Rrugëtimi jetësor i Rugovës përmes një ekspozitë

Kultura May 25, 2018 - 10:15

Fotografia e buzëqeshur e ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugovës qëndron në mes, kurse në krahun e saj të majtë është vendosur një kostum tradicional rugovas, ndërsa në të djathtin njëri nga kostumet elegante të presidentit, të cilit s’ka si t’i mungojë simboli i tij, shalli.

Kjo është pamja e vendosur në ballë të hyrjes së ekspozitës, që ka zënë vend në Muzeun e Kosovës e që titullohet “Kontributi i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës”, me bashkautor Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kjo ekspozitë hapi dyert për publikun të enjten, më 24 maj, në Ditën e Presidentit të Kosovës. Drejtori i Muzeut të Kosovës Skënder Boshtrakaj duke e hapur ekspozitën për publikun falënderoi të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre që kjo ekspozitë të jetë sa më përmbajtjesore.

“Para kësaj audience të nderuar dua t’i falënderoj institucionet e organizatat që ndihmuan në organizimin e kësaj ekspozite. Kontribuues të shumtë që ndihmuan në ofrimin e materialeve dokumentare për përgatitjen e kësaj ekspozite dhe në mënyrë të veçantë autorët e kësaj ekspozite, Sadik Krasniqi dhe Besnik Rraci”, theksoi Boshtrakaj.

Ai bëri të ditur se ekspozita do të qëndrojë e hapur gjithë verën, duke u dhënë kështu mundësi të gjithë bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit ta vizitojnë me rastin e pushimeve në Kosovë.

Ekspozita “Kontributi i presidentit historik dr. Ibrahim Rugova në shtetformimin e Kosovës” tregon rrugëtimin jetësor të ish-presidentit që nga angazhimet e tij të para në sferën publike, angazhimi për sovranitet, lëvizjet politike, vizitat te miqtë e pritjet e tyre e deri te kërkesat e panumërta për pavarësi të Kosovës.

Fotografi, një stilolaps me të cilin ka shkruar ai, suvenire, letra, dokumente e piktura përmban kjo ekspozitë. Secili eksponat flet për një aktivitet të tij. Aty ka zënë vend edhe plisi i bardhë, me të cilin Rugova paraqitej në fushata zgjedhore, edhe dhuratat e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, edhe gurët e çmuar të Rugovës.

Krahas fotografive që dominojnë pjesën më të madhe të ekspozitës, vend i veçantë i është kushtuar edhe shtypit të kohës. Në këtë ekspozitë janë pasqyruar disa nga shkrimet e gazetave të asaj kohe për aktivitetet e Rugovës atëkohë.

Në fund të kësaj ekspozite përmes videos jepen edhe me pamje homazhet dhe ceremonia e varrimit të presidentit Rugova në vitin 2006, kur iu dha lamtumira e fundit. Ekspozita përmbyllet me fotografinë e shtatores së Rugovës, që është e vendosur tash e sa kohë në qendër të Prishtinës si dëshmi se ai është pjesë e rëndësishme e historisë së re të Kosovës.

Në hapje të kësaj ekspozite presidenti Thaçi tha se kushdo që do ta vizitojë këtë ekspozitë do të ketë mundësinë që të bëjë një kthim apo një udhëtim në kohë të viteve të rënda dhe tragjike të vendit, të cilat pashmangshëm lidhen edhe me emrin e presidentit Rugova.

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës, sipas presidentit Thaçi, si në dimensionin politik, ashtu dhe në atë ushtarak bëri bashkë politikanë, intelektualë, ushtarakë, gra dhe burra, pleq dhe të rinj me një qëllim të vetëm.

“Këtij populli liridashës dhe kryengritës, i cili ka qenë dhe mbetet populli më proamerikan dhe më properëndimor në këto anë të Evropës, t’i jepet e drejta për të qenë i lirë dhe për të pasur shtetin e vet”, u shpreh presidenti Thaçi.

Para anëtarëve të familjes Rugova dhe përfaqësuesve të tjerë shtetërorë presidenti Thaçi ka thënë se Pavarësia e Kosovës nuk erdhi si incident apo aksident politik, por u fitua me vetëmohim dhe me sakrificë të pashoqe. Ai ka shtuar se mosbindja civile kundër Serbisë ishte monumentale në lëvizjen politike botërore, derisa UÇK-ja ishte lëvizja çlirimtare me e suksesshme politike dhe ushtarake në historinë botërore.

“Kombinimi i këtyre dy komponentëve të lëvizjes kombëtare nuk kishte si të mos rezultonte me unitetin qytetar, me përkrahjen masive ndërkombëtare për të kulmuar me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi presidenti Thaçi.

Para hapjes së ekspozitës presidenti Thaçi priti gruan dhe fëmijët e ish-presidentit Ibrahim Rugova në zyrat e tij, ku ka dorëzuar edhe medaljen presidenciale të 10-vjetorit të Pavarësisë për presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

“Medalja Presidenciale për 10-vjetorin e Pavarësisë i jepet presidentit Ibrahim Rugova për kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi kur ia dorëzoi medaljen gruas së presidentin Ibrahim Rugova.

Data 24 maj është veçuar si Dita e Presidentit të Kosovës, sepse me këtë datë Kosova kishte mbajtur zgjedhjet e para në vitin 1992, ku Rugova ishte zgjedhur president me shumicë dërmuese të votave. Zëri