'Silentium Est Pax' e Memli Kelmendit botohet në Francë

Kultura June 20, 2018 - 10:14

Vepra “Silentium Est Pax”, e kompozitorit Memli Kelmendi, sapo është botuar dhe tani është zyrtarisht pjesë e CD-së "Horizons" të Sottovoce Ensemble në Francë.

Kjo vepër është kompozuar vitin e kaluar enkas për këtë ansambël dhe është interpretuar si premierë disa herë në Paris dhe Redon, pastaj është interpretuar edhe nga kori “l'Étrange Boutique” që udhëhiqet nga operisti i njohur Till Fechner, nga Franca.

Së fundmi është interpretuar nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, nën udhëheqjen e prof. Rafet Rudi, në kuadër të festivalit ndërkombëtar të muzikës ReMusica.

Kjo nuk është hera e parë që veprat e Memli Kelmendit botohen jashtë shtetit. Më parë është botuar edhe vepra tjetër "Ater Umbra" nga kori EVOC - Ensemble Vocal Creation, në Francë.

Kompozitori Kelemendi është edhe dirigjent i korit të qytetit të Pejës “Siparantum”, kor ky që për një kohë të shkurtër të funksionimit ka arritur të interpretojë në festivale e vende të ndryshme.