'The Final Countdown', kënga e frymëzimit

Kultura May 07, 2018 - 10:17

Rubrika javore e gazetës “Zërit”, që titullohet “Rrëfej përmes muzikës”, kësaj radhe është e rezervuar për regjisorin Ismet Sijarina. Ai ka vendosur që në mënyrë kronologjike të na tregoi se cilat janë këngët që e kanë shoqëruar në etapa të ndryshme të jetës.
 
“Imazhet mjegullohen e treten me kohë, por muzika i rikrijon ato. Prandaj sa herë dëgjojmë tingujt me të cilët jemi të familjarizuar, automatikisht lidhemi me momentet kur i kemi dëgjuar ato. Thjesht, lëshoje muzikën, mbylli sytë dhe udhëto me të në momentet me të rëndësishme të jetës”, thotë Sijarina.
 Top-Lista e një regjisori s’ka se si të nis ndryshe veçse me një kolonë zanore të një filmi.
 
Kënga e filmit “Fidani”
 
“Fidani” ka qenë filmi që unë e kam shikuar disa herë si i vogël dhe mund të konkludoj se rrallë ndonjë imazh nga ky film e mbaj mend, por këngën e filmit mund ta këndoj me zë të lartë edhe sot e kësaj dite. Kjo këngë, përveç filmit, më shumë më kujton fëmijërinë, shokët e lagjes, jetën e lumtur gjatë viteve të 80-ta.
 
Europe - The Final Countdown
 
Në Televizionin e Prishtinës ka qenë një emision që quhej me sa më kujtohet “Gjatë javës në Televizion” dhe shpica hyrëse dhe dalëse e këtij emisioni ka qenë pikërisht me këtë këngë. E këndoja me një anglishte relativisht të dobët, por kjo kishte pak rëndësi karshi adrenalinës që më krijonte. Ka mundësi që emrin e emisionit edhe e kam harruar, por muzikën kurrë. Sot e kësaj dite, kurdo qe kam nevojë për frymëzim, “The Final Countdown” është aty për mua.
 
Iggy Pop & Goran Bregovic - In The Death Car

 
Këngë të cilën në një kohë mund ta dëgjoja pafundësisht, po flas për mesin e viteve të 90-ta. Nuk kam ndonjë arsye konkrete, thjesht me mbërthente dhe udhëtonim se bashku. E kam një ndjenjë që mos të ishte kjo këngë unë sot nuk do të isha një regjisor filmi.
 
Nirvana-Lithium
 
Në vitet e 90-ta, me ardhjen e antenave satelitore, filloi të dëgjohet muzikë  më alternative nga ajo që kishin dëgjuar gjeneratat e mëhershme. Megjithëse të izoluar, pa televizion e radio publike (pasi që këto ishin mbyllur me dhunë nga pushteti serb) rinia po kalonte nga vallëzimet “në rrethe” me pop këngët e njohura në diçka me ma shumë energji dhe adrenalinë që quhej “Shutke”. Ne bënim shume party që atëherë i quanim “Zhurka”, dhe bënim “shutke” që ka qenë vallëzim i cili kërkonte impenjim fizik të jashtëzakonshëm, ngase hidheshim mbi njëri-tjetrin. Muzika me zhanër të ri që njihej si “Grunge” dhe kjo këngë si sinonim i saj, më kthen në këto momente. Shpesh nga ky lloj vallëzimi dilnim të lënduar, por adrenalina ishte në maksimum, e çka mund të kërkojë njeriu tjetër nga një adoleshent me flokë të gjatë e xhinsi të shqyera? Bendet tjera që i kemi dëgjuar kanë qenë edhe Black Sabath dhe Aerosmith!
 
