“Multimedia” bashkoi poetët

Kultura April 25, 2018 - 10:12

Poetët Arbër Selmani, Ardiana S. Prishtina, Edi Shukriu, Genc Kadriu e Sibel Halimi u bën bashkë mbrëmjen e se hënës për të sjellë para publikut të mbledhur në Qendrën “Multimedia” krijimet e tyre letrare. Të gjithë këta poet lokalë, përveçse sollën në skenë shkrimet e tyre, diskutuan hapur edhe për frymëzimet e tyre letrare, stilet dhe procesin e të shkruarit përgjithësisht, shkruan sot gazeta "Zëri".

Mbrëmja u hap me poetin, gazetarin dhe redaktorin e kulturës, Arbër Selmanin, i cili solli dy poezi të veta dhe një pjesë proze. Poezitë e Selmanit, të titulluara “Adami”, “Kur vdiq baba” si dhe pjesa e prozës sollën një qasje personale të autorit, i cili për gazetën “Zëri” theksoi se kjo mbrëmje po e kthen në skenën letrare pas gati dy vitesh.

“Ka shumë kohë që nuk i kam lexuar poezitë e mia askund. Ndodhin disa gjëra në jetë që të shtyjnë të reflektosh dhe pastaj vendosa që sërish këto ndjenja t’i qes në poezi. Kjo është një mundësi me qenë sa më i sinqertë.  Poezitë që i lexova sonte janë ekstremisht personale. Është e vështirë të lexosh diçka të tillë para publikut, por e di që të gjithë njerëzit herë do kur kalojnë nëpër këto emocione. Më vjen mirë që Bashkimi Evropian po përkrah projekte të tilla. Neve na mungon një festival i letërsisë, përveç festivalit‘POLIP’ që organizohet, kishte qenë mirë të kemi më shumë të tilla që edhe të rinjtë që shkruajnë ta kenë një mundësi ku t’i promovojnë shkrimet e veta”, tha Selmani.

Në anën tjetër, psikologja dhe aktivistja e shoqërisë civile, Ardiana S. Prishtina solli në këtë mbrëmje disa nga poezitë e saja, ku u përfshinë “Me u ba njeri”, “Teneqe mahalla” , e të tjera. Për gazetën “Zëri” Adriana tha se organizime të tilla si ky i “Multimedias” janë të mirëpritura për të gjithë ata që duan t’i ndajnë më të tjerët shkrimet e tyre.

“Procesi i të shkruarit është një proces i vetmuar, kurse procesi i të lexuarit para të tjerëve është krejt diçka tjetër. Është mirë që organizime të tilla të bëhen më shpesh, edhe pa pasur ndonjë datë të caktuar kalendarike siç është kjo, Dita e Librit. Këto organizime  hyjnë në edukimin joformal dhe ju shërbejnë shumë të rinjve që janë të interesuar për këtë fushë”, theksoi Adriana S. Prishtina.

Gjatë diskutimit e sipër për poezitë e saja, të cilat u konsiderua se i karakterizon njëfarë “mllefi”, poetja Prishtina tha se ky element vjen qëllimshëm në shkrimet e saja.

“Fillimisht kjo është ndjenjë, por vjen qëllimshëm. Ne jemi rritur me përralla. Jemi rritur me zbukurime të realitetit qoftë historik apo të më vonshëm. Përpjekja ime është që tjetri ta njoh realitetin e vet”, tha Prishtina.

Pjesë e kësaj mbrëmje letrare u bë edhe shkrimtarja e arkeologia Edi Shukriu, e cila lexoi para publikut poezi të shkruara viteve të fundit, por edhe të tilla që u shkruan para vitit 2000. Shukriu foli për procesin e shkrimit por edhe vështirësitë e botimit në Kosovë, në periudha të ndryshme.

“Dikur ka qenë më lehtë, e dërgoje shkrimin në Rilindje apo diku tjetër, ishte komisioni që e vlerësonte dhe pastaj botohej ose jo. Sot është më e vështirë, sot duhet të ulesh nëpër kafe, e të përballesh me lloj-lloj vështirësish” , tha Shukriu.

Në mbrëmjen poetike të “Multimedias” artisti multimedial Genc Kadriu solli një poezi krejtësisht të veçantë, të frymëzuar nga një vepër artistike. Pasi lexoi poezinë e tij në gjuhën shqipe dhe atë angleze, Kadriu foli për procesin e përkthimit dhe të shkruarit poezi në të dyja gjuhët.

“Të përkthesh do të thotë të shndërrosh (To translate is to transform). Përkthim i mirë është atëherë kur poezia në gjuhën e përkthyer i rrinë shpirtit poetik të poezisë në origjinale”, tha Kadriu duke theksuar se procesin e përkthimit e percepton si një adaptim prej një gjuhe në tjetrën.

Nata në “Multimedia” u mbyll me sociologen dhe poeten Sibel Halimi që para të pranishmëve lexoi poezitë “Kohë e krimbave”, “E di pse”, “Tjetra e vërtetë”, Transformim”, “Copë”, etj.

Halimi u pyet për dyzimin e saj si sociologe e angazhuar në hulumtime, shkrime publicistike e filozofi dhe në anën tjetër shkrimin e poezive e mënyrën sesi këto angazhime ndikojnë tek ajo.

“Premisa qendrore e të dyjave është shqetësimi dhe kjo i bën bashkë. Jam e shqetësuar në sociologji, jam e shqetësuar në filozofi e shumë më shumë jam e shqetësuar në poezi. Në poezi çlirohem duke vuajtur prej këtyre të dyjave. Gjithë kohën kam luftuar edhe me filozofë edhe me sociologë, duke thënë se poezia nuk është vetëm imagjinatë, por është një realitet sociologjik dhe filozofik. Sociologji dhe filozofi ka edhe në poezi”, tha ndër të tjera Halimi.

“Multimedia” organizoi këtë mbrëmje letrare për ndër të 23 Prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit, në kuadër të projektit “Kultura për ndryshim” që menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe zbatohet nga Qendra “Multimedia” dhe “Goethe-Institut”. Zëri