Imazhe nga një ditar lufte për 12 Qershorin

Kultura June 13, 2018 - 13:13

Nebi Jashari

Para se të vinte kjo ditë e shënuar me shkronja të arta për Kosovën, m'u kujtua 5 prilli, kur po ktheheshim nga kufiri Kosovë-Maqedoni. Dy ditë më herët atje po  më fliste një mik sesi ishte nënshkruar marrëveshja me Milosheviçin për ndërprerjen e armiqësive dhe përfundimin e luftimeve në Kosovë. Në hyrje të Ferizajt na ndali një patrullë ushtarake. Në mesin e tyre ishte edhe një ushtarak i zi korb. Siç po dukej ishte rom, por mua po më dukej që ishte ushtar amerikan, një afrikano-amerikan. Ishte rrjedhoja e diskutimeve nga kufiri, kur po prisnim të mëshirohej regjimi i Maqedonisë dhe ta hapte kufirin për kalimin e kosovarëve në botën e lirë, shkruan sot gazeta "Zeri".

Më 10 qershor u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës, me të cilën serbët  ishin obliguar t’i largonin forcat militare dhe paramilitare nga Kosova. Lajmi për këtë ngjarje u dha në mbrëmje, në televizionin serb. Menjëherë filluan festimet e serbëve lokalë me krisma kallashësh. Unë u struka në arën me misër, së bashku  me qenushin tim. Krismat i sillte qetësia dhe dukej qartë sesi po afroheshin fshatit tonë. Së shpejti u kuptua që serbët po festonin një disfatë si zakonisht, madje duke e shpallur “fitore historike”.

U frikësuan edhe shumë të tjerë, sepse frika nga sulmet e njerëzve me maska apo likuidimet e njerëzve të pafajshëm ishin akoma të freskëta. Kishte shumë njerëz të traumatizuar dhe të frikësuar. Në kokë e kisha situatën kur para shtëpisë time po defilonin disa serbë të dehur dhe po tentonin të hynin në oborrin tim. Kur ata u bindën që në shtëpinë time nuk ishte askush u larguan duke bërë zigzake të të dehurve nga alkooli, apo edhe zhgënjimi që po i vinte fundi ëndrrave për Serbinë e Madhe.

Nga shitorja e jonë po i vidhnin pijet dhe ushqimin për kafshë. Pasi e kishin kryer punën e grabitjes, kishin tentuar që objektit të ia venin zjarrin. Fatmirësisht, në mesin e hajnave kishte qëlluar një i njohur nga Lagjja e Sallahanes dhe e kishte shuar zjarrin, të cilin e kishte vënë një piroman nga Policia financiare serbe. Mallrat po i merrnin nga bizneset shqiptare sipas një urdhërese të pushtetit okupator serb, për veprime të tilla ndëshkuese ndaj atyre që nuk po i hapnin dyqanet. Pushtetarët kishin filluar edhe aksione të tjera, siç ishte ai i dëbimit të popullatës shqiptare, aksioni i  regjistrimit të popullatës në Kosovë, organizimin e protestave të popullatës lokale kundër NATO-s, etj. Falë Zotit nuk ia arritën, sepse pas 78 ditëve u ndërprenë bombardimet me një kapitullim të pa kusht të Milosheviçit.

