Përfundon 'Hasi jehon'

Kultura May 07, 2018 - 11:42

Ka përfunduar edicioni i 29-të i Festivalit të Folklorit Burimor, i cili është mbajtur në Gjonaj të Hasit. Juria në përbërje Sami Piraj, Dilaver Kryeziu, Hisen Dida dhe Shaqir Hasi, kanë shpallur edhe fituesit e Festivalit. Ata çmimin “Malësori”, për programin më burimor, ia ndanë Ansamblit “Mati”, nga Bureli i Shqipërisë.

Çmimi “Malësorja" iu nda ShKA “Fushë Kosova” nga Fushë Kosova, ndërsa çmimi “Lahuta” iu nda Ansamblit autokton “Rugova”, nga Rugova. Çmimi Nazmije Hoxha iu nda Vlora Durakut, nga Krusha e Madhe. Juria ka ndarë edhe disa çmime për instrumentistë, koreografë, vallëtarë, etj.

Ky Festival është themeluar në vitin 1975, si Festival i shoqërive kulturo-artistike të regjionit të Hasit. Në fillim është quajtur "Dasma Hasjane". por që më vonë është shndërruar në dasmë gjithëshqiptare.

Drejtori i Festivalit "Hasi jehon", Haziz Hodaj, ka thënë se vitin e ardhshëm, kur ky Festival shënon vitin jubilar të themelimit, përkatësisht tridhjetë vjetorin, do të ketë një angazhim edhe më të madh.