'Të vdekurit e gjallë' si një rilexim i kohës

Kultura June 18, 2018 - 09:58

Pal Sokoli

Romani i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, “Të vdekurit e gjallë” përfshinë një periudhë të caktuar kohore, një klasë politike të caktuar dhe gjithë krajatat e popullit, në këtë rast të shqiptarëve të Kosovës, gjithashtu në një hapësirë të caktuar. Prandaj edhe citatit, “ Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe fitojnë horrat” te Viktor Hygojt, Ibrahim Kadriu ja ka gjetur fushat e shtrirjes në Romanin e tij; i ka shtrirë personazhet sikur peshkatari i mirë rrjetin e peshkimit dhe i tërheqë rrëfimet e personazheve duke i lidhur mirë si një tërësi letrare. Ky roman përfshin një periudhe gati njëshekullore dhe karakterizohet me studim historik në kohë dhe hapësirë të njohur gjeografike si dhe përfshinë njohuritë teorike, tematike te historiografisë përkatëse nga autori Ibrahim Kadriu, shkruan sot gazeta "Zëri".

Fabula e këtij romani fillon me personazhin e parë David Petriçin, i cili i ofenduar nga nofka “Derr shqiptari”, nga i ashtuquajturi baba i tij Radomir Petriçi, fillon dyshimi për identitetin e tij të vërtetë. Në fillim ja pashë për të madhe se përse autori deshifron aq herët përkatësinë e mundshme të tij nacionale, por pastaj pashë se ajo nofkë ishte një cytës dhe nxitës i ngjarjeve dhe e vetmi rast për ta kapërcyer depresionin qe kishte kapluar Davidin pasi i ashtuquajturi baba i tij ia përsëriste sa herë qe kthehej nga Cafe “Carica” në shtëpi tek ai dhe e shoqja e tij Viktoria. Edhe pse kishte raporte te tilla me të ashtuquajturin baba, një ditë duke kaluar përskaj Cafe “Carica” sheh të ashtuquajturin baba që kishte acaruar marrëdhëniet me miqtë e tij. Davidi i ndihmon babait të tij për të dalë fitimtar dhe dëgjon edhe nofkën tjetër” Kopil Shqiptar” për të dhe për Radomirin si baba i kopilit shqiptar.

Edhe pse nga ai moment Radomiri bën kthesë në qëndrimin e tij ndaj Davidit, ky i fundit nuk iu ndahet kërkimit të identitetit të tij. Ne Spitalin e Paliqit, Davidi i gjënë të gjitha të dhënat për të dhe prindërit e vërtetë të tij. Agon dhe Blerina Dreni, nga Prishtina, ishin prindërit e tij. Shkrimtari ynë Ibrahim Kadriu këtë ngjarje e bazon në fakte historike dhe se ngjarja nuk është shumë larg nga rrethi shoqëror i shkrimtarit. Fati i rikthimit të Davidit është i përcjell me përjetime dramatike në jetën e tij. Për çudi, si model të një shqiptari që ai nuk i njihte më parë në Novi Sad, e që përmes Mirelës, një studente nga Rumania, njohu Bledar Prushin që është si protagonisti i dytë i këtij romani.

