Pazari i vogël i një katundi të harruar

Kultura June 11, 2018 - 14:54

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë regjisorin nga Prishtina, Agon Miftarin, i cili u diplomua në Fakultetin e Arteve, në Universitetin e Prishtinës, Dega e Artit Dramatik - Regji Teatrore. Në vitin 2011, Myftari mbaroi studimet postdiplomike dhe mori titullin "Master i regjisë teatrore ". Agon Myftari ka bërë regjinë e disa shfaqjeve të suksesshme teatrore deri më sot. Ai u dallua si një nga studentët më të mirë në drejtimin e teatrit me regjinë e shfaqjes "Ëndrra e një nate vere" nga W. Shakespeare, me të cilën ai u shpërblye me çmimin "Regjisori më i mirë i teatrit" në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit dhe Teatrit "Skena UP", në vitin 2006. Ka fituar edhe disa çmime tjera teatrore. Pas disa shfaqjeve të suksesshme, në vitin 2015, Agon Myftari emërohet Udhëheqës Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës.

 

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Ku e kam njërën çorapë? Nejse, pak shaka me fillim, ndonëse e vërtetë që ia bëj këtë pyetje vetes shpesh. Megjithatë një pyetje, përgjigja e së cilës vazhdimisht ndryshon, evoluon është “Përse merrem me teatrin?”. Ka pasur çaste të ndryshme kur më është dukur sikur e kam gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe shumë shpejt ajo përgjigje më është dukur bajate, një klishe të cilën shumë shpejt e kam braktisur për ta gjetur një tjetër më të mirë, më kuptimplote. Ende s’e kam gjetur plotësisht, akoma jam në kërkim dhe si duket do të jem në kërkim të përgjigjes së kësaj pyetje të mistershme për një kohë të gjatë. Ndoshta kërkimi i zbulimit të këtij misteri e bën rrugëtimin nëpër këtë profesion gjithherë e më intrigues, më zbavitës sepse, tek më e fundit, siç duket është kërkimi dhe rrugëtimi ajo që e ndërton njeriun më tepër sesa caku apo destinacioni.

 

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Shtëpi – Teatër, është ky një relacion i përjetshëm i shumicës prej ditëve të mia që më ka ndjekur e siç duket do të vazhdojë të më ndjekë për një kohë. Nganjëherë kam përshtypjen se kur kam lindur, më kanë nxjerrë prindërit një biletë të përjetshme në këtë linjë ‘autobusi’. Herë i shaj e herë- herë i falënderoj ata për këtë ‘biletë’ të udhëtimit shpirtëror që shpesh të bën pishman që e posedon e herë- herë të bën të mendosh që nuk ka ‘itinerar’ më të bukur sesa ky.

 

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

“Sistemi” nga Konstantin Stanislavski. Këtij libri i referohem shpesh si në kujtesë e po ashtu dhe në praktikë për t’u kthyer tek baza sa herë që më duket sikur e kam humbur rrugën në profesion.

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Ka ditë kur bëhem më optimist dhe dëshiroj të besoj që kësaj krize mund t’i përgjigjem me kontribut pozitiv përmes asaj që mendoj se di ta bëj më së miri, por ka dhe nga ato ditët e dëshpërimit kur mendoj që sado përpiqem nuk mund të ndryshoj gjë. Në të dyja rastet frymëzohem për ndonjë shfaqje të re teatri, dallon vetëm zhanri. Përgjithësisht, nuk shkruaj statuse apo nuk jap intervista, por përpiqem që ato që kam për t’ua thënë njerëzve në këtë krizë, t’ua them përmes teatrit dhe shfaqjeve dhe dua të besoj deri në fund që dikujt dikur do t’i hyjnë në punë për të mirë, dikë do ta shtyjnë të mendojë e të ndjejë e pse jo ta frymëzojë të bëjë punë të mira.

 

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Nganjëherë kam përshtypjen se kemi ngecur në një vend. Përgjithësisht jemi të izoluar sikur në një pazar ku të gjithë kanë dalë të shesin e askush nuk blen asgjë. Në mbrëmje sikur e hamë vetë mallin tonë të cilin nuk na e bleu askush gjatë gjithë ditës. Sikur nuk kemi treg të mirë për kulturë e art, sepse kërkesë nuk ka e ndoshta edhe s’po dimë ta kultivojmë e ta shesim mirë. Nuk shoh ndonjë dallim të madh mes kulturës dhe bujqësisë. Të njëjtin problem sikur artistët e kanë edhe shitësit e domateve. Seriozisht. Malli që importohet shitet në treg më lirë se ai që kultivohet në vend dhe publiku atë e konsumon, sepse ai është i një cilësie më të mirë... kurse neve perimeshitësve na mbetet të krahasohemi me njëri- tjetrin, t’ia bëjmë qejfin vetes, “domatet e mia janë më të mira se të komshiut” dhe me këtë ndihemi më mirë në mbrëmje, brenda një pazari të vogël të një katundi të harruar.

 

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Ne kemi pakëz tendencë për ta glorifikuar të djeshmen dhe dimë të jemi ëndërrimtarë për të nesërmen, por të sotmen s’e marrim fort seriozisht. Kam përshtypjen se në të sotmen nuk po bëjmë sa duhet për ta ndryshuar gjendjen tonë. Sikur po punojmë përkohësisht me idenë që s’do të jemi gjatë këtu, andaj s’ia vlen të djersitemi fort. Ndonjëherë më duket sikur e djeshmja nuk ka qenë aq e artë sa ç’mund të na duket sot, por di një gjë: që ka ekzistuar në të djeshmen një dashuri dhe një pasion më i madh për kulturën dhe artin, nëse e krahasojmë me sot. Sot po bëhet gjithherë e më vështirë ta hasësh tek njerëzit një dashuri a një pasion për një punë, mbi të gjitha një besim për ta ndryshuar gjendjen për të mirë, përmes veprave të mira. Sot po improvizohet sa për ta kaluar ditën. Rezultatin, kënaqësinë dhe lumturinë po e kërkojmë në bankomat. Kjo fatkeqësisht nuk duket se po mbjell themele të shëndosha për një të nesërme më të ndritshme. Dashtë Zoti ta kem fort gabim.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Piktura: “Ujdhesa e te vdekurve”, nga Arnold Bocklin. Poezia: APO (Tokë me nda nuk kam/ Hasmi në pidh t'samës / Me vdekë duhet mësue /Qençe nuk jetohet ma- Ali Podrimja). Kënga: “Kanga e bilbilit” – Jusuf Gervalla. Filmi: “Berberi i Siberisë” – Nikita Mikhalkov