Nënshkruhet memorandumi për restaurimin e hamamit të Prishtinës

Kultura April 25, 2018 - 10:15

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Komuna e Prishtinës dhe TIKA kanë nënshkruar të martën një memorandum bashkëpunimi për restaurimin e Hamamit të Prishtinës, që ndodhet një pjesën e vjetër të qytetit.

Përveç kësaj ishte paraparë që të nënshkruhej edhe një marrëveshje e tillë edhe me Bashkësinë Islame për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë, por u tha se për shkaqe teknike është shtyrë nënshkrimi. Sekretari i MKRS-së, Veton Firza, tha se është i lumtur që po arrihet kjo marrëveshje bashkëpunimi për të restauruar këto objekte me kaq rëndësi për trashëgiminë kulturore në komunën e Prishtinës.

“Nënshkruam këtë memorandum dhe qëllimi i këtij memorandumi është restaurimi i hamamit të Prishtinës dhe oborrit përreth tij. Jam i kënaqur që kjo po behët në kuadër të interesave të trashëgimisë kulturore për ruajtjen dhe restaurimin e objekteve”, tha Firza.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se komuna nuk ka pasur mjete financiare për  restaurimi e këtyre objekteve dhe se ndihma e TIKA-s do ta ndihmojë  trashëgiminë kulturore të komunës.

“Xhamia e Çarshisë është xhamia më e vjetër në Ballkan dhe ky memorandum trepalësh do të bëjë restaurimin që këtë objekt të rëndësishëm ta shpëtojmë aq sa mundemi”, tha Ahmeti.

Por kur do të përfundojë projekti dhe sa do të kushtojë nuk dha detaje Burak Hasan, koordinator i TIKA-s për Kosovë. Në këtë takim u tha se TIKA do të vazhdojë të ndihmojë në këtë aspekt, sepse këto dy objekte e kanë ndërtuar një imazh të keq për Kosovën dhe prandaj duhet restaurimi i tyre.

“Jemi te gëzuar që sot jemi këtu për të nënshkruar për dy monumente, hamamit të Prishtinës dhe xhamisë së Çarshisë. Shpresojmë që së bashku me ministrinë e kulturës, rinisë dhe sportit dhe ekspertët e institutit për mbrojtjen e monumenteve dhe komunën e Prishtinës do të realizojmë me sukses dhe do të përmbyllen këto punime me sukses”, thanë përfaqësuesit e TIKA-së.

Hamami i Madh në Prishtinë është monument i rëndësishëm dhe gjendet në një ansambël po aq të rëndësishëm urban në qendër të Prishtinës. Afërsia me tri xhamitë historike, Sahat Kullën, me disa shtëpi nën mbrojtje dhe me një pazar, duke pasur edhe qasje në një ndër rrugët kryesore të qytetit, paraqet mundësi të zhvillimit dhe të ringjalljes së kësaj zone të rëndësishme për qytetin. Data e saktë e ndërtimit nuk dihet, por në bazë të shënimeve që ekzistojnë duhet të jetë ndërtuar në shek. XIV-XV, duke u shfrytëzuar nga qytetarët e Prishtinës me gjenerata të tëra. Hamami është i tipit çift, pra është shfrytëzuar nga meshkujt dhe femrat në të njëjtën kohë. Edhe pse hamami ka pësuar ndryshime të shumta, veçanërisht në fasadën ballore dhe lindore, forma origjinale e bazës dhe pjesa më e madhe e strukturës është ruajtur. Si i tillë, hamami ka vlera të larta, sidomos historike, shoqërore dhe shpirtërore.

A.S.