Shqipja e shkruar dhe shkruesit

Kultura June 02, 2018 - 15:28

Gati çdo ditë lexoj këtu në facebook protesta me ”shkrim” të lartë dhe tallje për ngatërrimin e "ç" me "q".

Ooo ç’u kënaqëm, me lot!

Tallja ka sigurisht motive sociolinguistike, gabimet në shqiptim të transferuara në shkrim na kujtojnë të folura të caktuara, që për një arsye a një tjetër, i nënçmojmë. Shkodrani shkruan ”u bafsh 100 vjeq tamarrsha!”, pejani ”qika e babës”. Ka edhe tallje të tjera, kuptohet, ky forum nuk është modeli i drejtshkrimit të shqipes.

Dhe njerëzit, si gjithmonë, kanë nevojë të distancohen nga disa grupe: unë tallem me të tjerët për të treguar se unë jam më i mirë se ata.

Por njerëzit e thjeshtë shkruajnë siç shqiptojnë këtu, një regjistër i ri: e folura e shkruar, shqipja popullore. Alarmante bëhet gjendja nëse nuk lexojmë tjetër përveç këtij forumi. Sepse atëherë na zhduket vetëdija e rregullave të gjuhës së shkruar. E folura e shkruar nuk e shkatërron gjuhën e shkruar, leximi pamjaftueshëm i të shkolluarve e shkatërron atë. Gabimet dialektore nuk e shkatërrojnë gjuhën e shkruar, leximi pamjaftueshëm i të shkolluarve e shkatërron atë. 

A e dini ku e dalloj unë leximin e pamjaftueshëm? Në përdorimin e trajtave të bashkuara, sepse ato janë një fenomen tipik i gjuhës së shkruar. Kur gazetarët, shkrimtarët, shkencëtarët, politikanët, përkthyesit, i shkruajnë format e përbëra me apostrof dhe format e përngjitura bashkë! Ooo ç’u kënaqëm, me lot nga halli. ”ta” shkruhet pa apostrof, sepse është formë e përbërë e krijuar nga bashkimi i të+e: ta marrsha të keqen! ”t’i” dhe ”t’u” shkruhen me apostrof, sepse janë forma të përngjitura, të krijuara nga rënia e ë-së në bashkimin të+i dhe të+u: t’i hangsha sytë. T’u bëftë nëna kurban! (e di, e di, këto shembuj çalojnë, sepse tek "t’i" kemi një trajtë të shkurtër të bashkuar dhe tek "t’u" kemi të+u bëfsha, por sa për të qeshur.
Ti nuk e rrezikon shqipen e shkruar nëse shkruan ”gjysh, t’u preftë shpirti në paqe!” edhe pse shkakton qeshje në sallë. Të gjithë e kuptojmë se po transferon shqiptimin e fjalës në shkrim.

Ti e rrezikon shqipen e shkruar kur shkruan “tu prehtë shpirti në paqe”, sepse shkruhet “t’u” dhe, nëse je e/i shkolluar, njerëzit e thjeshtë do të ndjekin shembullin tënd. Ti ndoshta tani thua, hë se nuk u bë nami, më problem e kemi përdorimin e trajtave dialektore.

Jo pra, dialektet nuk e rrezikojnë gjuhën e shkruar. Çdo gjuhë e shkruar e ka ose e ka pasur burimin në një gjuhë të folur. Por çdo gjuhë e shkruar mbahet për rregulla drejtshkrimi që mësohen në shkollë dhe kultivohen duke lexuar gjatë gjithë jetës. Prandaj shkrimi i së folurës nga njerëzit e thjeshtë nuk e rrezikon gjuhën e shkruar, mosmësimi i rregullave nga shkruesit e shkolluar e rrezikon atë.

Është ky një reagim i autores në profilin e saj në FB.