Pas dy ditësh dola në qytet. Ishte 12 qershori, dita kur filloi hyrja e trupave ndërkombëtare në Kosovë.  Shumë serbë ishin të hutuar, sepse nuk po dinin çka të bënin. Trupat e para që hynë në Ferizaj, më duket që ishin ushtarët e Mbretërisë së Bashkuar. Ata u stacionuan në platonë para Hotelit “Luboten”. Disa ishin futur në oborrin e Fabrikës së Tubave dhe të Fabrikës së Këmbyesve të nxehtësisë. Gëzimi ynë nuk kishte kufi. Ishte një përjetim jo i zakonshëm, diçka që krahasohet me fillimin e bombardimeve dhe me dritën që shkëlqente nga Kometa e Halejit, që po qëndronte në pjesën perëndimore të hemisferës. Po atë ditë udhëtova për Gjilan, kurse të nesërmen për në Prishtinë. Në Gjilan dukej që nuk kishte ndodhë asgjë, kurse në Prishtinë dukej që kishte kaluar një uragan i vërtetë, duke lënë rrëmujë gjithandej. Ditët vijuese po i kalonim në të vetmen kafene të Usta Mehdiut, duke pirë birra dhe duke takuar njerëz që filluan të ktheheshin nga eksodi biblik. Para shtëpisë së djegur të mikut tim Ibit, shtëpia e të cilit kishte pësuar nga zjarri e takova Ismajlin, i cili kishte ardhur nga Kroacia dhe po e shikonte Ferizajn e shkatërruar, por fatmirësisht të lirë. Që nga udhëkryqi i Gjilanit e deri në Fabrikën e Veglave soldateska serbe i kishte rrënuar dyqanet shqiptare. Para Kishës katolike po qëndroja duke parë sesi po iknin ushtarët serbë, duke i ngritur nga tre gishtërinj dhe duke premtuar që sërish do të ktheheshin. Sa harmoni po mbretëronte ato ditë! Të gjithë ishin të lumtur, duke rrëfyer për përjetimet dhe gëzimin që kishin shpëtuar gjallë. Të gjithë që po vinin në Kosovë po e përjetonin si një kthim në “Tokën e Premtuar”. Në qytet po shihja sesi ishin rrënuar shtëpitë në të cilat një vit më herët kishin qëndruar nëpunësit e OSBE-së, shtëpitë e simpatizantëve apo pjesëtarëve të UÇK, atyre të LDK-së . Në Prishtinë kishte qenë apo mace të ngordhura që po kundërmonin.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) e mori një kat me qira dhe i përgatiti banjat, kuzhinën dhe dhomat për të kthyerit. Aty po vinin çdo ditë me qindra refugjatë, po qëndronin një apo dy net dhe iknin tutje nëpër shtëpitë e tyre, sipas të gjitha gjasave të rrënuar, të cilat po i tërhiqnin që të fillonin një jetë të re, në Kosovën e Lirë.  Për të mirë u shquan edhe shumë organizata ndërkombëtare, të cilat po ofronin ndihmë për normalizimin e jetës. U dalluan sidomos USAID-i amerikan, Mjekët pa Kufi, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, UNDP, organizata humanitare nga Zvicra, Suedia, Gjermania, Danimarka etj. U mbajt edhe një Konferencë Ndërkombëtare e Donatorëve, por që fatkeqësisht nuk u realizuan të gjitha premtimet e shteteve mike.

Më vonë filloi stërkeqa e lirisë, uzurpimet, demolimet, gara për poste e prona. Nëpër fabrika, ente dhe shkolla filluan emërimet, zbrazja e depove ma mallra të konfiskuara nga serbet. Nëpër Ferizaj po defilonin ushtarë me uniforma të ndryshme. Për shumë nga ato flitej se ishin blerë diku në Bit-pazar të Shkupit. Mua më caktuan në Fabrikën e Këmbyesve të nxehtësisë. Një vrasje e një plake të kombësisë serbe apo shkatërrimi i varrezave serbe ishin ngjarje që Kosovës nuk i sollën asnjë të mirë. Krimet serbe filluan të barazohen me krimet e disa individëve, që po dëshmonin se ishin heronj të vonuar. Filluan problemet me energji elektrike, me telefona, me materiale për prodhim, me kriminalitet, me korrupsion. Mediokriteti vendor po sundonte nëpërmjet Misionit Ndërkombëtar UNMIK, duke e zëvendësuar një pushtet të huaj me një të keq vendor. Zëri