Promovohet libri i akademikut Ennio Stipçeviq

Kultura June 08, 2018 - 10:18

Në kuadër të Panairit të Librit, ku sipas traditës promovohen libra dhe autorë të ndryshëm, shtëpia botuese "Tenda" nga Prishtina, të enjten promovoi librin e arbëreshit Ennio Stipçeviq, "Etyde për dorën e majtë". Në këtë promovim ishte paraparë që të merrte pjesë edhe vetë autori, por për shkaqe shëndetësore nuk mundi të ishte i pranishëm, përkundër që kishte shprehur një dëshirë shumë të madhe që të ishte në Kosovë, mes njerëzve, të cilët e kanë çmuar dhe e kanë dashur babanë e tij, akademikun Aleksandër Stipçeviq, shkruan sot gazeta "Zëri".

Autori i librit, Ennio Stipçeviq, ka thënë për botuesin se këtë libër ia kushton atit të tij Aleksandër Stipçeviq, arkeologut, albanologut, historianit, sociologut dhe bibliotekistit, lindur në Zarë, më 1930 dhe vdekur në Zagreb, më 2015, i bindur se ndër shqiptarët gëzon respekt të madh. Ennio ka thënë se përkthimi në shqip e ka gëzuar shumë, ndaj edhe ka falënderuar përkthyesin Nebih Jashari dhe botuesin Fehmi Cakolli.

Në këtë promovim mungoi edhe akademiku ynë Zeqirja Ballata, i cili duhej të fliste për këtë libër që më shumë i takon sferës muzikore. Megjithatë promovimi u bë në një ambient me pak zhurmë, por ku ishin të pranishëm dashamirë të librit, veçmas të atyre që dinë t'i dallojnë vlerat.

Në emër të botuesit, përkatësisht shtëpisë botuese "Tenda", foli dr. Femi Cakolli, i cili e vlerësoi këtë libër si një kontribut të veçantë jo vetëm në kuadër të 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, por në përgjithësi për kulturën tonë. Ai me këtë rast falënderoi përkthyesin e librit, Nebih Jaharin, i cili ka pasur vullnetin e mirë që ta sjell në shqip këtë vepër të rrallë dhe kaq të rëndësishme të arbëreshit Ennio Stipçeviq.

Një fjalë për këtë libër mbajti edhe publicisti dhe shkrimtari Bardh Frangu, i cili ndër të tjera tha: "Ky është një libër vërtet i rëndësishëm, ku ndër të tjera bëhet fjalë edhe për operën "Scanderbeg" të Vivaldit, prandaj si i tillë botimi i këtij libri përkon me 550 vjetorin e vdekjes së kryetrimit tonë Gjergj Kastriotit, vit ky që andej e këndej kufirit shqiptar është shpallur si vit i kryetrimit" Frangu konstatoi se 

Në tekstin ku flet për operën "Scanderbeg", të Vivaldit, Stipçeviq përmend faktin se për këtë operë ka dëgjuar para 15 vjetësh, ndërsa po përfundonte studimet në Akademinë Muzikore në Zagreb. "Me rastin e një vizite të albanologut dhe mikut të shtëpisë sonë, Vinko Malaj, që i bëri babait tim, ma dhuroi një ekstrakt nga studimi i tij, në të cilin shkurtimisht, kishte përshkruar, deri atëherë fragmentet e panjohura të operës së Vivaldit. Disa vite më vonë e botova një studim më të gjerë në një revistë të specializuar italiane, duke kontribuar që opera "Scanderbeg" definitivisht të përfshihet në begatinë referente ndërkombëtare të Vivaldit", shkruan Stipçeviq.

Libri "Etyde për dorën e majtë", i arbëreshit Ennio Stipçeviq, është një përmbledhje e 26 eseve, studimeve, kërkimeve, fejtoneve të botuara në gjuhën kroate nëpër gazeta e revista dhe pastaj të grumbulluara në një botim special, në vitin 2000. Duhet theksuar se shumica e këtyre teksteve janë punuar pas zbulimeve arkivore që autori i ka bërë në Itali dhe në Kroaci dhe si të tilla këto tekste përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme për fushën e muzikës dhe të kulturologjisë në përgjithësi, ka vlerësuar Frangu.

Një fjalë ka mbajtur edhe përkthyesi i librit, Nebih Jashari, i cili me këtë rast ka evokuar faktin kur për herë të parë është ndeshur me këtë libër. "Ishte viti 2002 kur po qëndroja për herë të parë në Kroacinë e lirë, kur në Zagreb më rastisi ta gjej këtë libër të mrekullueshëm.", ka thënë Jashari, i cili pastaj ka përmendur edhe vështirësitë në përkthim, të cilat më shumë kishin të bënin me terminologjinë. Jashari ka thënë e kur e ka lexuar këtë libër, sikur e ka ndje obligim që t'ua mundësoi edhe lexuesve në gjuhën shqipe që ta kenë në dorë. Zëri