Asgjë e re nën këtë diell

Kultura May 12, 2018 - 12:56

Në rubrikën e rregullt të së shtunës, "Jepi Zërit!", prezantojmë Ornela Vorpsin, e cila ka lindur në Tiranë, ku ka mbaruar  Akademinë e Arteve të Bukura, pastaj ka studiuar në Milano, në l'Accademia di belle arti di Brera, për të përfunduar studimet në Paris à Paris VIII université. Fillimet e Vorpsit lidhen me Galerinë Kombëtare të Tiranës, shkruan sot gazeta "Zëri".
Në vitet sa ishte në Milano, ajo u shfaq në krijimtari si artiste plastike me pikturë, fotografi, instalime, video. Krijimet e saj u paraqitën në shumë ekspozita; Basel, Sammlung Esl me Harald Zsemman, Paris-Photo, etj. Puna e saj si artiste plastike është e përfaqësuar nga galeria Analix Forever te Gjenevës. Libri i parë i Vorpsit është monografia fotografike 'Nothing Obvious", nga publikuesi zviceran Scalo. Në vitet e Parisit, krijimtaria e Vorpsit mori udhën e shkrimit, fillimisht në gjuhën italishte. 

Botoi pesë tituj librash në italisht, të botuara në shtëpinë publikuese "Einaudi". Librat e Vorpsit janë përkthyer ne 18 gjuhë. Këtë verë del përkthimi në gjuhën norvegjeze dhe po bëhen marrëveshjet për një përkthim në gjuhën shqipe.
Në vitin 2012 ajo është cilësuar nga Aleksander Hemon dhe Zadie Smith si një nga 35 shkrimtaret më të mira të Evropës në Best Europeen Fiction. Po ashtu Vorpsi bën pjesë në antologjinë e Andrea Cortellessa, ku prezantohen mbi 25 shkrimtaret më interesante të Italisë së sotshme. Librat e Vorpsit janë vlerësuar me shumë çmime të njohura: Grinzane CAvour, Elio Vittorini, Premio Rappallo, Premio Viareggio, Premio Luco Mastronardi, Premio città di Tropea, Prix méditeranéen des lycéen. Mbas shume vitesh të qëndrimit në France, Vorpsi ka zgjedhur si gjuhë shkrimi frëngjishten. Libri i saj  fundit është publikuar nga shtëpia botuese "Gallimardi".

 

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Duhet të ketë pyetje që duhet t'i bej shumë shpesh, sepse më thonë here pas here: Ornela, po e njëjta pyetje gjithmonë! Na mërzite! Po meqë asnjëherë nuk më kanë bërë këtë pyetje që ju po më bëni sot - as unë nuk ia kam bërë vetes këtë pyetje (çudi e madhe! ) edhe pse mund të them pa ekzagjerim që jam e tëra një pyetje pa fund. Sot do të zgjidhja këtë: Nuk është një çudi e pafundme të jetuarit?

 

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Duke mos pasur një jetë pune ‘normale’: të shkoj në zyrë apo të jap mësim diku, duke qenë ‘e lirë’ të organizoj ditën si dua – luks mund të mendohet- është e vërtetë luks, po luksi mund të jetë tej mase i vështirë për t’u përballuar, kështu që ditët e mia nuk ngjasin me njëra-tjetrën.

Bëj çka është e mundur dhe e ‘detyruar’ për ditën që ndodhem. Pikërisht nga kjo ‘liri’ marramendëse që kam, shpeshherë ditët e mia janë udhëtime nga anë shumë të ndryshme: pikturë, shkrim, ditë ku nuk bëj asgjë, gjumë, takime, familje, detyrime... Më duket se nuk kam ‘zakone’ dhe nuk duket të jetë gjë e mirë. Se nga ‘zakonet’, thotë Aristoteli, lindin virtytet. Diçka besoj në këtë frazë.

 

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Janë të shumtë, vështirë të veçoj vetëm një, por po i lejoj vetes të jem e padrejtë sot –nuk është hera e parë që jam e padrejtë, as e fundit besoj -  kështu që po zgjedh mes perlave: "The Bell Jar", i Sylvia Plath-it, libër madhështor dhe i tmerrshëm, sepse është nga ata libra që të kërkon jetën si çmim. Dhe në fakt, mbas këtij libri, të vetëm (në prozë) ajo vrau veten.

 

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Kam si detyrë të vazhdoj udhëtimin tim në rrugën e të  vërtetës dhe të kërkimit të shkëmbimit njerëzor jetë, art, letërsi të një niveli të lartë, të thellë, të gjerë dhe të bukur. Për sa i përket krizës - le boten të jetë ku është. Sikur çdokush të edukojë dhe të punojë vetveten, rrjedhon një edukim  i tërë botës.

 

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Them që është shëmbëlltyra e njeriut- me ç’ka më të mirë dhe më të shëmtuar?

 

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Do përgjigjesha me një nga vargjet e librit të Ecclesiastes: Asgjë të re nën këtë diell.

 

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

El Greco, Peizazh nga Toledo, një haiku japoneze që më ka ngelur në mendje nga adoleshenca. Po ju sjell pakëz historinë:  Tregon për fëmijë rreth gjashte vjeç, i cili luante duke bërë vrima në dritaret e shtëpisë (duhet pasur parasysh që dritaret japoneze brenda shtëpisë janë prej letre). Dhe, e sa ftohtë bëhej dhoma – vazhdonte haiku. Tani fëmija nuk është më. Nuk ka kush vrimos me dritaret. Po dhoma është akoma më e ftohtë.

Sa i përket këngës do veçoja "Tower of song" - Leonard Cohen, ndërsa filmi Amores perros te Inarritu-t.