Luftimi i traditës me të gjitha mjetet

Kultura June 12, 2018 - 10:38

Na duket i vlefshëm mendimi i Ernest Koliqit, i cili në librin e tij, “Dy shkolla letrare shkodrane” shkruante: “Nji komb qi përbuzë traditat e veta vendosë vetvrasjen e vet.” Historia dhe kultura shqiptare, për dikë është bërë hale në sy. Dhe, në emër të një shkolle të çoroditur dhe mohuese, tentohet të zhvleftësohet ajo, duke u përçmuar dhe mohuar, pa asnjë argument dhe pa vlerësime serioze. Kritika pa vend, argumentet seleksionuese, në funksion të ideologjive të caktuara, të vërtetat gjysmake, kanë shkaktuar një efekt negativ ndër ne, një kaos të vërtetë moral, duke e bërë shoqërinë tonë apatike, mosbesuese deri në pikë kritike, dhe, të habitur për çdo gjë dhe çdo kënd.

Shoqëria shqiptare, përveç prej prapambeturisë politike, po vuan edhe pasojat e një shkolle ligjërimore, që për qëllim ka shoqërisë t’ia bëjë një brainwashing (shpërlarje e trurit), dhe, njëkohësisht t’ia injektojë një kulturë të re, që bie ndesh me çdo gjë që është historia dhe e kaluara saj. Mbi këtë bazë, luftohet tradita, me të gjitha mjetet, duke u stigmatizuar ajo, për ligështitë dhe pamundësitë tona për të ndërtuar një shoqëri humane dhe solidare. Ky soj ligjërimi, në thelb është konstruksion ideologjik, absurd dhe utopik, e nga i cili, ne kemi kujtesë të freskët. 
Në fakt, të ashtuquajturat debatet të shumta historike dhe kulturore që zhvillohen te ne, kanë për qëllim të krijojnë një njeri të ri, që nuk beson në kulturën kombëtare. Ky njeri, sipas inxhinierëve të sotshëm ideologjikë që i gjejmë kudo, i ngjan njeriut komunist: ai nuk duhet të ketë të djeshme, por vetëm të nesërme, drejt së cilës duhet të marshojë pa shikuar prapa. Për dallim nga e kaluara komuniste, ky njeri, sot nuk imponohet me dhunë, shtypje, por me përçmim dhe injorim të traditës, në debate publike, në media dhe universitete. Në emër të kësaj shkolle, është bërë e modës që, të spekulohet dhe të flitet kuturu kundër kulturës kombëtare, pa kurrfarë argumente dhe pa përfillur të vërtetat empirike. 
Viteve të fundit, kemi parë sesi shqiptarë të shumtë, përqurrën sa herë gjejnë një copë letre, ku mund të flitet keq për Gjergj Kastriotin, ndërkaq, anashkalohet shumëçka, në mos gjithçka, që është shkruar me admirim për të dhe përmasën e tij ndërkombëtare, përpara Rilindjes Kombëtare. Këta predikues, shqiptarëve tentojnë t’iu mbushin mendjen se, Gjergj Kastrioti qe një trill i Rilindjes Kombëtare, i përdorur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, ndërkaq, siç dihet, e vërteta është krejtësisht ndryshe. 
Shoqëria jonë, sidomos rinia, janë në rrezik  real nga ky lloj ligjërimi kundër të shkuarës, i cili po promovohet hovshëm nga predikuesit e kësaj shkolle, që rinisë sonë i ofrojnë një të nesërmes, të projektuara përmes zhbërjes dhe urrejtës së kaluarës.  
Këtë ligjërim, sot e promovojnë ata që nuk duan shoqërinë tonë ta edukojnë, por duan ta kontrollojnë. Këta opinionkrijues, punojnë me shumë zell, që asaj t’i shuhet kujtesa, dhe me shumë zell kujdesën dhe shkruajnë, në atë mënyrë, që shqiptarëve t’iu mbushët mendja, se, ne jemi popull pa rrënjë në trojet tona. Thënë ndryshe, jemi komb koti dhe pa vlera.

Ne jetojmë në një vend të kontaminuar, ku rrënimi dhe degdisja shpirtërore, është shumë më e madhe se ajo politike e ekonomik, dhe ku, intrigat dhe mosbesimi, duken si forma më e lartë e komunikimit publik. Prandaj, kur flasim dhe shkruajmë për të kaluarën, duhet të tregojmë respekt dhe kujdes maksimal. Por, atë nuk mund ta zhbëjmë.