Kultura

Dua Lipa krenare për organizimin e festivalit 'Sunny Hill' në Kosovë

Dua Lipa krenare për organizimin e festivalit 'Sunny Hill' në Kosovë
18 qershor 2018 • 10 : 04

Çdo ditë e më shumë po konkretizohen dhe bëhen të ditura për publikun aktivitetet që do të organizohen në kuadër të festivalit “Sunny Hill”, organizuar nga fondacioni i këngëtares kosovare Dua Lipa, e udhëhequr nga i ati i saj, Dukagjin Lipa, shkruan sot gazeta "Zëri".

Së fundi vet këngëtarja Lipa është shprehur krenare me festivalin që do të ndodhë në Kosovë.

“Shumë krenar për babanë tim Dukagjin Lipa, i cili kishte një ide dhe një ëndërr dhe po bën pikërisht atë që tha se do ta bënte. Më pëlqen të mendoj se kam marrë diçka nga këmbëngulja e dy prindërve të mi, të cilët më kanë treguar se puna e vështirë do të shpërblehet gjithmonë. Ai kishte një ide për të krijuar një festival në Prishtinë (Kosovë) me shumë artistë ndërkombëtarë dhe vendorë, për të ndihmuar që me të vërtetë ta vendosë Kosovën në hartë në mënyrë kulturore. Ne kemi qenë kaq me fat që të gjithë miqtë tanë do të bashkohen me ne si dhe  grupet muzikore të ndryshme në rajon”, ka treguar Dua.

Tutje ajo ka shtuar se një pjesë e të hyrave nga ky festival do të shkojnë për bamirësi, në kuadër të fondacionit të saj.

“’Festivali Sunny Hill’ po vjen këtë verë në Parkun e Gërmisë dhe 25% e të gjitha përfitimeve të biletave do të shkojnë në Fondacionin Sunny Hill për të ndihmuar rininë e Kosovës në artet krijuese. Unë jam shumë e ngazëllyer që do të shkojë disa ditë para festivalit për të bërë disa punë bamirësie dhe për të vizituar qytetin tim të lindjes! Biletat janë në dispozicion përmes sunnyhillfestival.com. Shihemi atje”, ka përfunduar kështu Lipa postimin e saj në Instagram.

Rikujtojmë se ky festival do të mbahet më 10, 11 dhe 12 gusht 2018, në Parkun e Gërmisë. Biletat e para tashmë kanë dal në shitje. Ato janë elektronike dhe në këtë fazë të parë kushtojnë nga 35 euro, ndërsa ato pritet të kushtojnë 55 euro në fazën e dytë edhe 75 euro në fazën e tretë.  Biletat do të jenë tri ditore. Bashkë me Duan në këtë festival do të interpretojnë edhe Action Bronson, Stanaj, Grace Carter e SG Lewis. Sa i përket artistëve lokalë Lipa konfirmoi se në “Sunny Hill Festival” do të performojnë Ledri, MC Kresha e DJ Gamble.

Organizatorët besojnë se ky festival do të sjellë edhe përfitime ekonomike për Prishtinën, meqë pritet të vijnë shumë vizitorë. Rikujtojmë se Dua Lipa interpretoi për herë të parë në Kosovë para dy vitesh, pikërisht në Parkun e Gërmisë, prej nga ka ardhur ideja për këtë festival. “Sunny Hill Festival” përkrahet nga Komuna e Prishtinës. Zëri

 

© zëri.info