Festivali 'Mirëdita -Dobar Dan' hapet me filmin “Martesa”

Kultura May 24, 2018 - 11:00

Edicioni i pestë i festivalit “Mirëdita- Dobar Dan” do të nisë më 30 maj në Beograd. Festivali “Mirëdita- Dobar Dan!” 2018 do të hapet zyrtarisht me shfaqjen e filmit “Martesa”, me regji të Blerta Zeqirit, fitues i çmimeve “Critics” dhe “Special Jury Prizes” në Tallinn Black Nights Film Festival, shkruan sot gazeta "Zëri".

Në të njëjtën ditë, në Qendrën për Dekontaminim Kulturor do të prezantohet ekspozita e karikaturistëve nga Kosova dhe Serbia Murat Ahmeti e Mentor Llapashtica dhe Predrag Koraksic Corax, e realizuar në kuadër të projektit “Ura -  Dialogu Civil Prishtinë-Beograd”.

Gjatë ditëve tjera të festivalit, vizitorët do të kenë mundësi të jenë pjesë e kulturës kosovare përmes muzikës, nën performancën e pesë artisteve të talentuara të Ansamblit “Zánat”, instilacionin me fotografi të Eliza Hoxhës, të titulluar “Midis ëndrrës dhe realitetit”, i cili do të prezantohet për adhuruesit e artit pamor dhe kontemporan.

Përderisa shfaqja teatrore “Copë – Copë”, me regji të Zana Hoxha Krasniqit, do të ilustrojë një vështrim më të thellë të procesit të kujtimeve dhe transformimit të dhimbjes.

Këtë vit debati do të fokusohet në eksplorimin e marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës, me temën “Kosova – Serbia: Kush jemi ne për njëri tjetrin?”

“Kjo është një mundësi unike për të prezantuar skenën artistike dhe kulturore të Kosovës për audiencën e Beogradit. Duke i prezantuar publikut performanca të ndryshme, që përfaqësojnë skenën kulture artistike moderne të Kosovës, festivali ka për qëllim të iniciojë ndryshime kulturore dhe sociale në Kosovë dhe Serbi. Festivali mëton që të krijojë një traditë bashkëpunimi përmes artit, e cila do të kontribuojë në normalizimin e përhershëm të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Ngjashëm me vitet e kaluara, vizitorët do të kenë mundësinë të mësojnë më shumë rreth skenës kulturore të Kosovës, përmes performancave muzikore, filmave, koncerteve dhe ekspozitave. Përveç kësaj, një pjesë e festivalit i dedikohet debateve dhe diskutimeve mbi të kaluarën dhe të ardhmen e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe rëndësisë së bashkëpunimit dhe rrjetëzimit mes dy shoqërive”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

Festivali “Mirëdita- Dobar Dan!” do të jetë prezent në lokacione të ndryshme në Beograd dhe hyrja në të gjitha ngjarjet do të jetë si në vitet e mëparshme- falas.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë) dhe Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi). Zëri