Një tjetër ndalesë për kosovarët në kufirin me Serbinë

Kultura June 20, 2018 - 10:12

Pa u mbushur një muaj, që kur Policia Kufitare e Serbisë ndaloi fotografitë e Eliza Hoxhës, që planifikohej të ekspozoheshin në Beograd, në kuadër të festivalit “Mirdita- Dobar Dan”, sërish një incident i ngjashëm ka ndodhur në kufirin Kosovë-Serbi, shkruan zeri.info.

Të martën, publicistit Shkëlzen Maliqi iu është ndaluar hyrja në Serbi, në kufirin me Kosovën, përkatësisht në Merdare. Policia kufitare e Serbisë nuk i ofroi informacion apo arsye për veprimin e saj.

Maliqi po udhëtonte me dramaturgun dhe drejtorin e Qendrës Multimedia Jeton Neziraj dhe kryeredaktoren dhe fotografen e Kosovo 2.0, Besa Luci dhe me Majlinda Hoxha. Ata planifikonin të merrnin pjesë në një diskutim me rastin e lansimit të publikimit “20 Vjet Përtej/Preko/Beyond”, që përmbledh një kronologji të 20 viteve të bashkëpunimit kulturor ndërmjet akterëve kulturorë nga të dyja shtetet. Publikimi dhe diskutimi implementohen nga Center for Cultural Decontamination, bazuar në Beograd dhe Kosovo 2.0, bazuar në Prishtinë.

Pas ndalimit të Maliqit, anëtarët e tjerë të grupit po ashtu vendosën të kthehen në Prishtinë. Ky vendim ishte bazuar në atë se, udhëtimi për në Beograd dhe pjesëmarrja në ngjarje vetëm sa do të kontribuonin në normalizimin e një praktike diskriminuese dhe trajtimi johuman të qytetarëve kosovarë. Për më tepër, rasti shkon kundër frymës së procesit të normalizimit ndërmjet dy shteteve, proces ky që ka dështuar të mbështes një nga parimet fundamentale të tij – lirinë e lëvizjes.

Dramaturgu Jeton Neziraj, për gazetën “Zëri” ka thënë se pasi që e ndaluan Shkëlzen Maliqin as pjesa tjetër e ekipit, që ishin nisur për udhëtim, nuk e pa të arsyeshme të shkonte drejt Beogradit.

“Neve të tjerëve nuk na e ndaluan të hyjmë, por Shkëlzenit po. Atij as nuk i treguan ndonjë arsye specifike se pse nuk mund ta kalojë kufirin, veç i thanë që s'mundesh me hy. Na mandej vendosem të kthehemi të gjithë, sepse u bë e pakuptimtë pjesëmarrja jonë në atë diskutim”, tregoi Neziraj.

Ironikisht, përmes përmbajtjes, libri në promovimin e të cilit ishin nisur shtetasit kosovarë, fton të dy shoqëritë që të rimendojnë, të sfidojnë dhe të parashohin se çfarë domethënie ka “përtej” (beyond), prej perspektivës të së sotmes e të së ardhmes. Zëri