Kultura

Lamtumirë Kujtim Paçaku!

Lamtumirë Kujtim Paçaku!
18 maj 2018 • 10 : 50

Në moshën 60 vjeçare ka ndërruar jetë ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, muzikologu dhe poeti, Kujtim Paçaku. Kujtim Paçaku u lind me 12 mars 1959 në Prizren. Në Prishtinë kreu studimet në Akademinë e Arteve – Dega e Muzikës dhe studimet postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore. Kujtimi kreu edhe Akademinë e përshpejtuar për Aktrim dhe Regji në Klasën e Prof. Faruk Begollit. Diplomoi në romologji në Sorbonë të Parisit.

Gjatë studimeve krijoi oktete e kore të shumta. Përveç aktiviteteve të shumta në shoqëri kulturore si ajo “Agimi”, ishte mësues në Duhël e Bllacë, në vitin 1986. Para se të bëhej deputet ai punoi si gazetar- korrespondent në shumë gazeta dhe media evropiane.

Të ënjtën, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një minutë heshtje për ta nderuar Paçakun që ishte deputet për disa vite me radhë. Paçaku ishte përfaqësues i komunitetit rom në Kuvendit e Kosovës. Së fundi ai ishte shpallur  ambasador i paqes në një konferencë për kulturë dhe paqe në Ballkan. Krahas familjarëve edhe miqtë e dashamirët e artit dhe të kulturës e kanë pritur me dhimbje lajmin për vdekjen e Paçakut.

“Me dhimbje e mora lajmin për largimin e papritur nga jeta të Kujtim Paçakut, studentit tim të dalluar, që me aq pasion kishte dëshirë të angazhohej në mësimdhënie për edukimin muzikor. Ja që për të nuk pati vend në asnjë nga institucionet që përgatisin mësimdhënësit, as në vendlindjen e tij në Prizren. E unë jam shumë e sigurt që ai do t’i mësonte shumë mirë mësimdhënësit e rinj, se si ta përcjellin dashurinë për muzikën tek fëmijët, sepse vetëm ai që ndjen një dashuri të tillë mund ta përcjellë atë më tutje”, shkruan në Facebook profesoresha e muzikës dhe aktivistja e shoqërisë civile, Besa Luzha.

Si mik, aktivist, poet e politikan i dashur, Paçaku është kujtuar edhe nga të tjerë.

“Romët kudo që janë e humbën një prej përfaqësuesve të tyre më të mirë, Kosova e humbi një aktivist punëtor e një poet të mirë, ndërsa unë e humba një mik të sinqertë e të respektuar! Prehu në paqe Kujtim Paçaku”, shkruan aktori Kushtrim Shermeti.

Paçaku intervistën e fundit për gazetën “Zëri” e dha në dhjetor të vitit 2016. I ftuar në rubrikën javorë “Rrëfej përmes muzikës” ai foli për krijimet muzikore që i kishte më për zemër duke treguar edhe lidhjen e tyre me historinë e jetës së tij.

“Kënga ‘Chaje Shukarije’ është njëra ndër këngët e para rome, të cilën e mësova përmendsh, e të cilën e këndonte Esma  Rexhepova, këngëtare nga Maqedonia, me prejardhje nga Kosova. Është këngë e gjallë, ashtu si është komuniteti rom. Ka ritëm që s’të lë të qetë, së paku pa ngjalluar atë “zogëz” në mesin e barkut, sikundër dhe teksti lirik që karakterizohet me dashuriçkat rome”, ishte shprehur ndër të tjera për "Zërin" Paçaku.

Kujtim Paçaku do të kujtohet gjithmonë si aktivist i të drejtave të komunitetit, veçmas atij rom. Ai ia kushtoi jetën e tij luftës për të drejta të barabarta për komunitetin, të cilit i takonte. Këtë e bëri përmes artit, por edhe përmes politikës.A.S.

© zëri.info