Kultura

Tetë libra që duhet t’i blini në Panairin e Librit në Prishtinë

Tetë libra që duhet t’i blini në Panairin e Librit në Prishtinë
08 qershor 2018 • 14 : 57

Teksa po vijon në Prishtinë edicioni jubilar, i 20-ti me radhë, i Panairit të Librit ku po prezantohen rreth 1.500 tituj të rinj dhe 5.000 tituj të viteve të fundit, redaksia e kulturës në gazetën “Zëri” ju rekomandon disa tituj librash, të zhanreve dhe për mosha të ndryshme, me të cilët ju mund të pasuroni bibliotekat tuaja.

Përveç titujve që ne kemi zgjedhur sigurisht që nëpër stendat e botueseve kanë mbetur edhe shumë libra të mirë që po prezantohen sivjet në Prishtinë, por ne i kemi përmbledhur sipas kësaj liste që vijon:

“Njëfarë z. Piekielny” - François-Henri Désérable

Kjo listë fillon me librin e mysafirit të nderit të këtij edicioni të Panairit të Librit, shkrimtarit François-Henri Désérable. Ky është roman i kërkimit të një zëri që s’dëgjohet, të një zëri që lutet të dëgjohet. Njëfarë z. Piekielny bëhet shkas për një eksperimentim të madh prej një romancieri të klasit të parë, i cili ia nis një aventure kërkimi prej pothuajse asgjësë, vetëm se dikush në një skaj të kësaj bote, një anonimat i tha një djali të vogël, për të cilin e ëma qe e bindur se do të bëhej shkrimtar i madh, ta mërmëriste dhe emrin e tij në veshin e të mëdhenjve të kësaj bote. Dhe shkrimtari ia plotësoi dëshirën, natyrisht i prekur thellësisht, madje i shtangur prej kësaj kërkese të çuditshme. Dhe vetë shkrimtari i këtij romani, François-Henri Désérable,i tunduar prej parandjenjës së një kumti që përmbante kjo lutje e një njeriu të vogël, i vihet punës për të zbuluar se cili paskësh qenë z. Piekielny, një trillim, apo një njeri real?

Në panairin e Librit në Prishtinë këtë libër e gjeni tek shtëpia botuese “Buzuku”.

Image

“Për dashurinë dhe demonë të tjerë” – Gabriel Garcia Marquez

Nëse këtë panair po kërkoni një roman nga një autor i dëshmuar e i kërkuar në shumë gjuhë të botës atëherë “Për dashurinë dhe demonë të tjerë” nga Marquez është një nga ata që ju duhet.  Ky libër flet për një qytet që mbërthehet nga supersticioni. “Daily Telegraph” e ka cilësuar si një kryevepër e dhembshme, e mprehtë dhe e paharrueshme kurse “The New York Times” si një arritje të shkëlqyer dhe prekëse. Librin e ka përkthyer në shqip Erion Karabolli dhe në Panairin e Librit në Prishtinë e gjeni tek shtëpia botuese “Onufri”.

Image

“Histori përpara gjumit për vajza rebele” –Francesca Cavallo dhe Elena Favilli

Nëse doni një libër edukativ dhe emancipues e mbi të gjitha frymëzues për fëmijët tuaj libri “Histori përpara gjumit për vajza rebele” shkruar nga Francesca Cavallo dhe Elena Favilli është një zgjedhje e mirë. Libri, që është përkthyer nga Engjëllushe Shqarri, prezanton historitë e njëqind grave të jashtëzakonshme të historisë njerëzore. Mesazhi i librit është që t'i rrisim vajzat, por edhe djemtë, me idenë dhe besimin se mund të jenë gjithçka që ëndërrojnë.

Në panairin e Librit në Prishtinë këtë libër e gjeni tek shtëpia botuese “Pema”.

Image

Përkthyesi” – Maks Velo

Kjo përmbledhje me tregime i takon kujtesës historike dhe rrëfen përjetimet e të burgosurve dhe internuarve në Shqipërinë komuniste. Velo sjell personazhe dhe ngjarje nga kujtimet personale të autorit gjatë viteve të dënimit në burgun e Spaçit. Me një burim të pasur dokumentar, Maks Velo arrin të kthejë në fiction, personazhe nga jeta reale, duke përdorur shpesh nota humori për të përshkruar tragjikomedinë e jetëve nën regjimin diktatorial.

 Në panairin e Librit në Prishtinë këtë libër e gjeni tek botimet “UET Press”.

Image

“Historia e vajzës së humbur” – Elena Ferrante

"Historia e vajzës së humbur" është vëllimi i katërt dhe i fundit i "Mikeshës gjeniale", sagës që e ngriti autoren në shkallën e një prej shkrimtareve më të mira në botë. Prandaj “The Guardian” shkruan për këtë sagë: “Kurrë më pare s’është botuar diçka e tillë”. Autorja e librit ishte kandidate për çmimin “Man Booker Prize International 2016”.

Në panairin e Librit në Prishtinë këtë libër e gjeni tek botimet “Pegi”.

Image

“Përtej rrugës në të cilën shkohet” - Scott Pack

Pas suksesit të padiskutueshëm të librit të parë të Scott Peck-ut, “Rruga në të cilën rrallë shkohet”, vjen në shqip libri e dytë i po këtij autori që titullohet “Përtej rrugës në të cilën rrallë shkohet”, që është një vazhdim po aq i mençur dhe po aq i thjeshtë i librit të parë. Vazhdojeni udhëtimin për rritjen tuaj personale dhe shpirtërore me këtë libër të dytë! Në panairin e Librit në Prishtinë këtë libër e gjeni tek shtëpia botuese “Albas”.

Image

“2666” –Roberto Bolano

Ky libër konsiderohet epope e shekullit të XX me qindra personazhe dhe dhjetëra ngjarje brenda ngjarjeve. Një libër që i ngjet kohës së vet. Romani konsiderohet një enciklopedi, me vrull të paparë stilistik, dhe me metafizikë që ecën me shpejtësinë e dritës. Ky është i fundmi dhe maja e gjeneratës së romancierëve të mëdhenj: Proust, Musil, Joyce, Pynchon. Në panairin e Librit në Prishtinë këtë libër e gjeni tek shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe”.

Image

“Babeli” – Jan De Leeuw

Autori i këtij romani është psikolog për fëmijë dhe të rinj. Përmes këtij libri ai do të ju dërgojë në një botë misterioze gjarpërinjsh argjendi, mes librash të shenjtë e letrash Tarot, rojash muskulorë dhe puthjes së parë, forca e shoqërisë duket mister edhe më i madh për Alisën e cila është vajza më e pasur në botë!

Image

© zëri.info