Rrënime pa pëlqimin e institucioneve të Trashëgimisë

Kultura May 16, 2018 - 11:12

Komuna e Prizrenit, të hënën ka njoftuar se ka filluar me rrënimin e ndërtesave të vjetra dhe të amortizuara, që janë në rrënim e sipër dhe që paraqesin rrezik për kalimtarët.

Bazuar në njoftimin e Komunës, pas vlerësimit të komisionit të formuar nga Drejtoria e Emergjencave, janë identifikuar objektet për rrënim që janë të rrezikshëm për qytetarët. Në përzgjedhjen e tyre, sipas njoftimit të Komunës, ka ndikuar edhe fakti që objektet në fjalë nuk kanë vlera të trashëgimisë kulturore dhe nuk gjenden në Qendrën Historike të Prizrenit.

Mirëpo autoritetet e trashëgimisë kulturore përkatësisht zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren, kanë pohuar se nuk kanë qenë pjesë e procesit të vlerësimit të vlerave të këtyre ndërtesave. Sipas legjislacionit MKRS-ja, përkatësisht QRTK-ja, përbën autoritetin e vetëm kompetent për vlerësimin e aseteve të trashëgimisë, me ç’rast nuk duhet harruar se edhe përditësimi i listës së përkohshme të monumenteve të mbrojtura është një proces dinamik dhe i vazhdueshëm. Prandaj konstatimi i organeve komunale për mungesën e vlerave të këtyre ndërtesave është i pa bazuar dhe joligjor, për faktin se në vendimmarrje nuk është përfshirë QRTK-ja.

EC Ma Ndryshe konsideron se Komuna mund të ketë argumente që për hir të sigurisë së qytetarëve, veprimi i tillë të ketë qenë i nevojshëm, por megjithatë përkujton se vlerat e ndërtesave mund të konstatohen vetëm nga autoritetet e trashëgimisë kulturore. Prandaj rekomandon që në ndërtesat në fjalë fillimisht të merren masa parandaluese, që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve dhe e kalimtarëve të rastit.

Duke e konsideruar se rrënimi i aseteve të trashëgimisë kulturore paraqet një proces të pakthyeshëm të vlerave, EC Ma Ndryshe kërkon urgjentisht që Komuna të konsultohet me autoritetet e trashëgimisë kulturore para se të vazhdojë me çfarëdo procesi të rrënimit.

Objektet e vjetra në qytetin e Prizrenit tash e një kohë të gjatë vazhdojnë të krijojnë konflikt mes Komunës së Prizrenit dhe organizatave që mbrojnë trashëgimin kulturore. Këta të fundit insistojnë që objektet me vlera historike dhe kulturore të ruhen dhe të mbrohen me fanatizëm.