'Bohemian Rapsody' si inovacion muzikor

Kultura June 11, 2018 - 10:30

Këtë javë në rubrikën javore të gazetës “Zëri” të titulluar “Rrëfej përmes muzikës” të ftuar kemi muzikantin Astrit Stafa. Përmes kësaj rubrike kemi mundësi të mësojmë se cilat janë këngët më të dashura për kitaristin Stafa, që është një nga artistët më të dëshmuar të fushës së vet, kur flasim për skenën muzikore në Kosovë. Nga “Guns n’Roses” e deri te Michael Jackson, ky është rrëfimi muzikor, personal e profesional i Astrit Stafës, shkruan sot gazeta "Zëri".

  1. Guns n' Roses - November Rain

Tek kënga e parë përshtypje të madhe më ka lënë pjesa muzikore duke e përfshi melodinë, aranzhmanin etj. Mirëpo ajo që më zgjonte kureshtje dhe më emociononte ka qenë pjesa e solos së kitaristit Slash, nga i cili unë inspirohesha për të ushtruar më tepër. Por në fund do të thoja që si këngë ka qenë dhe mbetet e jashtëzakonshme. Kjo këngë më kujton veten time si adoleshent dhe i pasionuar pas kitarës.

 

  1. Sting - Fragile

Edhe tek kënga numër dy përshtypje të madhe më ka lënë kompozimi i këngës “Fragile” të cilën kur e kam dëgjuar për herë të parë ka qenë një ndjenjë e cila nuk përshkruhet me fjalë. Kuptohet që rëndësi ka pasur meqë ka qene prezent kitara te kjo këngë mirëpo në një mënyrë tjetër gjë që tek unë ka zgjuar një interesim tjetër për këtë stil të kitarës. Edhe kjo këngë më kujton kohën kur punonim me bend për t’i nxjerr dhe performuar këto këngë të mrekullueshme.

 

  1. Prince - Purple Rain

Tek kënga numër 3 po ashtu prezent ka qenë kitara përsëri në tjetër stil e interpretuar nga Prince. Këngë fantastike me një melodi, një interpretim, harmoni, emocion të jashtëzakonshëm kuptohet si dhe përmbajtja tekstuale etj. Kjo këngë më kujton kohën kur e kam blerë kitarën elektrike të re dhe dëshirën për të eksploruar në fushën muzikore.

 

  1.  Queen -  Bohemian Rapsody

Bohemian Rapsody ka qenë inovacion i kohës duke hap një kapitull të ri në botën muzikore. Kjo këngë më kujton gjëra të bukura e njëra ndër më të rëndësishmet ka qenë pjesa muzikore vokalo-instrumentale të cilën e kishin realizuar grupi “Queen” në mënyrë perfekte. Thjesht kam qenë me fat t’i përkas gjeneratës kur është krijuar muzikë artistike nga artistë të mëdhenj te asaj kohe.

 

  1. Sade - Smoth Operator

Në muzikën e artistes Sade më ka pëlqyer gjithmonë nga mënyra se si  ajo i krijonte këngët e saj, si e zhvillonte melodinë, zëri i ëmbël i Sade të bënte për vete. Ka pas një stil shumë interesant dhe unik. Edhe kjo këngë më kujton kohën kur performojsha në vende të ndryshme me artistë të ndryshëm. Thjesht kujtime të mira, nostalgji.

 

  1. George Benson - Breezin

Eh këtu ka qenë një tjetër kapitull në jetën time kur e kam dëgjuar George Bensonin. Duke e dëgjuar Bensonin unë kisha filluar që të mendoj ndryshe në aspektin muzikor pra shumë më profesional.Kjo këngë më kujton vetën time si një artist i ri në kërkim të gjërave të reja muzikore profesionale.

 

 

  1. Bryan Adams ft. Paco De Lucia - Have You Ever Loved A Woman  

Kjo këngë me kthen pas në kohë më të re edhe pse kuptohet ende jam i ri mirëpo nëse flasim për këtë këngë do të thosha që kjo ka qenë njëra ndër këngët më të veçanta te B.A. duke e pas parasysh që këtu ka interpretuar edhe mjeshtri i madh i kitarës flamenco Paco De Lucia, gjë që e ka ngrit këngën në një nivel tjetër artistik. Pra kuptohet që mua më kanë pëlqyer këngët të cilat kanë pas zhvillim muzikore melodi, interpretim, aranzhman etj.

 

  1. Michael Jackson ft. Slash - Give it to me

Tek kënga numër tetë, pa diskutim më ka pëlqyer natyra e këngës që ka qenë një mix në mes muzikës rok dhe asaj baladë (Rok baladë) pra një gërshetim i dy  zhanreve të ndryshme muzikore si dhe bashkëpunimi i dy artistëve me stile të ndryshme muzikore te cilët krijuan një super këngë të cilën sa herë që e dëgjojë me rrëqeth dhe më kujton kohën kur kam qenë si 13 vjeçar. Kuptohet që  këtu ka qenë interpretim i mrekullueshëm i M.J si dhe Slashit në kitare.

 

  1. Sinead O Conor  Nothing Compare

Këngë e cila më krijonte një ambient shumë të ngrohtë sa herë që e dëgjoja, këngë me melodi të thjeshtë dhe shumë të bukur. Edhe pse mua më tepër më ka interesuar muzika se sa teksti, duhet të themi qe edhe pse ka pasur këngë të bukura në atë kohë tekstet e këngëve kanë pas një përmbajtje me prapavijë sociale pra nuk është kënduar vetëm për dashuri por edhe për pakënaqësi sociale ose për tema të tjera shoqërore.

 

  1. The Beatles - Yesterday

Kjo këngë më kujton kohën kur i dëgjoja “The Beatles” me babain tim tashmë të ndjerë. Më kujton kohën kur mi mësonte akordet e këngës “Yesterday”.

Përndryshe “The Beatles” ka qenë grupi i preferuari babait tim, prof. Enver Stafës i cili në vitet e 60- 70- ta ka pas grupin e tij te njohur “Tornado”. Kuptohet si model i ka pas “The Beatles”.