Bledar Prushi, para se të burgosej quhej Safet Proja, duke qenë dëshmitar i një ngjarje që kishte ndodhur në magjistralen Deçan-Gjakovë, kur në një postbllok të policisë serbe, nën komandën e policëve u ndal një makinë me targa nga Peja (Pe) dhe iu kërkuan dokumentet, vozitësi në vend të dokumenteve i tregoi tytën e një revoleje dhe vrau policin në vend. Edhe pse nuk kishte të bëjë me rastin, u kap nga policia dhe u dënua me 4 vite burg. Safet Proja dy vite i mbajt në Dubravë dhe ishte dëshmitar i masakrës se Dubravës, ku u vranë 170 dhe u plagosen 300 të burgosur. Safet Proja edhe dy vite të tjera i kaloi në burgun e Mitrovicës se Sremit dhe nga aty doli me identitetin e ri Bledar Prushi e jo me emrin e vërtetë Safet Proja. Derisa personazhi i parë Davidi ( Diellori) kërkonte identitetin e tij, personazhi i dytë Safet Proja ikë nga identiteti i tij dhe vazhdon jetën me emrin e ri Bledar Prushi. Safet Proja gjoja ishte vrarë në mbrojtje të familjes se tij dhe si ushtarë i UÇK-së i ishte ngritur një përmendore në oborrin e shtëpisë se tij. Derisa ai me emrin Bledar Prushi jetonte në një bodrum të një avokati qe Bledari e kishte shpëtuar nga një mbytje në lumin Danub e që quhej Desimir Ristiç. Ky pas denoncimit te Radimir Petriçit në gjykatë kundër tre paramilitarëve serbë qe kishin vrarë dhe masakruar shqiptarë në Kosovë merr anën e Bledarit dhe Davidit dhe këmbëngulë në dënimin me burg të kriminelëve të luftës; Zoran Mariç, Gojko Bazhdareviç dhe Nikolla Gavella. Rreth emrit te Safet Projes si ushtar ishin krijuar mite të ndryshme trimërie nga një grup njerëzish, të cilët kurrë nuk kishin kontribuar për bashkëkombësit e vet, por kishin krijuar gjithashtu një identitet të rremë dhe përfitonin dhe qeverisnin.

Bledari vendosë të braktisë vendlindjen dhe t'i kthehet protagonistes tjetër të këtij romani Mirelës. Mirela ishte ajo që i njohu në mes veti Davidin dhe Bledarin, lidhje kjo që doli se Mirela ishte trashëgimtare e një shqiptari tjetër, Adem Vrajolli, nga Braina e Karadakut, i cili kishte ikur në prag të luftës se dytë botërorë në Rumani dhe ishte shpallur si i vdekur pasi nuk dihej për 50 vite për të. Pas 50 vitesh shkruan një letër dhe lajmërohet si i gjallë dhe i kthehet motrës se tij te vetme të gjallë.

Autori luan me personazhet, identitetin e tyre, duke u dhënë atyre role historike dhe realiste të përfaqësimit të së shkuarës, të sotmes dhe perspektivës. Kthimi i Ademit në familje pas 50 vitesh sikur në legjenda Konstantini Doruntinës ose në një të kaluar kthimi nga asqeri turk në familje, përfundon me lumturi ashtu siç përfundon edhe Davidi- Diellori, i cili e gjen identitetin e tij si shqiptar dhe i kthehet jetës i lumtur te prindërit e vërtetë të tij- Agoni dhe Blerina dhe te vëllai Diellori dhe Dafina. I vetmi qe vazhdoi aty ku e kishte lënë Ademi ishte Bledari që kthehet te Mirela në Rumani.

Përgjatë gjithë romanit zhvillohet një dramaticitet në kërkim të identitetit. Për masakrat, dhunimet dhe plaçkitjet gjatë luftës se fundit në Kosovë autori i nxjerrë në pah nëpërmes personazheve autorë të krimeve. Bledari na mbetet borxh shumë në këtë roman se nuk u kthye në Kosovë, përkatësisht identitetit të tij dhe ta rrënojë përmendoren e rrejshme dhe së bashku me të edhe gjithë përfituesit e rrejshëm rreth asaj përmendoreje. Davidi përmbysi vdekjen e vet si shqiptar, përmbytë edhe jetesën e vet 23 vjeçare si serb dhe i kthehet jetës normale si shqiptar në Kosovë.

Romani ka një sfond të besueshëm historik, ndërthurjet e pikëvështrimit kundrejt një paanshmërie apo rindërtimi historik. Autori i ndërlidhë nëpërmes rrëfyesve një proces të përvetësimit selektiv të së shkuarës dhe në përfaqësimin e një të tashmeje, cilësisht të dallueshme nga e dëshirueshmja.

Romani “ Të vdekurit e gjallë” na paraqitet si një rilexim kohe, si shtrat i kohës rrëfimtare, kohës si kujtesë shpirtërore, të kohës se sotme ku prapë ka ikje nga identiteti edhe pas 20 viteve liri dhe pavarësi, i kohës se Faruk Nezave dhe kohës se konfliktualitetit të brendshëm me dallime ideologjike. Romani ka njëzet kapituj dhe 285 faqe, me një dramaticitet që lexuesin e mban pezull deri në përfundimin e leximit. Zëri