhafa për herë të parë në GKK

Kultura July 04, 2018 - 10:02

Emri i tij është shumë i njohur në skenën e artit bashkëkohor sepse numri i ekspozitave ndërkombëtare në të cilat ka prezantuar artin e tij është i madh. Pas një rrugëtimi të gjatë e të suksesshëm duket se përfundimisht ka ardhur koha që artisti Sislej Xhafa të prezantohet me një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

"Love You Without Knowing” është titulli i ekspozitës së parë të Sislej Xhafës, artistit kosovar të njohur ndërkombëtarisht, në atdheun e tij. Kjo ekspozitë prezantohet para artdashësve kosovarë e kuruar nga Jérôme Sans. Ky kurator është përfshirë si drejtor artistik në disa projekte urbane, sikurse “Rives de Saône-River Movie” në Lyon dhe nga viti 2015 deri më 2017-n ai drejtoi projektin “Grand Paris Express”. Ai rishtazi u emërua drejtor i Shtyllës Kulturore të së Ardhmes të Ile Seguin në pjesën më të madhe të regjionit të Parisit.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” së në kuadër të kësaj ekspozite do të jenë disa aktivitete. Ajo ka njoftuar se në paraditen e 5 korrikut do të mbahet një konferencë për shtyp dhe inaugurimi në bashkëpunim me Komunën e Pejës në “Shtegun e shëndetit”, në rrethinë të qytetit të Pejës. Aktivitetet do të vijojnë në orën 18:00, në sallën e Kuvendit Komunal të Kosovës, ku ngjarja do të jetë e hapur vetëm për ata që kanë ftesa, për të vazhduar me hapjen e ekspozitës në orën 20:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

I lindur në vitin 1970, në Pejë, Xhafa ka jetuar një ekzistencë nomade që prej largimit nga Kosova në vitet e para të viteve ’90-të. Si një udhëtim introspektiv nëpërmes universit të tij unik, kjo retrospektivë madhore është shprehje e dashurisë së artistit ndaj atdheut – brishtësisë, fuqisë, gjallërisë dhe dhunës së tij. Me qasje ironike dhe subversive e cila përdor mediume të ndryshme nga piktura dhe vizatimi deri te skulptura dhe instalacioni, Xhafa me subtilitet dhe me konsistencë tërheq vëmendjen për sistemet e padukshme dhe shpesh të padrejta, të cilat i strukturojnë jetët tona. Karriera e tij përfshin harkun kohor nga të 1990-at deri në të tashmen, prandaj ekspozita përbëhet prej rreth 15 veprave ikonike dhe krijimeve të reja që janë mjaftueshëm fleksibile t’u përshtatur mundësive të rikrijimit. Ky proces i rigjallërimit të veprave bëhet në nivel lokal duke i krijuar ato aty për aty me njerëz të Kosovës dhe me artistin.

Shfaqjet, videot dhe instalimet e Xhafës trajtojnë tema sociale dhe politike me ironi. Praktika e tij është konceptuale në natyrë dhe reflekton udhëtimin, përkatësinë dhe të drejtat e njeriut. Këto tema universale filtrohen përmes vizionit personal të artistit, duke balancuar lidhjen e tij të ngushtë me kulturën shqiptare me një prirje të fortë për të zbuluar tjetrën. Në Bienalen e 58-të të Venecias në vitin 1997 Xhafa fjalë për fjalë mishëroi një pavilion klandestin: veshur rrobat e një futbollisti dhe një çantë shpine, duke mbajtur topin dhe flamurin shqiptar Xhafa endet nëpër kopsht, duke e ndier praninë e tij në një mënyrë provokuese mes pavijoneve zyrtare.

Më 2005-n Sislej Xhafa përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e 51-të të Venecias dhe në vitin 2013 ishte një nga artistët e zgjedhur nga Bartolomeo Pietromarchi për të përfaqësuar Italinë në ekspozitën “Vice Versa”. Ekspozitat e fundit të dedikuara për punën e tij përfshijnë ato që mbahen në MAXXI, Roma (2015), Fondacioni MAM, Tirana (2014) dhe “Madre”, Napoli (2012). Puna e tij u shfaq në Palazzo Grassi në ekspozitën "Bota i takon ty" (2011-12).

Kjo ekspozitë u mundësua nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit me përkrahjen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe të Komunës së Prishtinës. Po ashtu, realizimin e ekspozitës e ndihmuan me pjesëmarrjen e tyre Kuvendi i Kosovës dhe Komuna e Pejës, Ansambli i Komunës së Gjakovës, si dhe kompania ndërtimore “Bavaria”. Zëri