Kultura

Kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë shemb kufijtë mes dy shteteve

Kalendari kulturor Shqipëri-Kosovë shemb kufijtë mes dy shteteve
19 qershor 2018 • 10 : 05

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrja e Kulturës së Republikës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro- Furxhi, në ambientet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, nënshkruan të hënën protokollin e bashkëpunimit për kalendarin e përbashkët kulturor vjetor mes dy shteteve. Ky është i pesti vit radhazi që Shqipëria e Kosova lidhin një marrëveshje të tillë për aktivitete kulturore që lidhin të dyja shtetet, shkruan sot gazeta "Zëri".

Përmes këtij akti, dy vendet janë pajtuar për përfshirjen e aktiviteteve kulturore në një kalendar të përbashkët, i cili është i bazuar në “Deklaratën e përbashkët për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës”, nënshkruar në Prizren, më datë 11 janar 2014.

Në kuadër të kalendarit të sivjetmë të përbashkët kulturor do të realizohen aktivitete në fushën e trashëgimisë, që kanë të bëjnë me digjitalizimin e trashëgimisë dhe trajnimet në edukim, në fushën e restaurimit dhe konservimit; ekspozita në fushën e arkeologjisë dhe të muzeve, në fushën e teatrove do të mbahet festivali mbarëkombëtar i teatrit dhe do të realizohen shfaqje teatrale si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, në fushën e filmit do të jepen premierat e pesë filmave. Në fushën e artit pamor do të realizohet një ekspozitë Në Kosovë e në Shqipëri. Këto aktivitete do t’i bartin institucionet kombëtare përkatëse të kulturës.

Nënshkrimin e këtij kalendari ministri Kujtim Gashi e ka cilësuar si ditë shumë të rëndësishme për të dy vendet. “Është ditë shumë e veçantë për Kosovën dhe Shqipërinë. Nënshkrimin e kalendarit vjetor kulturor e kemi ideuar në lokacion të veçantë në shtëpinë tonë të përbashkët. Ky akt hap rrugë të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë ministri Gashi.

Ministri Gashi ka pohuar se të gjitha institucionet e kulturës dhe trashëgimisë do të kenë aktivitete të përbashkëta edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri.

“Mendoj që ky është një moment që dy institucionet tona janë në krye të organizimeve, pa e prekur pjesën e pavarur të institucioneve të kulturës. Besoj që ky vit është më i veçantë, sepse jemi ndalë në aktivitetet specifike”, u shpreh Gashi duke shfaqur edhe vlerësuar punën e ministres Kumbaro në raport me lobimin për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Në anën tjetër, Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro-Furxhi, tha se kultura e dëshmon më së miri se nuk ka kufi tjetër mes Kosovës dhe Shqipërisë, përveç atyre administrative.

“Është për mua viti i pestë si Ministre e Kulturës të nënshkruaj këtë kalendar, por duke pranuar, siç e tha edhe ministri, është që është një formalizim i një aktiviteti e një bashkëpunimi që merita në radhë të parë i shkon institucioneve të kulturës”, tha ministrja Kumbaro.

Ajo pati vlerësim për institucionet e kulturës dhe skenën e pavarur kulturore të Kosovës.

“Ne kemi njohur të gjithë energjinë që ka skena e pavarur e Kosovës, me të cilën duam ta kemi një bashkëpunim, por edhe për të mësuar më shumë, sepse skena e pavarur në Tiranë nuk e ka të njëjtën pjekuri. Kufijtë janë administrativë, ndërsa kultura është si lumenjtë. Lumenjtë kur kalojnë vijën e ujit nuk pyesin a ka kufi. Ne duhet te krijojmë të njëjtin mjedis për kulturën”, vlerësoi Kumbaro.

Që të dy ministrat thanë se koncepti i kalendarit të përbashkët është i hapur dhe do të përfshihen të gjitha vendet ku ka shqiptarë

“Koncepti i kalendarit të përbashkët kulturor është një koncept që është një skenë e hapur me Maqedoninë, me Malin e Zi, padyshim edhe me Greqinë, por jo vetëm", tha në fund ministrja shqiptare. Zëri

© zëri.info