Panairi i Librit me shumë vizitorë

Kultura June 07, 2018 - 10:25

Po vijon më Prishtinë edicioni i 20-të i Panairit të Librit që u hap të martën. Kjo ngjarje kulturore ka marrë vëmendjen e dashamirëve të fjalës së shkruar qysh në fillim. Organizatorët janë të kënaqur me numrin e vizitorëve që ky panair po tërheqë edhe pse nuk kanë ndonjë shifër të saktë se sa mbërrin numri i vizitorëve brenda një ditë, shkruan zeri.info.

Në konferencën e parë për media, Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, tha se ky panair po i plotëson kërkesat e komunitetit.

“Ne e patëm një hapje standarde e këtij panairi. Pritjet tona po plotësohen për këtë edicion. Dita e parë pas hapjes së Panairit të Librit po shkon shumë mirë. Ka shumë vizitorë. Secili prej gazetarëve mund ta fitojë përshtypjen e parë më një vizitë. Ne nuk kemi numra të saktë për t’ju dhënë sa i përket vizitorëve por përgjithësisht mund të themi se vizitorë ka edhe çdo gjë po shkon ashtu siç e kemi planifikuar. Shpresojmë që kështu të vazhdojë dhe të jetë një nga edicionet më të suksesshme. Është i 20 me radhë dhe duhet të jetë më i miri”, përfundoi Demaku.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Botuesve të Kosovës prurjet e këtij panairi po i plotësojnë kërkesat e lexuesve. Ai përmendi praninë e titujve si dhe kompletet e ndryshme të librave që Panairi i Librit po i ofron për të interesuarit.

“Industria e librit po përparon. Si dizajn, si teknikë e përkthimit e si redakturë. Në këtë edicion kemi komplete të autorëve të mëdhenj prej Frojdit, Frommit, Rumit e deri te kompleti i Oshos që po vazhdon të plotësohet. Ky panair po prezanton një ofertë serioze dhe të plotë. Secili prej botuesve po përpiqet t’i plotësojë gjithë ato mungesa dhe komunitetit të librit nuk e di se çfarë po i mungon si ofertë”, theksoi Demaku.

Në anën tjetër, koordinatori i Panairit të Librit, Besian Zeneli, në këtë konferencë për media konfirmoi se meqë ky është një edicion jubilar përveç çmimeve vjetore që jepen në çdo edicion sivjet juria e panairit do të ndajë edhe disa nderime për personalitetet që kanë dhënë kontribut për këtë panair.

“Ngjarja kulmore për 20-vjetorin e Panairit të Librit është darka tradicionale e panairit, ku ndahen çmimet vjetore. Kjo darkë do të jetë më 8 qershor. Aty janë paraparë të jepen edhe disa nderime për gjithë ata që kanë qenë pjesë e Panairit të Librit në Prishtinë që nga fillimi. Meqë është një edicion jubilar, është e rrugës që ata që na ndihmuan që nga edicioni i parë në vjeshtën e vitit 1999 e deri sot, në shtegtimin e këtij panairi, sado pak të nderohet dhe respektohet ndihma e tyre për të arritur deri sot ku jemi”, tregoi Zeneli.

Në këtë darkë sipas vlerësimit të jurisë do të vlerësohen edhe librat më të mirë në prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar dhe projektin kapital.

Më 7 qershor do të shpallen gjithashtu edhe Shkrimtari i Vitit në Letërsinë Shqipe, Shkrimtari i Vitit në Letërsinë e Huaj dhe stenda më e vizituar

Gjatë këtij edicioni po mbahen edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare: 550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 300-vjetori i lindjes së Teodor Kavaliotit, 200-vjetori i lindjes së Zef Jubanit, 100-vjetori i lindjes së Tajar Hatipit, 100-vjetori i lindjes së Vorea Ujkos, 100-vjetori i lindjes së Spiro Çomorës dhe 100-vjetori i lindjes së Pashko Gjeçit.

Në anën tjetër sa i përket letërsisë botërore do të shënohen: 200-vjetori i lindjes së Turgenjevit, 100-vjetori i lindjes së Moris Dryonit dhe 100-vjetori i lindjes së Solzhenicinit.

Panairi do të jetë i hapur çdo ditë gjatë kësaj jave nga ora 09.00-20.00, ndërsa hyrja për vizitorë është falas.

Në këtë panair, që ka zënë vend në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj që po prezantohen sillet rreth 1500, kurse numri i titujve të viteve të fundit rreth 5000. Zëri