Havzi Nela kthehet në bronz

Kultura June 14, 2018 - 15:28

Dita e mërkurë e 10 gushtit e vitit 1988, ishte dita më e trishtueshme jo vetëm për shqiptarët dhe vendin e tyre komunist, por për gjithë Evropën. Këtë ditë, në qytetin e Kukësit, në një gjendje shtetrrethimi, në një trekëndësh për varje, përfundoi jeta e poetit disident Hafiz Nelës. Tridhjetë vite pas duket sikur ai është ringjallur dhe u flet nxënësve të gjimnazit të Kukësit, i cili mban emrin e tij.

Ai tani kuksianëve u shpërfaqet në një bust të punuar nga skulptori kuksian, Ilmi Hoxha. Në ceremoninë e organizuar nga Bashkia e Kukësit, morën pjesë përfaqësues politikë e shumë qytetarë, nga të cilët jo pak nga ata që e mbanin mend këtë rast tepër tragjik jo vetëm për poetin Nela, por edhe për gjithë shqiptarët dhe gjithë Evropën. 

Kryebashkiaku i Kukësit,  Bashkim Shehu, ka thënë se falë guximit dhe sakrificës së tij sublime, Kukësi është në hartën e botës si qytet i poetit të varur në emër të lirisë.

“Përditë e më shumë Havzi Nela do të bëhet krenari për njerëzit që jetojnë në këtë qytet, për gjimnazistët që do te dalin nga gjimnazi i Kukësit që mban emrin e tij. Falë tij, falë sakrificës së tij sublime, falë guximit e krenarisë së tij, Kukësi është në hartën e botës si qytet i poetit të varur. Bota ka qytete poetësh të pushkatuar, të vdekur burgjeve, të masakruar, por Kukësi është qytet i poetit të varur", ka thënë Shehu.

Havzi Nela u burgos në vitin 1987 dhe më 10 gusht të vitit 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit. Vendimi për varjen e poetit u firmos nga Kristaq Rama, babai i kryeministrit Edi Rama.

Persekutimi i tij nisi në vitin 1967 kur si një mësues i ri dhe poet i talentuar, kundërshtoi kolektivizimin, ndalimin e besimit fetar dhe ndërrimin e veshjeve për gratë e fshatit.

Havzi Nelës i është akorduar titulli “Martir i Demokracisë” dhe “Nderi i Kombit”.

Havzi Nela lindi më 24 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit Kukës. Mbaroi shkollën fillore dhe të mesme në rrethin e lindjes, në një varfëri të tejskajshme për të vazhduar më vonë Institutin në Shkodër ku përjashtohet, pasi ai kundërshtonte politikat e kohës.

Pas viteve të tëra burgime, internime e madje edhe disa dënime me vdekje, më 10 gusht 1988 poeti dhe mësuesi disident Havzi Nela u var në sheshin kryesor të Kukësit.