Fryma skenderbegiane ndihet edhe pas 550 vitesh

Kultura June 08, 2018 - 10:11

Të enjten nën padronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fakultetit të Edukimit si dhe Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, në kuadër të aktiviteteve që po mbahen me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, u organizua manifestimi “Ditët e Skënderbeut” në Fakultetin e Edukimit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Me këtë rast u vlerësua lartë figura e heroit kombëtar Gjegj Kastrioti-Skënderbeu, i cili nga të pranishmit u konsiderua simbol i bashkimit kombëtar dhe burrështetas model për të gjithë.

Kujtim Gashi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit foli rreth historisë dhe studimit të ngjarjeve duke theksuar se duhet ta njohim të kaluarën për të mos bërë gabime në të ardhmen, dhe se e kaluara jonë karakterizohet nga katër ngjarje shumë të rëndësishme.

“Historia e jonë kombëtare, në djepin e të cilës u lindë krenaria, pavarësia e

kombit, në veçanti i njeh katër data fatbardha: vitin 1444 kur Gjergj Kastrioti mblodhi në Lezhë Kuvendin e prijësve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, vitin 1878, katërqind vjet pas , kur në Prizrenin historik, Abdyl Frashëri tuboi krerët e mbarë Shqipërisë, vitin 1912 kur lindi shteti shqiptar, Shqipëria dhe vitin 2008, kur u shpall shteti i pavarur i Republikës së Kosovës”, ka thënë ministri Gashi.

Ai po ashtu shtoi se duke filluar nga koha e Skënderbeut historia e popullit shqiptarë ka qenë histori e mbijetesës dhe lutave për identitet kombëtar.

 “Kështu rrodhi historia e jonë kombëtare, sikur lumi i madh i epokave që rrjedh pa u ndalur, pra, nga Epoka skenderbegiane, deri te Epoka e UÇK-së së lavdishme me kryekomandantin Adem Jasharin”, ka thënë ai.

Në fund të fjalës së tij ministri Kujtim Gashi foli për rrugët e integrimeve euro-atlantike.

“Ne, pasardhësit e Gjergj Kastriotit, Ismail Qemalit, Nënë Terezës, Adem Jasharit, jemi përballë thirrjeve të qytetërimeve të reja. Sërish, me emblemën skenderbegiane, po trokasim në portat e Evropës së Bashkuar, në djepin e kulturës, aty ku janë gjurmët, rrënjët tona, qytetërimi dhe historia  shqiptare”, ka përfunduar ministri Gashi.

Figurën e heroit Skënderbeu e vlerësoi lartë edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema i cili tha se Skënderbeu ishte një figurë e rrallë, i cili arriti t’i bashkojë të gjitha fiset shqiptare për çlirimin e vendit, dhe se tani misioni i universitetit është që të vazhdoj me kultivimin e frymës skënderbegiane.

“Skënderbeu ishte figurë e rrallë, i cili me lidershipin e tij arriti që të gjitha fiset shqiptare t’i bashkojë në rrugëtimin e tij, drejt çlirimit të vendit nga sundimi otoman. Në këto ditë para shumë sfidave UP po rikujton veprën e tij duke na sjellë në mend të gjithëve forcën e popullit tonë dhe mundësinë për triumfin e së mirës. Ne më tepër se dy vite të këtij menaxhmenti kemi tentuar që frymën skënderbegiane ta jetësojmë, duke vendosur interesin e përgjithshëm para çdo interesi personal, mu ashtu siç veproi heroi ynë Skënderbeu. Kur UP të jetë mirë, sigurisht që tërë Kosova do të jetë mirë”, ka thënë rektori Dema.

Ndërkaq sipas ish-presidentit të Republikës së Kosovës  Fatmir Sejdiut, figura e Skënderbeut është dhe do të mbetet shembull unik i frymës së bashkimit.

“Për ne si popull, pavarësisht se ku jemi, në gjithë rrjedhat e rënda të historisë, figura e Skënderbeut ka qenë dhe mbetet shembulli më unikal i frymës së bashkimit të të gjithëve. Me një qëllim të vetëm se shqiptarët si dhe popujt tjerë, të kenë lirinë e vet. Ishte njeriu që karshi sfidave të mëdha që kishte dhe kohëve te renda, posaçërisht të përballjes me një perandori të fuqishme që kishte miliona km të nënshtruara, të gjejë forcë, guxim, energji që të arrijë pikërisht zenitin kulmor të përballjes më të suksesshme të kohës. Skënderbeu ishte burrështetas që diti rreth vetës t’i tubojë njerëzit e dijës. Asnjë burrështetas nuk mund të qëndrojë, nëse nuk ka rreth vetës njerëz të dijës që dinë thellësisht, dhe të shpjegojnë dhe të japin vizion për ecje të mëtejshme”  ka thënë Sejdiu.

Sejdiu tutje tha që duhet të investohet dhe të punohet më shumë për historinë e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, sepse ai është i papërsëritshëm.

“Skënderbeu mbetet edhe pas vdekjes së tij si një inspirim për të gjithë edhe për poetët, edhe për kallëzime të shumta, unë dëshiroj t'i inkurajoj të gjithë edhe fakultetin, edhe Ministrinë e arsimit dhe atë të Kulturës që të bëjnë shumë sepse pikërisht në te gjithë atë qe lidhet në shkrimet e miqve, armiqve, detarëve ka diçka të përbashkët, Skënderbeu është i papërsëritshëm” ka thënë ai.

Ky manifestim u mbajt në kuadër të “Vitit kulturor të Skënderbeut”, në vazhdën e aktiviteteve që po mbahen për këtë përvjetor të rëndësishëm të heroit kombëtar. Zëri