'DokuFest' sjell historinë e Tajvanit përmes 'Birth of a Nation: Focus on Taiwan'

Kultura July 03, 2018 - 10:12

Edicioni i 17-të i festivalit ndërkombëtar të filmit të shkurtër e dokumentar “DokuFest”, i cili mbahet nga 3 deri më 11 gusht 2018 në Prizren, do të prezantojë një retrospektivë të gjerë të njëzet e tre filmave tajvanezë që audiencën kosovare do ta njoftojë me çështjet shoqërore dhe ato politike të Tajvanit. Gjithashtu, kjo është hera e parë që një shtet aziatik prezantohet në “DokuFest” në Kosovë.

Wood Lin, drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar të Tajvanit, është ftuar t’i japë kurajë programit. “Birth of a National Focus on Taiwan at ‘DokuFest’” është një shfaqje e filmbërjes tajvaneze që përfshin një periudhë pothuajse njëqind vjetësh të historisë së Tajvanit, prej periudhës së kolonisë japoneze deri te lëvizja “Luledielli”, e udhëhequr nga studentët më 2014-n.

Programi përfshin filma nga mjeshtër të njohur ndërkombëtarisht të kinematografisë tajvaneze, si dhe vepra të regjisorëve të rinj dhe mbulon të gjitha zhanret, nga dokumentari, videot eksperimentale e deri te filmat e gjatë. Titulli provokues i programit reflekton misionin e “DokuFest”-it në Kosovë që t’i inkurajojë debatet në lidhje me pavarësinë kombëtare, sovranitetin, të drejtat e njeriut dhe lëvizjet shoqërore. Meqë pyetjet e kombësisë dhe të njohjes ndërkombëtare janë çështje qenësore në të dyja shtetet, filmat për zhvillimet e fundit historike dhe politike të Tajvanit pritet të zgjojnë interesim të madh te ndjekësit e festivalit në Kosovë.

“Birth of a Nation: Focus on Taiwan” e njofton audiencën e Kosovës me pikat e referimit të zhvillimeve shoqërore dhe politike të Tajvanit duke e vënë popullin e Tajvanit në qendër të vëmendjes. Filmat në pjesën e tij të parë, Portraits of a Nation, janë fotografi individësh që përfaqësojnë grupe shoqërore që i kanë dhënë formë shoqërisë së Tajvanit. E restauruar së fundmi në formë digjitale Liu Pi Chia (1967) për një veteran lufte nga Kina Qendrore është një portretizim realistik dhe i fuqishëm i jetës së përditshme të kinezëve, të cilët janë vendosur në Tajvan pas luftës. Një tjetër pjesë e programit, Memory of a Nation, paraqet shtatë filma që reflektojnë mbi të kaluarën përmes syve të protagonistëve të tyre. Një nga më kryesorët është filmi “A Time To Live, A Time To Die” (1985) e “Hou Hsiao-hsien”, një tregim në rritje në lidhje me konfliktet e brezave në atmosferën e mbytur të Tajvanit të pasluftës. Pjesa e tretë, Paradox of a Nation, shfaq vrazhdësinë e një regjimi autoritar, i cili i shtyp qytetarët e vet në vend se t’i mbrojë ata. Ai përfshin një nga video-dokumentimet e Green Team të një numri lëvizjesh protestuese të viteve 1980 që po përgatisnin terrenin për demokratizimin e Tajvanit. Në Time(s) of a Nation, ndjekësve të festivalit do t’u ofrohen disa nga filmat më të mirë të gjatë dhe dokumentarë të kinematografisë së Tajvanit. Filmat, ku secili prej tyre janë më të gjatë se njëqind minuta, janë portrete të kohës së tyre që do të lejojnë audiencën të zhyten në botën tajvaneze.

Kryevepra e Edward Yang Yi Yi (A One and a Two) (2000) është një nga shumë gostitë e ofruara për kineastët e Kosovës në këtë vitrinë shfaqjesh të paprecedentë të kinematografisë tajvaneze.

Retrospektiva “Birth of a Nation: Focus on Taiwan at DokuFest” u organizua me mbështetjen e Institutit të Filmit të Tajvanit dhe Zyra e Përfaqësuesit të Taipeit në Budapest, Hungari.

Ditë më parë Nita Deda, drejtoreshë e festivalit “DokuFest”, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se tashmë po finalizohen përgatitjet dhe së shpejti do të shpallet edhe programi garues i filmave. Ajo tha se vizitorët e “DokuFest”-it gjatë këtij edicioni do të kenë mundësi të shohin rreth 200 filma, e krahas tyre si çdo vit do të mbahen edhe aktivitete të tjera ku përfshihen punëtori, koncerte e ekspozita. Çdo edicion i “DokuFest”-it ka në qendër një temë të caktuar rreth konceptit të së cilës shfaqen edhe filma, organizohen punëtori e mbahen diskutime. Tema e cila caktohet zakonisht është e një problematike globale që i preokupon shoqëritë, duke përfshirë këtu edhe shoqërinë tonë.