'Erdhlezeti' paralajmëroi ditë të nxehta në Prishtinë

Kultura May 08, 2018 - 11:01

Frymëzuar nga festa e Shëngjergjit, edhe këtë vit në qendër të Prishtinës, më 6 maj, u organizua festivali “Erdhlezeti”, që mëton të festojë veçantitë e ndërsjellta kulturore të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Festivali që organizohet për të festuar ardhjen e verës e ikjen e dimrit, edhe sivjet zuri vend në platonë para kafe-librarisë "Dit’ e Nat’ dhe mblodhi qindra vizitorë, vendorë e të huaj, që erdhën të gatshëm të vallëzonin me ritmet e muzikës së zgjedhur me kujdes.

Të dielën që shkoi gjatë gjithë ditës, në zemër të Prishtinës, në kuadër të këtij festivali, jehuan ritmet muzikore që sollën ndjenjën për vallëzim dhe shërbyen si rikujtim për të gjithë të pranishmit afrimin e verës.

Këtë vit programi muzikor i këtij festivali, motoja e të cilit ishte “Muzika është gjuha jonë”, u përbë nga gjithsej 41 muzikantë. Performancat nisën herët, rreth orës 12:00, me një grup të veçantë, siç janë “Ashikët e Gjakovës”, një grup jo-tipik i burrave gjakovarë që këndojnë vetëm në hapësira të mbyllura, rreth sofrës, me plot meze në tavolinë.

“Ashikët e Gjakovës” e hapën festivalin në "Dit’ e Nat’ me disa nga këngët më autentike të repertorit tradicional të muzikës gjakovare e shkodrane.

Për t'ia shtuar veçantinë këtij programi, organizatorët e festivalit formuan edhe grupin që e quajtën “bendi i shtëpisë” apo “Erdhlezeti All Stars”, ku u mblodhën disa nga muzikantët më të mirë të momentit. Alban Nimani, Art Lokaj, Arbër Salihu, Taste2, Genc Salihu dhe Shpat Deda, erdhën të koordinuar si asnjëherë më parë dhe ndezën atmosferën e festivalit pasdite.

“’Erdhlezeti’ ka lindë në mahallën tonë të dashtun, pranë zemrës së qytetit, te Dit’ e Nat’. Për çdo vit, mahalla po zgjerohet nga pak, me ma shumë njerëz tue na besu. Në fund të fundit, mesazhi ynë po rezonon te shumë njerëz - e vetmja mënyrë me ec përpara është duke e shqu të përbashkëtën, që me pa përtej dallimeve që i kemi në këtë far shtetin tonë të vockël. Sivjet kemi vendosë me formu bendin e shtëpisë, me plot këngëtarë e artistë që krejt komuniteti jonë pin kafe me ta përditë. Plus disa surpriza super të veçanta. Muzika është gjuha jonë!”, ishte përshkrimi i organizatorëve për këtë grup të mbledhur bashkë enkas për ketë festival.

Në skenë, për befasinë e të gjithë të pranishmëve, u ngjitën edhe dy nga rep-artistët më të mirë të momentit, Ledri Vula dhe Lumi B, të cilët sollën një frymë tjetër në “Erdhlezeti”, festival i cili tek e fundit karakterizohet nga diversiteti.

Teksa afrohej fundi i programit maratonik të “Erdhlezetit”, askush nuk mund t’i rezistonte ritmeve afrikane të vallëzimit për të cilat u përkujdes “Nesesari Kakalulu”, një grup slloven, i krijuar nga dëshira e flaktë e anëtarëve për të eksploruar ritmet e kësaj muzike. Të inspiruar nga trashëgimia muzikore e Fela Kuti, që nga dëgjimi i parë, ky grup mund të vërehet se është ritmikisht i sofistikuar dhe ekstremisht i saktë.

Në fund të festivalit fokusi shkoi te performanca kryesore e natës kur interpretuan “Besh o droM”, një kolektiv muzikor Hungarez i përbërë prej 8 muzikantëve, të apasionuar për kombinime të instrumenteve e tingujve nga më të ndryshmet.

Muzika e tyre inspirohet nga folku rom nga Evropa Lindore, tingujt e klarinetës  së Mesdheut, si dhe ritmeve perkusive nga Lindja e Mesme. “Besh o droM”, me shumë mjeshtëri, i kombinon të gjitha këto në skenë me një shfaqje energjike, e cila e kapë cilëndo publikë.

Këtë vit festivali “Erdhlezeti” u mundësua nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, Originals, Birra Peja, Semitronix Hotel, Frutti, Dit’ e Nat’, Ëhite Tree, Miqt Music, dhe Taverna Tirona. Zëri