Kultura

'Kaligula' si thirrje për monitorim të pushtetit

'Kaligula' si thirrje për monitorim të pushtetit
15 maj 2018 • 10 : 46
Argjenda Selmani

Shtatë Kaligula u ngjitën në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës për të dhënë shtatë perspektiva të ndryshme të këtij personazhi prej nga edhe e ka marrë emrin shfaqja e regjisorit Kushtrim Koliqi, me tekst të shkrimtarit Albert Camus, që u dha premierë këtë të hënë në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Kjo shfaqje nuk ka personazh kryesor, andaj aktorët Adrian Morina, Allmir Suhodolli, Ard Islami, Armend Baloku, Besart Sllamniku, Gresa Pallaska, Meli Qena, Shkëlzen Veseli e Ylber Bardhi sollën në skenë dy anë të medaljes; atë të diktatorit që ka në dorë pushtetin e pakontrollueshëm dhe pozitën e viktimës.

Siç edhe e bëri të ditur regjisori Koliqi, në konferencën për media që i parapriu premierës, shfaqja Kaligula” shtron dy elemente të rëndësishme; raportin e njeriut me fuqinë si dhe mosgatishmërinë për revoltë.

“Krejt ideja e shfaqjes zhvillohet në dy elemente kryesore. Elementi i parë është raporti me fuqinë dhe keqpërdorimi i pushtetit. Kurse raporti tjetër është mos gatishmëria për revoltë apo servilitet. Këto të dyja i shohim kudo në Kosovë, në mëhallë, në Prishtinë dhe jashtë Prishtinës. Për mua është brengosëse, por jo e çuditshme. Nuk çuditëm që ky raport me fuqinë keqpërdoret, sepse në momentin që nuk monitorohet gjithkund keqpërdoret, jo vetëm në Kosovë. Problem unë e kam mos reagimin, nënshtrimin e qytetarëve, intelektualëve, akademikëve e artistëve ndaj tyre. Kjo për mua është brengosëse, sepse kjo e mbytë edhe shpresën. Për shembull Franca njihet si shtet që proteston për gjithçka, unë kisha dashur të kemi asi angazhimi qytetar. Në këtë shfaqje e kemi krijuar një botë, ku njerëzit e keqpërdorin fuqinë dhe pushtetin deri në perverzitete, ku s’kanë më çfarë të bëjnë”, theksoi Koliqi.

Tutje ai shtoi se vetë personaliteti i shkrimtarit Camus ka qenë gjithmonë intrigues për të dhe është munduar që në këtë shfaqje të reflektojë shpirtin radikal të tij.

“Ka qenë kënaqësi të punosh për këtë shfaqje, përkundër sfidave që i kemi pasur gjatë procesit, por siç duket kjo është Kosova dhe nuk ndërrojnë disa gjëra. Sido që të jetë e mira është që brenda ekipit kemi pasur një kohezion të mirë dhe kemi funksionuar mirë dhe jam shumë i lumtur për këtë. Në këtë projekt e kam pasur shumë të qartë se çfarë dua, qysh para fillimit. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme puna me aktorët, që përveç se janë të talentuar, janë edhe inteligjent, të mprehtë. Sepse për këtë shfaqje është dashtë një kalibër i tillë i aktorëve. Po besoj që e kemi mbërri një standard që e kemi kërkuar prej fillimit. E qysh prej fillimit ambiciet kanë qenë të mëdha. Tash vetëm pritet të shohim se qysh do të komunikojë shfaqja me publikun”, bëri të ditur regjisori.

Kjo është hera e tretë që Kushtrim Koliqi bashkëpunon për një shfaqje me Teatrin Kombëtar të Kosovës, përderisa kasta e kësaj shfaqje është e përzier me aktorë rezidentë të TKK-së dhe të tjerë të përzgjedhur nga regjisori. Ai u shpreh falënderues për punën e stafit të TKK-së, duke theksuar gjithmonë rrethanat jo të volitshme në të cilat ky staf punon.

“Ne jemi pak të lodhur, por edhe të kënaqur, sepse mendoj se ja ka vlejtur barra qiranë dhe se kemi bërë një shfaqje të mirë. Stafi teknik dhe aktorët e ansamblit përnjëmend kanë një punë të mundimshme dhe kanë nevojë për një trajtim më serioz. Duke e parë këtë proces të punës besoj që këta janë heronjtë e fundit apo samurajët e teatrit, të cilët vërtetë e duan Teatrin Kombëtar të Kosovës”, theksoi Koliqi.

Për “Kaligulën” Koliqi ka bashkëpunuar edhe me dramaturgen nga Kroacia, Jasna Zmak. Edhe Agon Myftari, udhëheqës artistik i TKK-së, u shpreh i kënaqur për këtë bashkëpunim me Koliqin në kuadër të së cilit po vejnë në skenë një tekst të Camus. 

“Si udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, më takon të them se është kënaqësi që një projekt për të cilin kemi biseduar moti me regjisorin Kushtrim Koliqi, të cilin e çmoj shumë dhe jemi gjenerata të përafërta, ta ndërtojmë bashkë për këta dy muaj me ekipin e tij dhe aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Mendoj se është bërë një punë e shkëlqyeshme. Besoj se do ta presin mirë edhe publiku, për shkak se shfaqja ka një koncept i cili funksionon”, tha Myftari.

Tutje drejtori njoftoi se shfaqja “Kaligula” do të reprizohet më 15 dhe 16 maj, me fillim nga ora 21:00, për shkak të fillimit të muajit të Ramazanit, duke shtuar se deri në përfundim të këtij sezoni shfaqjet në TKK do të prezantohen në këtë orar, pra nga ora 21:00. "Zëri"

 

© zëri.info