'PriFest' shpalos programin garues të filmave të metrazhit të mesëm

Kultura June 21, 2018 - 10:11

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest”, i cili do të ketë edicionin e 10-të në korrik, ka publikuar programin garues të filmave të metrazhit të mesëm, i cili përfshinë gjithsej dhjetë filma. Këta dhjetë filma vijnë nga pjesë të ndryshme të botës, kurse tre prej tyre janë premiera botërore, ndërsa dy premiera regjionale, shkruan sot gazeta "Zëri".

“Në këtë kategori të hapur ndërkombëtare, audienca jonë do të ketë mundësi të shikojë filma nga Kroacia, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Republika e Maqedonisë. E veçanta në këtë kategori është premiera botërore e filmit kosovar “Klithma”, me regji të Korab Lecaj, dhe producent e ne rolin kryesor Hazir Haziri. Ky film është një dramë familjare shumë e fuqishme, e cila pasqyrohet në traumën e përdhunimit seksual që u zhvillua gjatë luftës së fundit në Kosovë”, thuhet në njoftimin e festivalit.

“Florian’s Last Climb” dhe “Legend Of The Rice Grain” - të dy produksione gjermane, gjithashtu do të kenë premierën e tyre botërore në programin garues të filmave të metrazhit të mesëm të “PriFest”-it. Pjesë e kësaj kategorie janë edhe filmat “Mary”, “The App”, “The Servants”, “Chocolate Wind”, “Fallou”, “A Discretion” dhe “Eclair”.

Filmat në këtë program garojnë për çmimin “Hyjnesha e Argjendtë”.

Këtë vit, nga data 17-22 korrik, audienca e “PriFest” do të ketë mundësi të shikojë filma në Teatrin Kombëtar të Kosovës (dy salla), në Open Air Cinema, në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe gjithashtu në hapësirën më të re “Kino Armata”.

“Së shpejti do të njoftojmë për çmimet e biletave dhe pakot për të gjithë javën e festivalit. Në ditët në vijim ‘PriFest’ do të publikojë emrat e filmave që do të përbëjnë kategoritë e tjera të edicionit të këtij viti, andaj ju ftojmë që të rezervoni datat dhe të përgatiteni për një javë me shumë filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit tonë, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës”, thuhet tutje në njoftimin e organizatorëve.

Për çdo vit festivali “PriFest” mbledh në Prishtinë dashamirët e kinemasë dhe filmbërës nga vendi, rajoni e bota. Kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të kinematografisë që organizohen në kryeqytet. Zëri