Serbia përsëri ua ndalon hyrjen artistëve kosovarë

Kultura June 19, 2018 - 11:01
Lexoni më shumë detaje

Një ekip prej katër vetash që po planifikonte promovimin e librit “20 vjet Përtej/Preko/Beyond”, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor në Serbi nuk do të marrë pjesë, pavarësisht se në libër punuan përgjatë një viti të plotë.

Puna e tyre nuk do të prezantohet atje pasi kritikut të artit Shkëlzen Maliqit, i është ndaluar hyrja në Serbi, sot në orën pesë të mëngjesit në pikën e kalimit kufitar në Merdare.

Maliqi flet për Gazetën Express, thotë se Serbia po merr masa hakmarrëse për zyrtarët e Kosovës.

Ekipi ka refuzuar të hyjë në territorin serb në shenjë revolte për ndalimin e Maliqit në kufi.

 “Nuk me lan me kalu kufinin... sot ne 5 të mëngjesit. Isha me Jeton Nezirajn, Besa Lucin dhe Majlinda Hoxhen, edhe ata u kthyen pasi qe mua me ndaluan hyrjen”, tha Maliqi për Gazetën Express.

Ai sqaroi se në Serbi kishin planifikuar një aktivitet që do të mbahej sonte në Qendrën për Dekontaminim Kulturor dhe promovim të librit me rastin e 20 vjetorit të ekspozites së artit të Kosovës Peretj/Beyond.

Maliqi shprehet se Serbia po merr masa "hakmarrëse" për zyrtarët kosovar.

“Edhe pse une nuk kam funksione”, thotë ai.

Sidoqoftë Maliqit për herë të parë i është ndaluar hyrja në shtetin serb. Ai thotë se para disa muajve ka udhëtuar në Beograd dhe nuk i është paraqitur asnjë problem. Ndërsa, sonte nuk do të jetë pjesëmarrës në ekspozitën e organizuar nga vetë ai.

“Une e pata organizuar ate ekspozite ku kane marre pjese Sokol Beqiri, Mehmet Behluli, Maksut Vezgishi dhe Ilir Bajri, ku i fundit me nje instalim te vepres muzikore”, shpjegon më tej Maliqi.

Kryeredaktorja e K2.0, Besa Luci ka komentuar ngjarjen që ndodhi sot në Merdare.

“Maliqi po udhëtonte me dramaturgun Jeton Neziraj, fotografen e K2.0 Majlinda Hoxha dhe mua. Pas incidentit, normalisht që edhe ne vendosëm të kthehemi në Kosovë. Po të ndodhte ndryshe, veprime të tilla nga kufiri i Serbisë jo vetëm që do normalizohen dhe do bëhen praktikë e zakonshme, por do të perceptohen si të pranueshme dhe të lejueshme”, ka spjeguar Besa Luci, njëra prej bashkëpunëtoreve të këtij projekti.

“Ngjarja dhe diskutimi i paraparë për sot në Beograd, nuk do mund të zhvillohet, pasiqë panelisti Shkëlzen Maliqi nuk u lejua të hyjë në Serbi në kufirin e Merdares. Asnjë shpjegim nuk u dha”, thotë ajo.

Përmes përmbajtjes, libri fton të dy shoqëritë që të rimendojnë, të sfidojnë dhe të parashohin se çfarë domethënie ka Përtej (beyond), prej perspektivës të së sotmes e të së ardhmes.

Kujtojmë se ditë më parë një grup i artistëve nga Kosova janë ndaluar për rreth tri orë nga policia kufitare e Serbisë, në pikën në Merdare dhe më pas janë liruar. Ata ishin nisur të merrnin pjesë në festivalin "Mirëdita, Dobar Dan", i cili mbahet në Beograd, nga data 30 maj deri më 2 qershor.