'Nëna e ushtarit', kujtimi i fëmijërisë

Kultura July 02, 2018 - 11:17

“Nëna e ushtarit”, kujtimi i fëmijërisë

Muzikanti Sokol Latifi, është i ftuari ynë kësaj radhe në rubrikën javore që titullohet “Rrëfej përmes muzikës”. Latifi është muzikant që i pëlqen të shëtis nëpër zhanre të ndryshme. Ai është tenor në Filarmoninë e Kosovës dhe në ansamblin “Okteti Plus”, gjithashtu vokalist në grupin “Latino Bend”. Mes gjithë këtyre veprimtarive, natyrshëm që edhe muzika që ai e dëgjon dhe e kultivon variron, por përmes kësaj liste ai na prezanton disa nga këngët që i ka më për zemër dhe historinë që qëndron prapa tyre. Nga Vaçe Zela e deri te “Whitesnake”, ky është rrëfimi muzikor i Sokol Latifit.

Vaçe Zela - Rrjedh në këngë e ligjërime

Kënga që gjithmonë e dëgjoj, po ashtu edhe e këndoj me emocion të veçantë, është kënga “Rrjedh në kënge e ligjërime”. Këtë këngë të interpretuar mjeshtërisht nga Vaçe Zela, po ashtu edhe nga Gaqo Çako e dëgjoj qysh prej vegjëlisë dhe lirisht mund të them që e konsideroj si këngë himn të muzikës së mirëfilltë shqiptare. Ka dhe shumë këngë të tjera që po ashtu i këndoj dhe i dëgjoj me dëshirë shume të madhe p.sh. “I dehur jam”, këngë e kënduar nga e madhja Nexhmie Pagarusha, që vazhdon të jetë ende këngë trend në repertorin tim dhe vazhdon të pëlqehet shumë nga adhuruesit e muzikës së lehtë shqipe.

 

Lulet e majit

Kënga “Lulet e majit” është një ndër këngët më të bukura korçare, e cila sa herë që e këndoj ma kujton fillimin e karrierës sime si këngëtar. Këtë këngë për së pari herë e kam dëgjuar në Korçë, gjatë qëndrimit tim në shkollë të mesme në këtë qytet të bukur të Shqipërisë, pastaj edhe e kam futur në repertorin tim të këngëve me të cilin kam performuar në shumë mbrëmje muzikore edhe në shume vise shqiptare.

 

Si m’ke sytë mi ke vetullat”

Është këngë popullore e kënduar shumë bukur nga këngëtarja jonë e famshme Hafsa Zymberi. Kjo këngë përveç tekstit dhe melodisë që të bën për vete ka dhe një ngrohtësi në vete që përmes harmonisë që ka brenda më shtynë që ta këndoj me emocion të veçantë.

“Nëna e ushtarit”

Këngë e kompozuar dhe e kënduar nga babai im i ndjerë Naim Latifi. Kjo dhe shumë këngë të tjera ma kujtojnë karakterin e tij fisnik, me qenë se si fëmijë jam rritur me tingujt e krijimtarisë së tij dhe sa herë që e dëgjoj ma përkujton saktësisht shpirtin e tij.

Requiem nga Juzepe Verdi

Vepër vokalo-instrumentale, e cila është aq e fuqishme saqë sa herë që e interpretojmë më bën të mendoj për talentin dhe mënyrën perfekte kompozicionale të Verdit. Këtë vepër për të fundit herë e kem interpretuar në Londër dhe normalisht koha që kemi kaluar dhe gjithashtu provat e përbashkëta me shumë instrumentistë dhe koristë anglezë më bën që të lidhem emocionalisht me këtë vepër madhështore.

Gipsy kings- Bamboleu

Është një ndër këngët nga ky grup që gjithmonë është mirëpritur nga publiku sa herë që e kemi kënduar me grupin tim Latino Band. Kjo këngë përveç melodisë edhe ritmit ka dhe një interpretim fantastik, si nga kitaristët e këtij grupi po ashtu edhe nga këngëtari.

Muharrem Qena – Mallëngjimi (O vendi im)

Në këtë këngë shprehet aq bukur malli për vendlindjen dhe me qenë se jetoj dhe punoj në Prishtinë, e që nuk është aq larg nga Kumanova, qyteti në të cilin kam lind dhe jam rrit, prapë se prapë e gjej veten në të dhe emocionohem sa herë që e dëgjoj dhe e këndoj. Çdoherë që mblidhemi me familjen time për të festuar diçka ose ndonjë mbledhim qejfi këtë këngë me shumë dëshirë e këndojmë.

“Moj e bukura more”

Këngë mbi 500 vjeçare që mi përkujton vuajtjet shekullore të kombit tim dhe njëkohësisht talentin krijues muzikor të tij. Kjo këngë gjithashtu është këngë shumë aktuale, të cilën e këndoj dhe pëlqehet shumë nga publiku.

Whitesnake - Is This Love

Gjithashtu një ndër grupet më të preferuara gjatë jetës sime kanë qenë dhe Whitesnake, Black Sabbath, Deep Purple e shumë të tjerë, por ndër to e kisha veçuar këngën “Is This Love”, në të cilën më pëlqen mënyra e këndimit nga David Coverdale.