'Polip' me program të pasur për edicionin e tetë

Kultura May 16, 2018 - 11:09

Fundi i kësaj jave sjellë në Prishtinë edicionin e radhës të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Polip”. Tashmë në Qendrën “Multimedia”, e cila është organizatore e këtij festivali, po finalizohen përgatitjet që të nisin disa ditë maratonike me lexime, diskutime e aktivitete të ndryshme që në fokus kanë librin e kulturën, shkruan gazeta "Zëri".

Edicioni i tetë i festivalit “Polip” hapet këtë të premte (18 maj) me fillim nga ora 19:30, në Qendrën “Multimedia”. Pas hapjes në orën 20:00 vjen aktiviteti i parë, ku do të ketë lexim dhe muzikë me: Dragan Velikië (SRB), Bashkim Shehu (ALB/ES), Evelyn Schalk (AT), Antoine Jaccoud (CH), Edi Matië (CRO), Miruna Vlada (RO), Gonca Özmen (TR) dhe Nikola Madëirov (MK).

Për gazetën “Zëri”, Arif Muharremi, nga ekipi organizativ i festivalit, ka treguar se sivjet në “Polip” të gjithë pjesëmarrësit janë të lirshëm të diskutojnë për të ardhmen e botës, në perspektiva të ndryshme.

“Ketë vit festivali ‘Polip’ emërtohet ‘Republika letrare’, në këtë kontekst ‘Polip’-i këtë vit është një zonë e lirë për të gjithë ata që dëshirojnë të diskutojnë lirshëm për të ardhmen e botës dhe të ardhmen e një perspektive e cila na përket të gjithëve”, ka thënë Muharremi.

Tutje ai tregoi se karakteristikë e “Polip”-it për edhe këtë edicion mbetet numri i madh i pjesëmarrësve vendorë e ndërkombëtarë që mbledh rreth vetës. Në këtë listë përfshihen edhe shkrimtari i njohur gjerman Clemens Meyer dhe shkrimtari dhe skenaristi Antoine Jaccoud, filmi i të cilit është laureat i “Ariut të argjend” të Berlinales.

“Këtë vit Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë ‘Polip’ e karakterizon numri i madh i shkrimtarëve e poetëve të cilët do të vijnë në Prishtinë për të ndarë me publikun kosovar të arriturat e tyre me të fundit në fushën e letërsisë. Është me rëndësi të përmendet se këtë vit në kuadër te Polipit në Prishtinë vjen edhe Clemens Meyer, shkrimtar gjerman, vepra e të cilit me 2013 e futi atë në listën e ngushtë për çmimin prestigjioz Man Booker Prize, ndërsa me 2014 ai fitoi një nga shpërblimet më të rëndësishme letrare në Gjermani ‘Bremer Literaturpreis’. Në kuadër të festivalit ‘Polip’, në Prishtinë vjen edhe Antoine Jaccoud, shkrimtar dhe skenarist i filmit ‘Sister’ (Motra), në regji të Ursula Meier, film i cili me 2012 e fitoi ‘Ariun e argjend’ në Berlinale”, tregoi Muharremi.

“Polip” nis me diskutime menjëherë të shtunën, me temën

“Ndërtimi i Shoqërisë Radikale Progresive: Një Revolucion i Grave në Rojava”, ku do të flasin panelistët Agron Tufa (ALB), Ann Cotten (AT), Tinka Kurti (RKS), Laura Huerga (CAT) dhe Elona Pira (ALB/USA). Të shtunën mbahet edhe një diskutim tjetër me temë “Gjuha dhe shkëputja: kontekste dhe politika”, ku do të diskutojnë Gonca Ozmen (TUR), Bashkim Shehu (ALB/ES), Alida Bremer(CRO/DE), Ardian Vehbiu (ALB/USA) dhe Shkumbin Brestovci (KS).

Mbrëmja do të përfundojë me lexime letrare dhe muzikë në “Hamam Jazz Bar”, ku do të interpretojnë Jürgen Jankofsky (DE), Ardian Vehbiu (ALB/USA), Rina Krasniqi (RKS), Matteo Colombi (DE), Majlinda Bregasi (ALB/IT), Josep M. Rodriguez (ES), Ann Cotten (AT) dhe Manjola Nasi (ALB).

Për të dielën ‘Polip’ ka planifikuar diskutimin e tretë, me ç'rast do të diskutohet tema “Lindja e fashizmit nga fryma e poezisë”, e ku do të flasin Antoine Jaccoud (CH), Zora Del Buono (CH), Matteo Colombi (DE), Manjola Nasi (ALB) dhe Clemens Meyer (DE).

Njësoj si e shtuna, edhe mbrëmja e së dielës në “Polip” do të përfundojë me lexime letrare dhe muzikë. Kësaj radhe në Qendrën “Multimedia” do të performojnë Susanna Rafart (CAT), Alida Bremer (CRO/DE), Zora Del Buono (CH), Tinka Kurti (RKS), Agron Tufa (ALB), Ilire Zajmi (RKS), Peter Wawerzinek (DE), Elona Çuliq (ALB) dhe Clemens Meyer (DE).

Përveç aktiviteteve në Prishtinë, në kuadër të “Polip”-it janë paraparë edhe dy aktivitete në Prizren dhe Ferizaj. Të premten, në Bibliotekën e Komunës së Prizrenit do të mbahet një lexim dhe diskutim me Gonca Özmen, kurse të hënën në bibliotekën “Sadik Tafarshiku”, në Ferizaj do të mbahen lexime dhe diskutime me Susanna Rafart, Josep M. Rodriguez dhe Laura Huerga.

Edhe këtë vit festivali “Polip” po përkrahet financiarisht edhe nga Komuna e Prishtinës. "Zëri"