Pak aktivitete në Ditën Botërore të Librit

Kultura April 24, 2018 - 09:58

Krim më i madh se djegia e librave, sipas Joseph Brodsky, është mos leximi i tyre. Rëndësia e leximit të librave u potencua edhe në një varg aktivitetesh që u mbajtën në Prishtinë dhe në qendra tjera, të hënën më 23 Prill, kur edhe u shënua Dita Ndërkombëtare e Librit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Të hënën Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit, ka hapur dyert për vizitorë dhe ka organizuar aktivitet, në të cilat kanë marrë pjesë nxënës, arsimtarë e qytetarë. Aty për të rinjtë u bë thirrje që të përdorin më pak teknologjinë dhe më shumë të lexojnë.

Udhëheqësja e Departamentit të Arsimit Bibliotekar në bibliotekë, Ramize Bajraktari, tha se nuk mund të themi se ka rënë lexueshmëria, por sipas saj, nuk mund të haset edhe në shumë lexues pasionontë. Ajo ka thënë para nxënësve se teknologjia po e zbeh mësimin, por ajo asnjëherë nuk mund të zëvendësoj librin fizik. Bajraktari u bëri thirrje nxënësve që sa më shumë të lexojnë, sepse, sipas saj, leximi ndikon në krijimin e personaliteti dhe nxit të menduarit kritik.

“Kjo datë domethënëse është caktuar për t'i bërë homazh librit dhe autorëve të tij. Është një thirrje që të rris respektin për autorët e librave, prandaj është ngjarja më e sponzorizuar nga UNESCO. Librat janë mundësi për lirinë e shprehjes dhe shpërndarjen e informacionit. Çdo libër përcjellë diçka të re. S’mund të themi se ka rënë leximi në ndërkohe, por jo shume mund të hasim në lexues pasionontë. Teknologjia po e zbeh mësimin”, ka thënë ajo.

Image

Bajraktari ka kërkuar nga institucionet të hartojnë dhe implementojnë politika të qarta në këtë drejtim.

“Përpjekjet për të nxjerr në pah vlerat e librit janë sfidë për të cilën duhet të ndërgjegjësohemi dhe të dyfishojmë përpjekjet për te promovuar librin. Përgjegjësia më madhe bie mbi institucionet e arsimit dhe kulturës, të cilët duhet të punojnë në hartimin dhe implementimin e politikave të qarta në këtë drejtim”, ka theksuar ajo.

Drejtoresha e shkollës fillore“Ismail Qemaili”, Hatmane Demiri, u ka bërë thirrje të rinjve që t'i lënë anash telefonat dhe të lexojnë sa më shumë libra, sepse sipas saj, shteti nuk mund të zhvillohet pa dije e njohuri.

“Libri duhet të jetë ditë për çdo ditë. Në momentin që nuk lexojmë ne kemi vdekur. Sa më shumë të lexojmë, sa më shumë të vizitojmë bibliotekën, t'i lëmë ata telefona, sepse libri kur lexohet ‘live’ është shume më i mirë. Fëmijët e kanë lënë pak librin anash, por me një sensibilizim nga të gjitha shkollat, ne dhe akademia të bëjmë thirrje që sa më shumë të lexojmë, sepse shteti nuk ecë përpara pa lexim, dije e njohuri”, ka theksuar Bajraktari.

Për hir të Ditës Ndërkombëtare të Librit më 23 Prill, në kuadër të projektit “Kultura për Ndryshim”, Qendra Multimedia dhe Insituti Goethe, organizuan edhe një lexim publik në Prishtinë, në hapësirën e Qendrës Multimedia, ku u mblodhën dashamirët e fjalës së shkruar. Autorët që lexuan aty ishin: Arbër Selmani, Ardiana Shala Prishtina, Edi Shukriu, Genc Kadriu, Sibel Halimi. Në kuadër të këtij projekti Multimedia organizoi edhe një lexim publik në Ferizaj, në bibliotekën komunale “Sadik Tafarshiku”, ku u prezantuan autorët Bardh Frangu, Besnik Jaha dhe Dije Demiri-Frangu.

Dita Botërore e Librit u shpall më 15 nëntor të vitit 1995, me një rezolutë të UNESCO-s, pasi u morën në konsideratë faktet se libri ka qenë, historikisht, instrumenti më i fuqishëm i shpërndarjes së njohurive dhe mjeti më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive, se çdo nismë për promovimin e librave të rinj është një faktor i pasurimit kulturor etj.

Në fakt kjo ditë mori shkas nga katalonasit në Spanjë, të cilët në këtë mënyrë donin të respektonin ditën e vdekjes së shkrimtarit të madh Miguel de Servantez, përkatësisht 23 prillin e vitit 1616,  autorin e romanit të njohur "Don Kishoti". Katalonasit në fillim dhuronin nga një trëndafil për ata që blinin ndonjë libër. Pastaj libri filloi të shpërndahet edhe si dhuratë në këtë ditë. Pastaj kjo ditë u pasurua edhe me motivin se pikërisht më 23 prill kishte lindur dramaturgu më i madh William Shekespeare. Në shumë vende kësaj dite ia shtuan edhe motivin e ditë ës lindjes apo të vdekjes së ndonjë autori të tyre. Kështu kjo ditë u bë nga ditët më të rëndësishme në fushën e kulturës për shumë vende të botës. Zëri