Lankschi laurat i takimeve 'Azem Shkreli'

Kultura May 24, 2018 - 14:24

Studiuesi e përkthyesi Hans-Joachim Lanksch është laureat i Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli” për vitin 2018. Ai u shpërblye të enjten, në mbyllje të këtyre takimeve, shkruan zeri.info.

Arsyetimin për ndarjen e këtij çmimi e dha për publikun shkrimtari dhe studiuesi Ndue Ukaj. Ai tha ndër të tjera se Lankschi i ka kontribuar letërsisë shqipe duke përkthyer nga shqipja në gjermanisht autorët më të rëndësishëm te letërsisë sonë, ndër ta edhe poetin Azem Shkreli. Ukaj e vlerësoi atë si ambasador të kulturës dhe letërsisë shqipe në botë.

Çmimin Lankschi e pranoi nga nënkryetari i Komunës së Pejës, Shkumbin Gashi. Ai pasi falënderoi organizatorët tha se ndihet i nderuar që si i huaj që është po vlerësohet për kontributin e dhënë për letërsinë shqipe.

“Dua të ju flas në gjuhen e ëmbël të Kosovës. Azemin e kisha mik. Sa herë që vinte në Gjermani takohesha me të. Nuk jam shqiptar, prandaj gëzohem që nderohem si i huaj për kontributin që kam dhënë për letërsinë shqipe. Çmimin e kuptoj si dëmshpërblim për të gjitha ato sharje që më janë bërë. Kjo mbase më vjen edhe si ngushëllim”, u shpreh ai.

Sivjet në Pejë u mbajt edicioni i 16-të me radhë i Takimeve Ndërkombëtare Letrare “Azem Shkreli”. Zëri