Ahmeti pritet të japë përkrahje shtesë për Panairin e Librit

Kultura May 23, 2018 - 10:30

Shuma prej 1.500 eurosh, më të cilën Komuna e Prishtinës vendosi të subvencionojë organizimin e Panairit të Librit në Prishtinës ishte, e papranueshme për organizatorët e kësaj ngjarje, e cila sivjet shënon edicionin e 20-të, shkruan sot gazeta "Zëri".

Shoqata e Botuesve të Kosovës ka dorëzuar në Komunën e Prishtinës një ankesë përmes së cilës kanë kërkuar që kjo përkrahje të rritet në mënyrë që organizimi të jetë më i dinjitetshëm.

Disa burime i kanë thënë gazetës “Zëri” se kjo ankesë ka rezultuar e suksesshme dhe se pritet që së shpejti Zyra e Kryetarit të Komunës së Prishtinës të ofrojë përkrahje shtesë për organizimin e kësaj ngjarje.

I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, Yll Rugova, drejtor për Kulturë, Rini e Sport, tha se librarët do të marrin përgjigje së shpejti dhe se një gjë e tillë mund të ndodhë.

Rugova tha për “Zërin” se ka vullnet nga Zyra e Kryetarit të Komunës së Prishtinës që të plotësohet përkrahja për organizimin e kësaj ngjarjeje tradicionale që i dedikohet librit.

“Kryetari Ahmeti ka shprehur vullnetin që të plotësojë mbështetjen për subvencionim të propozuar nga Komisioni për Vlerësimin e Subvencioneve sa i përket Panairit të Librit. Dhe besoj që edhe për këtë do të dalim me një shumë të saktë sa më parë. Gjithsesi Komuna e Prishtinës e vlerëson kontributin që ky panair i ka dhënë Prishtinës, veçanërisht librit jo vetëm në Prishtinë, por në gjithë Kosovën. Andaj edhe jemi të lumtur që një organizim i tillë feston 20 vjetorin e vetë”, tha Rugova.

Sipas tij, së shpejti librarët do të marrin përgjigje për ankesën e tyre.

“Sipas rregullores për subvencione të vënë në dispozicion nga Ministria e Financave ne jemi të obliguar që ankesat t’i adresojmë përmes Komisionit për Ankesa. Tashmë vetëm presim vendimin e kryetarit për këtë Komision dhe do të nisë menjëherë puna. Kështu që shpejt do të kthehet përgjigja tek të gjitha palët sipas procedurave të parapara në rregullore”, tregoi Rugova.

Panairi i Librit do të mbahet nga 5 deri më 10 qershor 2018, në ambientet e Pallatit të Rinisë, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.

Pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Diaspora. Numri i titujve të rinj pritet të jetë rreth 1.400-1.500, ndërsa numri i titujve të viteve të fundit rreth 5.000. Zëri