Bach-u është oqean i muzikës!

Kultura May 21, 2018 - 10:25

Këtë të hëne në rubrikën “Rrëfej përmes muzikës” prezantojmë dirigjentin Kushtrim Gashi. Muzikanti, që për katër vite ishte pjesë e Filarmonisë së Kosovës e tash ushtron aktivitete si dirigjent i në Gjermani, na çon në një udhëtim muzikore me shpjegime të veçanta ky natyrisht se dominon muzika klasike.

Kushtrim Gashi është edhe udhëheqës dhe themelues i Orkestrës së të Rinjve të Kosovës, të cilën e ka themeluar vet.

 Kurrë më s‘do marrësh udhët e Kurbetit

Një këngë që flet për largimin apo ndarjen e familjeve, mallin që ata kanë për njëri-tjetrin, pritja për kthimin e takimin...Këngë e cila më ka nxitur ta aranzhoi për Orkestrën Kamertal “Rexho Mulliqi” me soliste Sanije Matoshin, të cilën kam provuar ta sjell në frymë moderne.

Nënë

 Edhe kjo këngë vjen prej Jugut të Shqipërisë, të cilën po ashtu e kam ripërpunuar për kor dhe dy soliste, ku njëra luan rolin e Nënës, e tjetra të bijë. Në përgjithësi, këto kënge sikur janë adekuate të tregojnë vuajtjet e shqiptareve. Janë pothuajse të lira në tempo, ad libitum.

Arsyeja e përdorimit të këtyre tematikave apo motiveve muzikore në vepra më të mëdha, është pikërisht ajo që kjo është e vetmja muzike shqiptare e cila madje është e mbrojtur nga UNESCO, si trashëgimi kulturore.

 Adiemus

Vepër e kompozuar nga kompozitori anglez Karl Jenkins, një kompozitor që më shumë është bërë i famshëm pikërisht për thjeshtësinë e muzikës së tij. “Adiemus” është një vepër tepër e dashur nga koret, e cila është e ndërtuar vetëm nga një motiv i vetëm, i cili përsëritet në gjithë veprën. Ka një tekst interesant, të themi më mirë një gjuhë të shpikur. Përndryshe, Jenkins ka kompozuar edhe një meshë që i dedikohet Luftës së Kosovës, vepër që kur është ekzekutuar në Kosovë ka qenë prezent dhe vet Jenkins. Ajo titullohet “Mass for Peace”.

Simfonia Nr.2 e Gustav Mahler -

Mahler është një prej kompozitoreve të preferuar që kur dëgjoj muzikën e ti, gjejë veten brenda muzikës si gjuhë por edhe aspektet tjera si: Karakterin, nostalgjinë, ndjeshmërinë, dramacitetin, etj. Simfonia e dyte, quhet “Auferstehung” apo Ringjallja. Finalja e kësaj simfonie, ku Orkestrës i bashkohet edhe Kori, ka një shpërthim, Apokalips të cilin sidomos si dirigjent është vështirë ta kontrollosh nga emocionet të cilat përjeton njeriu në atë moment. Kontrastet e papritura, të cilat të gjuajnë si valët e detit, janë karakteristikat të cilat në mënyrë gjeniale ka ditur t‘i përdor Mahler; kombinimi i temave te ndikuar shpeshherë edhe nga muzika e bandave ushtarake, apo muzika e judejve, janë po ashtu mjeshtëri se si ka ditur kompozitori t‘i gërshetoj në veprat e tij!

 Le sacre du printemps

Vepër e kompozuar nga Igor Stravinsky. Vepër e cila si shumë vepra që në fillimin e tyre kanë qenë të papranueshme për publikun, për shkak të novacioneve që kanë sjellë në muzikë. Kjo vepër është  në fakt muzikë skenike, e shkruar për balet por që edhe vet si e tillë ka prezencën e saj të njëjtë! E shfaqur me 1913 në Paris, por e papranuar ne fillim nga publiku, madje deri në atë mase, ku publiku ngrihet në këmbë dhe fillon të bërtas, e të pengoj realizimin deri në fund. Inovacionet që sjell kjo vepër, janë ato në aspektin ritmik, orkestral,  harmonik etj. Sidomos ana ritmike është ajo që karakterizon këtë vepër dhe sfidon shumë dirigjent.

Die Zauberflöte - Flauti Magjik

Operë e kompozuar nga Mozart, kompozitori gjenial që njeh muzika klasike.Edhe pse thuhet qe Requiem-i është vepra e tij e fundit, Die Zauberflöte ka qenë nisma drejt fundit të jetës së Mozartit. Mbetet ende mister vdekja e tij, meqenëse dihet që Mozart ka qenë pjesë e shoqërive sekrete masonike, ai vendos të dal nga këto shoqëri, por që mund të themi i kushton me jetë. Libretisti (ai që shkruan tekstin e Operës) koincidencë apo jo, ishte po ashtu pjesë e kësaj shoqërie. Aria e Pamines “Ach ich Fühl‘s” është një prej arieve që unë e veçoj prej shumë arieve të operave të shkruara para dhe pas Mozartit.

 Maurice Ravel - Tableaux d'une exposition

Vepër në fakt e kompozuar nga kompozitori rus, Mussorgsky për piano por suksesi i kësaj vepre arrihet me kompozitorin françez Ravel, i cili në mënyrë mjeshtërore arrinë t‘i orkestrojë këto pjesë.

Veçantia e kësaj vepre është që orkestracioni si lëndë muzikore mund të merret pikërisht si bazë e një studenti që dëshiron ta mësoj këtë lënde. Pra, përveç anëve tjera që ka arritur të këtë sukses kjo vepër ajo tashmë është edhe pjese te themi e mësimdhënies.

J.S BACH

Edhe pse Bach nga gjermanishtja do të thotë përrua ai mbetet një oqean i muzikës! Këtë madje e thotë edhe Beethoveni. Është vështire t‘i veçosh veprat e tij, por ato që mendoj unë kanë lënë ndikim në çdo aspekt janë: Pasionet (sidomos ai i Matthäus), Mesha ne h- Moll, Preludet dhe Fugat dhe Chaconne për Violinë. Por vështirë të mos përmenden Suitat për Cello, Goldberg Variationen etj. Pra, kur flitet për Bach-un, ai është vet shkolla, studimi, muzika, alfabeti i muzikës.

Beethoven - Simfonia Nr.5

Edhe pse unë personalisht nuk jam një i dhënë pas muzikës se Beethovenit, ky padyshim ka lënë gjurmë novative në muzikë. Thuhet që  muzika merr kahje tjetër me të, sidomos me Simfoninë Nr. 3 “Eroica“. Por, me qëllim unë përmenda atë Nr.5 , simfoni të cilën e njeh edhe çdo fëmijë. Kjo simfoni ende mbetet testi apo sfida e dirigjenteve. Një lëvizje sado e vogël, ngjallë reagimin e orkestrës, ani pse fillimi është mjaft dramatik, prandaj kërkon energji edhe në dirigjim. Pastaj, Tempo në këtë vepër është mjaft e shpejtë e kur kjo kombinohet me një motiv aq të shkurtër në aspektin ritmik, e bënë këtë vepër edhe më të ndjeshme dhe të vështirë.