'Andje', një ëndje për t'u lexuar

Kultura May 23, 2018 - 10:16

 Elvi Sidheri

Kur Flutur Mustafa vjet do të botonte përmbledhjen e saj të parë të poezive “Na dy”, gjuha e saj e drejtpërdrejtë do të godiste në shenjë, në thellësi të shpirtit të lexuesit, duke i shndërruar poezitë e saj në një “nevojë” për ushqimin shpirtëror poetik të shumëkujt, shkruan sor gazeta "Zëri".

Një vit më pas, Flutura figurativisht “kthehet në vendin e krimit” të saj poetik, me këtë vëllim të ri poezish të titulluar “Andje”, ku njëherësh shpërfaqet edhe më e plotë tërësia e botës së saj poetike, e përbërë nga mijëra vegime copëzash intimiteti, ndijimesh e ngjyrimesh të larmishme që formësohen në një stil poetik tashmë të cilësueshëm kryekëput si mirëfilli të sajin.

Dhe kjo është risia e madhe e Flutur Mustafës në këtë botim të ri të saj, që tani e tutje poezinë e saj do të mund ta shtjellojmë dhe sintetizojmë si lexues e ithtarë të poezisë, në një shteg të veçantë, të mbrujtur tejpërtej nga gjurmët e pashlyeshme të shpirtit të pashtershëm krijues të kësaj poeteje kaq të veçantë e të papërcaktueshme, brenda një kategorie të veçantë, në universin e sotëm poetik shqiptar, qoftë atë të prirë nga poetizmi në gjuhën letrare, apo hapësirën gegërishte që te Flutur Mustafa gjen një ndër burimet më të kthjellëta të dimensionit të vet.

Janë poezi përherë kureshtare, vargje të zhdrejta që mëtojnë metaforën e të paarritshmes dashurore, ndjesi të skajshme që përqafojnë universin e përditshmërisë ndijore, ku ngjallen e faniten vazhdimisht reflekse e kushtime pafund, me përfytyrime aq të gjalla e të prekshme, saqë lexuesi mbetet në zonën e mesme të kufirit midis reales dhe magjepsjes, që mishërohet nga gërshetimi i epërm i fjalëve dhe ndjenjave më burimore të autores.

Sepse kur një libër poezish të përfshinë, të bën pandashëm pjesë të vetën, atëherë poetja ka ditur krejt natyrshëm të bashkëveprojë me lexuesin, e ka përshkruar botën e vet emocionale dhe mënyrën e saj vetjake të kundrimit të botës dhe marrëdhënieve ndërnjerëzore, e aq më tepër të dashurisë, përmes një gjuhe që arrin të komunikojë me çdo zemër dhe të zdritë çdo shqisë të lexuesit të vet.

Këtu qëndron sekreti i këtij libri, çelësi i leximit të këtyre poezive dhe udhëkalimi për në kopshtin e gjelbëruar, të populluar nga poezitë e Flutur Mustafës, atje ku lexuesi do të gjejë prehje, frymëzim, joshje e thelbin e arsyes përse ngaherë rrekemi e ndiejmë dëshirim për të lexuar poezi.

Sepse poezitë gjithmonë kanë shpërfaqur botën tonë të brendshme, sepse poetët kanë ditur përherë t’u vënë emër emocioneve tona më të fshehta, sepse ndër poezi kemi hasur jetësimin e ndjenjave tona, jemi dashuruar, jemi përhumbur në krahët e dikujt apo jemi dehur nga ëndja për dikë dhe aroma e një lëkure.

E të tëra këto elemente i gjejmë edhe në këtë libër, në këto poezi, në këto vargje dhe në krejt përvojën poetike që të fal ky libër.

Janë poezi shtendosësh, fjalë mikluese, të thëna me një gjuhë çarmatosëse, porsi një ftesë për t’u çlodhur dhe gjetur vetveten, për t’u dorëzuar para dashurisë dhe për të jetuar me poezinë, ashtu siç autorja e këtyre poezive bën gjithnjë. Lexojeni pra.

*Flutur Mustafa nga Ulqini është shkrimtare e re në skenën e letërsisë shqipe. Libri i saj i parë titullohet “Përtej lajthitjes” dhe u botua në vitin 2014. Në anën tjetër libri i saj i dytë me poezi u botua vitin e kaluar. Libri me titullin “Na dy” ishte i dyti në top-pesëshen e librave më të shitur në Panairin e Librit në Prishtinë e edhe libri i saj i ri “Andje” do të jetë në shitje në Panairin e radhës që do të mbahet këtë qershor.