Nis edicioni jubilar i Panairit të Librit

Kultura June 06, 2018 - 10:56

 

Me afërsisht 1.500 tituj të rinj ka hapur dyert në Prishtinë Panairi i Librit. Ngjarja më e rëndësishme në vend që i dedikohet librit po shënon sivjet edicionin e 20-të. Edhe ky edicion jubilar, siç është traditë, u hap të martën e parë të qershorit më datën 5 dhe do të qëndrojë i hapur për vizitorë deri të dielën, më 10 qershor, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në këtë panair, që ka zënë vend në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj që po prezantohen sillet rreth 1500, kurse numri i titujve të viteve të fundit rreth 5000.

Në ceremoninë e hapjes së panairit Daut Demaku, drejtor i Shoqatës së Botuesve që organizon këtë ngjarje, tha se si organizatorë janë krenarë që kanë arritur t’i organizojnë këto 20 edicione. “Më kujtohet sikur sot edicioni i parë i Panairit të Librit, në vitin e shpresave të mëdha, në vjeshtën e vitit 1999 kur organizuam panairin e parë. Në Kosovën e djegur e të rrënuar kur plagët e luftës kullonin gjak, mu këtu, në sallën poshtë këtij Pallati, me vullnet të pazakonshëm e entuziazëm të adoleshencës, pa kurrfarë kushtesh e organizuam panairin e parë në Prishtinë”, kujtoi Demaku në hapjen e këtij edicioni jubilar. Ai tha se asokohe kushtet elementare mungonin, por ishte ideali ai që i shtyri përpara ta organizojnë e ta rrisin këtë panair, duke e pasuruar çdo edicion.

Në fjalën e tij të rastit Demaku falënderoi disa botues kosovarë, të cilët i krahasoi me veteranët e luftës për kontributin në fushën e librit. “Në këtë edicion festiv e kam detyrë morale t’i përmend tri familje në Prishtinë me emër e mbiemër, që jetojnë me librin e prej librit dhe që ia kanë kushtuar jetën librit. Është botuesi i parë privat në Kosovë ‘Buzuku’, pra Abdullah Zeneli me gjithë familjen, është botuesi me përvojën më të gjatë shkrimtari i njohur Nazmi Rrahmani, si dhe familja e Rexhai Surroit, shkrimtarit të pavdekshëm, Vetoni e Flaka me kompaninë ‘Koha Grup’. I di rastet konkrete kur këta botues kanë marrë edhe kredi me kamata të larta për të botuar ndonjë libër të mirë. Zotërinj të nderuar, ashtu siç janë veteranët e luftës, edhe në fushën e botimit kemi veteranë të sinqertë”, tha Demaku, duke shtuar se Qeveria e Kosovës duhet t’i nderojë e t’i shpërblejë këta kontribuues.

Në anën tjetër në hapjen e këtij edicioni kryeministri Haradinaj u zotua se së shpejti do të funksionalizohet ligji, i cili lehtëson punën e botuesve. “Nga Qeveria e Kosovës jemi të vendosur që të përkrahim botimin dhe shpërndarjen e librit me lehtësimin përmes zero TVSH-së dhe me zbatimin e ligjit që do ta garantojë këtë”, premtoi Haradinaj.

Kryeministri bëri thirrje që të kultivohet shprehia e leximit. “Kështu do të jemi më të zotë për çdo gjë që bëjmë në jetë”, përfundoi Haradinaj.

Image

Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, vlerësoi punën e palodhshme të organizatorëve të Panairit të Librit dhe të botuesve përgjithësisht. “Është kënaqësi të jem në mesin e ushtarëve të librit. Unë si kryetar Komune e di çfarë heqin Daut Demaku e Abdullah Zeneli për të organizuar këtë panair. E di që trokasin në çdo derë për ta mbajtur këtë panair gjallë dhe t’ia ofrojnë lexuesit një mundësi t’i shohin këta libra që këta shkrimtarë i sjellin çdo vit për ne. Këta janë ushtarë të librit që sot e bëjnë një nga luftërat më të mëdha, duke e luftuar dembelinë, përtacinë dhe teknologjinë duke na kthyer te ajo që është e vërteta, hulumtimi, shkrimi e leximi i një libri. Unë vetëm mund të përulem para juve për këtë 20-vjetor”, theksoi Ahmeti.

Në këtë edicion të panairit do të ketë edhe një varg aktivitetesh, të cilat përkojnë me përvjetorë të mëdhenj të personaliteteve letrare shqiptare: 550-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, 300-vjetori i lindjes së Teodor Kavaliotit, 200-vjetori i lindjes së Zef Jubanit, 100-vjetori i lindjes së Tajar Hatipit, 100-vjetori i lindjes së Vorea Ujkos, 100-vjetori i lindjes së Spiro Çomorës dhe 100-vjetori i lindjes së Pashko Gjeçit.

Në anën tjetër sa i përket letërsisë botërore do të shënohen: 200-vjetori i lindjes së Turgenjevit, 100-vjetori i lindjes së Moris Dryonit dhe 100-vjetori i lindjes së Solzhenicinit.

Të gjitha këto personalitete do të kujtohen në kuadër të përurimeve, të debateve dhe të aktiviteteve të tjera në ditët e panairit. Si çdo vit, me përurime, debate, paraqitje e dedikime në kuadër të Panairit të Librit organizohen rreth 50 aktivitete.

SHBK-ja po ashtu ka paraparë darkën solemne më 7 qershor në hotel “Prishtina”, ku do të nderohen me Trofeun e Panairit, sipas vlerësimit të jurisë librat më të mirë në: prozë, poezi, kritikë/studime letrare/eseistikë/publicistikë, përkthim letrar dhe projektin kapital.

Më 7 qershor do të shpallen gjithashtu edhe: Shkrimtari i Vitit në Letërsinë Shqipe, Shkrimtari i Vitit në Letërsinë e Huaj dhe stenda më e vizituar.

Panairi do të jetë i hapur çdo ditë gjatë kësaj jave nga ora 09.00-20.00, ndërsa hyrja për vizitorë është falas. Zëri