Dita që shpërfaq mjerimin tonë kulturor

Kultura April 23, 2018 - 10:03

Dita Botërore e Librit përbën një motiv më shumë që njerëzit të shfrytëzojnë rastin për të shfaqur respektin ndaj autorëve dhe librave në përgjithësi, pa të cilat kjo botë nuk do të kishte dalë nga shpellat dhe nuk do të kishte mundësinë ndryshe ta falënderonte Prometheun që ia vodhi zjarrin Zeusit dhe na e fali dritën që të shohim dhe ta njohim boten dhe veten. Ideja që 23 prilli të jetë Ditë Botërore e Librit u pranua nga UNESKO më 1995, në Paris, ndërsa katalonasit ishin ata që e popullarizuan këtë ditë duke shënuar kështu vdekjen e shkrimtarit të madh Miguel de Servantes (23 prill 166), të njohur me romanin e tij "Don Kishoti". Po në këtë ditë rastisi të kishte lindur edhe dramaturgu i madh William Shekespeare. Po UNESKO nuk e kishte menduar që në programin e saj, nëpërmjet kësaj dite të kujtonte dhe respektonte vetëm këta dy kolosë, por këtë ditë e kishte veçuar edhe për faktin që nëpërmjet këtij manifestimi të afirmohej jo vetëm leximi, por edhe e drejta e autorit, gjë kjo e cila paraqet një problem global edhe sot, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dihet që në esencë luftërat paraqesin rrënimin e civilizimeve, në këtë kuptim ato përcaktojnë edhe fatin e librave. Po kur fati i librit kundrohet në kontekstin historik, sigurisht gjëja e para që na bie në mendje është eseja e njohur e Horhe Luis Borhesit "Librat dhe muri", ku dëshmohet se monumenti më i dukshëm në planet, Muri Kinez, një nga shtatë mrekullitë e botës, ishte ngritur pikërisht nga ata që nuk e kishin respektuar urdhrin e mbretit kinez për t'i djegur të gjitha librat që ishin shkruar deri atëherë.

Sigurisht që kësaj dite, nëpër vendet e zhvilluara të botës, njerëzit i kushtojnë rëndësi të madhe, madje janë institucionet shtetërore ato që kujdesen më shumë, sepse në fund të fundit vetë kultura është një problem politik që përcakton kahet dhe zhvillimet e një shoqërie. Po në këtë kuptim si do të dukej një ditë e tillë tek ne? Të mësuar me improvizimet, si filozofi e vetme e sjelljes dhe të vepruarit tonë, do të ndeshim ndonjë manifestim sa për të thënë, por më shumë jo. Jo sepse në politikat tona shtetërore kultura vendoset pas sportit (shihni ligjin për sponzorizimet) dhe si e tillë vazhdon të ketë një trajtim të dorës së dytë. Në kudër të kësaj edhe libri nuk mund të ketë fat më të mirë, përkundrazi.

Tani ne në Kosovë, në një anë ndeshemi me fenomenin e hiperkrijuesve, ndërsa në anën tjetër ndeshemi me deficitin e lexuesve. Tani libra mund të gjesh shumë, po lexuesit duhet kërkuar si me llambën e Diogjenit. Në një situatë të tillë zor është t'i japësh kuptim kësaj dite kaq të rëndësishme që UNESKO (pjesë e së cilës nuk jemi ne!) e ka veçuar për librin, për të cilin egjiptasit vlerësonin se libri është më i vlershëm se të gjitha përmendoret, sepse ajo vetë ndërton përmendore në zemrën e atij që e lexon. Se tek ne lexohet fare pak, madje në nivel alarmues, kjo mund të vërehet edhe nga paraqitjet publike të njerëzve tanë, të cilët dëshmojnë mungesë shqetësuese të krijimit të një konstrukti sintaksor, gjë kjo e cila drejtpërsëdrejti vije si pasojë e mungesës së leximit.

Në anën tjetër, po ta shikojmë gjendjen që e kemi në kontekstin e të drejtave të autorit, duhet të shqetësohemi edhe më shumë. Kaq matrapazë të shumtë kemi që keqpërdorin këto të drejta sa nuk mund të merret me mend. Shtëpi të tëra botuese zhvillojnë veprimtaritë e tyre pikërisht duke vjedhur të drejtën e të tjerëve. Përkundër kësaj nuk kemi ndonjë rast që dikush të ketë dhënë përgjegjësi për këtë. Madje, për më keq, këto vjedhje kanë të bëjnë me tekstet që kryesisht përdoren si lektyrë shkollore!

Uroj që këtë ditë kaq të rëndësishme të mos e lëshojnë pa e kujtuar së paku ata që i takojnë gjeneratës që jo vetëm i kanë lexuar librat fshehurazi, por edhe i kanë përshkruar në mënyrë që t'i bëjnë pronë të tyre. Po e përmbyll këtë shkrim me thënien lapidare të Ciceronit: "Të bësh një bibliotekë në shtëpi, do të thotë t'i dhurosh shtëpisë shpirt". Zëri