Shkurte Fejza – Këngë kurbeti
 
Në vitet e 90-ta tanimë isha në shkollë të mesme dhe sado që jeta në Kosovë ishte sfiduese, edhe për një adoleshent, ndoshta edhe si njëfarë rebelimi ndaj kësaj situate ne po dilnim, organizonim ndeja dhe bënim jetën e natës me preferenca tona për muzikë. Në këtë kohë më kthejnë këngët dhe bendet si “Nirvana - The Man Who Sold The World”, “The Cranberries – Zombie” e posaçërisht “Nick Cave & P.J Harvey -Henry Lee”, por në shtëpinë time tingëllonte një këngë tjetër. Shkurte Fejza po i këndonte eksodit kombëtar. Njerëzit po e braktisnin vendin për arsye të ndryshme nga ato politike e deri te ato ekonomike. Sot, rrëqethem kur e dëgjoj! Te njëjtën e kam përdorur në filmin tim “Nëntor i ftohtë” që do ta ketë premierën këtë vit.
 
Kosova Calls For Peace Song
 
Kosova po digjej. Ne në Prishtinë nuk kishim luftë, por situata ishte e tensionuar. Kjo këngë që ishte një bashkëpunim i artistëve të njohur nga Kosova, edhe pse nuk ishte origjinale si ide, prapë po e bënte efektin e saj. Përgjatë kësaj kohe me mendje ishte gjithë bota me ne, por fizikisht ishim të vetëm përballë një makinerie ushtarake që kishte për qellim zhdukjen tonë. Kundër kësaj ideje te çmendur u ngritën jo vetëm politikanët ndërkombëtarë, por edhe artistët “The Kelly Family - Children Of Kosovo”. Shoqëria ime nuk po vallëzonte më “shutke”, ishte kohe e nderë dhe e rrezikshme për jetë nate.  Isha student i filmit, i premtova vetës se një ditë do t’i vizualizoj komplet këto momente dhe si motiv shpesh po dëgjoja “Vangelis - Conquest of paradise”.
 
Schindler's List Theme
 
Isha refugjat në Maqedoni. Prindërit mbeten në Prishtinë. Jetoja në periferi të Shkupit, por ditën e kaloja duke punuar në kampet e refugjatëve. Sa shumë e kam dëgjuar këtë këngë nga filmi me titull të njëjtë i Steven Spielberg. Sa herë e dëgjoj sot, kthehem ne kampin e Çegranit e Stenkovicit. 
 
Lou Bega - Mambo No. 5
 
Viti ’99. Prishtina po buçiste nga këngët dhe muzika. Ato që dikur i quanim “Zhurka” morën një emër tjetër, tani i quanim “Party”. Në to kishte njerëz nga e gjithë bota, gërshetim kulturash e botëkuptimesh. Na priste tranzicion i madh shoqëror, e ne e filluam me vallëzim, muzikë dhe kënga me hitet e kohës siç ishte “Mambo nr. 5”. Me ketë hit kërcente Agimi, Besniku, Ljiljana, John nga Usa, Monther nga Jordania, Chico nga Fiji, Mark nga Austria e Cherrie nga Zimbabve. Nuk do ta kuptonit komplet atmosferën nëse nuk ju rikujtoj edhe këto dy këngë tjera “Macarena-Los del Mar”, “Scatman (Ski Ba Bop Ba Dop Bop)” Zot, kush mund ta mendonte këtë pamje vetëm disa muaj më herët?!
 
Dream Theater-Black Clouds & Silver Linings (Albumi)
 
Isha në programin e Departamentit të Shtetit Amerikan, me një grup filmbërësish nga e gjithë bota. Këtë album ma dha dhuratë një filmbërës nga Afrika e Jugut. Nga ajo ditë “Dream Theater” është bendi im më i preferuar dhe muzikën e tyre mund ta dëgjoj në çfarëdo kohe dhe në çfarëdo gjendje shpirtërore. Bashkë me muzikën e tyre e kam eksploruar tërë Amerikën dhe impakti në jetën time nga kjo muzikë dhe ky udhëtim është evident.

Mc Kresha & Lyrical Son - Thirri Krejt Shoqet feat. Keepman
 
Gjatë gjithë realizimit te filmit “Nëntori i ftohtë” e kam dëgjuar këtë këngë në dëgjuese. Nuk është se kam ndonjë arsye specifike, nuk është as teksti, por ndoshta ritmi i këngës ka qenë shumë motivues për mua për plotë 29 ditë radhazi në shesh-xhirim, në temperaturat deri në -20 C.