'Stairway To Heaven', e dashur për shumë arsye

Kultura June 25, 2018 - 10:16

Kësaj radhe në rubrikën javore “Rrëfej përmes muzikës” prezantojmë violinistin Kastriot Marku. Përmes listës së këngëve të preferuara të muzikantit Marku, shëtisim nëpër muzikën klasike, rokun botëror e këngët e vjetra shqiptare. Marku është ish-anëtar i Filarmonisë së Kosovës dhe performon me violinë tash e 30 vite, shkruan sot gazeta "Zëri".

The Beatles - Paul McCartney - Eleanor Rigby

Është kjo këngë që ka vend të rëndësishëm tek unë për shkak të tekstit, ndodhisë interesante dhe kompozimit, e kënduar nga McCartney vetëm me ansambël kamertal harkor me një orkestrim të mrekullueshëm dhe shumë specifik.

Nat King  Cole - Nature Boy  

Është një këngë që këndohet edhe në një film të vjetër të kohës së filmit bardh e zi, ku bëhet fjalë për një djalë me zemër të sëmurë. Një film tejet me domethënie dhe në fund të filmit e kënduar kjo këngë me orkestrim të violinave në mënyrë shumë të veçantë për mua.

Mahalia Jackson -  Lord Don’t Move The Mountain                                                      

Është kjo një këngë spirituale e zezakëve, e kënduar nga kjo këngëtare e njohur për këtë stil të muzikës. Kjo këngë po të dëgjohet me zemër dhe vëmendje edhe pse titullohet -Lord don,t move the Mountain, kjo këngë për mua i lëvizë dhe i dridh edhe malet, nga emocionet e këngëtares gjatë këndimit  që del thellë nga shpirti i saj.

Hair - Let It Sunshine In                          

Është kjo kënga nga mjuzikëlli i njohur i regjisorit të njohur M.Forman, pra bëhet fjalë për filmin “Hair” dhe për flokët. Arsyeja pse e dua këtë këngë është për shkak të kualitetit të këngëtarëve, orkestrimit si dhe domethënies së këngës dhe terë këtij filmi me muzikë, ku bëhet fjalë për revolucionin “HIPPI” të rinisë amerikane kundër luftës së Vietnamit, pra rebelimit të shumë fëmijëve të pasanikëve, të cilët i lëshuan shtëpitë e bukura dhe pasurinë e tyre dhe iu bashkëngjitën rinisë së thjeshtë dhe u shndërruan në një familje të madhe që kërkuan drejtësi, paqe, dashuri dhe muzikë.  Në periudhën e rinisë sime me ide të tilla ishim edhe unë dhe shumë shokë të tjerë dhe mendoj se ende nuk ndryshuam, përkundër shumë situatave të ardhura gjatë viteve më vonë, andaj kjo këngë ka shumë emocione nostalgji dhe domethënie për mua dhe për paqen në botë.     

Bob Dylan - Blowin in the Wind             

Është një këngë e pëlqyer nga unë shumë më herët dhe respekti për Bob Dylan. Jo ndoshta për shkak të melodisë së këngës mjaft të thjeshtë, por është një këngë shumë bindëse dhe me domethënie nëse dëgjohet teksti me vëmendje, pra melodia kur të shkrihet me tekstin e mrekullueshëm që flet për padrejtësitë që ndodhin në botë. Pra ankesat dhe përgjigjet për padrejtësitë ndaj njerëzimit gjithmonë i merr fryma apo era që do me thënë “Blowin In The Wind”.   

Deep Purple - Burn                

“Deep Purple” është rok-grupi legjendar anglez që së bashku me grupin “Led Zeppelin” ka qenë e pamundur të mos dëgjohen dhe mos të lënë gjurmë tek unë.                                                                  Kënga “Burn” është këngë jashtëzakonisht e fuqishme dhe më jep forcë kur ta dëgjoj. Është e kombinuar me mjeshtëri roku dhe muzikën e J.S Bach.

Led Zeppelin - Stairway To Heaven

Është kënga  “Shkallët për në qiell.. për në parajsë”. E veçantë pse më lidhë me këtë këngë është se nga dëgjimi i shpeshtë dhe i vazhdueshëm i kësaj kënge së bashku me mua e mësoi dhe e këndonte edhe nëna ime e ndjerë. Çka më bëri të lidhem edhe më shumë me këtë këngë është fakti se nëna ime vazhdoi ta këndojë këtë këngë edhe me birin tim, këngëtarin Mark Markun, i cili po ashtu e adhuron këtë këngë. Këngëtari i këtij bendi Robert Plant dhe kitaristi Jimy Page, mbesin për mua ikona të përhershme të rokut.

Stevie Wonder - Free                

Për mua këngëtari Stevie Wonder është njeriu i cili edhe pse përkundër fatkeqësisë së madhe që nuk sheh dhe është i verbër, ai e sheh dhe e përjeton njerëzimin dhe botën më mirë se të gjithë ata që i kanë sytë dhe shohin . Në këngën “Free”, S.Wonder me tekstin e këngës, më spotin shume prekës gjatë këngës, si dhe me këndimin e tij në mënyrë të pashpjeguar i bën për vete të gjithë ata njerëz që kanë ndjenja dhe i urrejnë padrejtësitë, skamjen e shumë fëmijëve dhe njerëzve në mbarë botën. Pra për mua kjo këngë është shumë me vlera dhe emocione.

Michael Jackson -  Beat It    

Është kjo këngë e fillimeve të viteve 80 ta kur ky këngëtar gjenial bëri revolucion në  muzikë me albumin po me këtë emër. Kjo këngë përpos ritmit këndimit, solos me kitare që e ka. Më bën ta përzgjedh edhe për shkak të nostalgjisë për atë kohë ngase ishte një hit që i ngrinte në këmbë të gjithë.

Pranvera filloi me ardhë - këngë e vjetër shkodrane                                            

Edhe pse në përzgjedhjen e 10 këngëve ashtu si e ceka me lart e bëra me këngë të huaja e jo ato që i këndoi çdo dite, nuk mundem pa e përmend dhe pa e cek këngën “Pranvera filloi me ardhë”. Këtë këngë duhet ta veçoj ngase jam i lidhur emocionalisht me të. Është një këngë që e di prej fëmijërisë sime dhe është kënduar nga gjyshja ime e ndjerë me prejardhje nga Shkodra si dhe e kënduar në duet për mrekulli nga nëna dhe tezja ime, e po ashtu e këndoi edhe unë si dhe fëmijët e mi. Pra jam emocionalisht shumë i lidhur me këtë këngë. Zëri