U hap Panairi i Librit në Prishtinë

Kultura June 05, 2018 - 18:18
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ka nisur pasditen e kësaj së marte edicioni i 20-të i Panairit të Librit që do të mbahet në Prishtinës mes datave 05-10 qershor, shkruan zeri.info.

Në këtë panair, që ka zënë vend në Pallatin e Rinisë, po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj që po prezantohen sillet rreth 1500 kurse numri i titujve të viteve të fundit rreth 5000.

Në ceremoninë e hapjes së panairit, Daut Demaku, kryetar i Shoqatës së Botuesve që organizon këtë ngjarje, tha se si organizatorë janë krenarë që kjo ngjarje po shënon edicionin e 20-të.

"Ne ShBK jemi shumë krenarë që arritëm të organizojmë 20 edicione të librit në Prishtinë. Kjo është ngjarja më e madhe kulturore në vend. Më kujtohet sikur sot kur organizuam panairin e parë në vitin 1999 në Kosovën e djegur", tha Demaku duke theksuar vullnetin e hekurt që kishin atë kohë.

Demaku tutje kërkoi qe botuesit që kanë kontribuar prej vitesh në Kosovë të vlerësohen nga shteti.

"Roli i tyre është si i veteranëve", tha ai.

Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj në këtë ceremoni premtoi se së shpejti do të fuqizohet ligji që u lehtëson punën botuesve.

"Nga Qeveria jemi të vendosur që të përkrahim botimin e shpërndarjen e librave me lehtësime që i parasheh ligji", theksoi Haradinaj.

Ai bëri thirrje që lidhja me librin të vazhdohet.

"Ai që lexon është fitimtar", theksoi Haradinaj.

Panairi do të jetë i hapur çdo ditë gjatë kësaj jave nga ora 09.00-20.00 ndërsa hyrja për vizitorë është falas. /Zëri

Image 
Image 
Image 
Image 
Image