Në kujtim të MTV-së dhe revolucionit muzikor

Kultura April 23, 2018 - 10:01

Prej vitesh aktorja Irena Cahani rrëmben zemrat e publikut me paraqitjet e saja të suksesshme në teatër, film e seriale. Kësaj radhe, e ftuar nga gazeta “Zëri”, Cahani nuk flet për ndonjërin nga këto role, por për muzikën. Në rubrikën javore të së hënës, të titulluar “Rrëfej përmes muzikës”, Irena na tregon se cilat janë dhjetë krijimet muzikore që zënë vend të veçantë në kujtesën e saj. Përmes kësaj liste muzikore ajo na shëtit nëpër periudha të ndryshme kohore dhe na lejon ta njohim më mirë, shkruan sot gazeta "Zëri".

"Princeza i Bitanga" nga "Bjelo dugme"

Muzika ka qenë edhe është pjesë e përditshmërisë sime. Për shembull kënga  “Princeza i Bitanga" që në shqip i bie "Rrugaçi dhe princesha" e një bendi të ish-Jugosllavisë, "Bjelo dugme", më kthen në fëmijërinë e hershme. Këtë këngë, vëllai im i dytë dhe unë e kemi pasur përcjellëse kur e kemi thyer xhamin e kuzhinës me një porte (kliker), kur kemi dashur ta balsamojmë një flutur me benzinë, e gati e kemi djegur shtëpinë e shumë sherre të tjera!

“Babushka” – Kate Bush

Sa herë e dëgjoj këngën e Kate Bush "Babushka", më kujton udhëtimin! Unë e vogël, duke ndenjur pas karriges të vozitësit, në këtë rast babës, dhe duke kënduar me sa zë që kisha e për fat kurrë s'kemi bërë aksident, haha!

"Aux talons de ses souliers" nga Enrico Macias

Këtë këngë e kam dëgjuar te daja, i cili e kishte pllakën e tij (në atë kohë i kemi thanë pllakë e tash po i thuhet vynyl). Shumë e kam dëgjuar, si duket kam qenë e dashuruar në këngëtarin! Ma kujton një kohë pa brenga, verën, lojërat me vajzat e dajës (Rebekën e Kozetën), rrugën e "Dubrovnikut" që shumë e kam dashur, se sa herë ngjitesha, e kisha një ndjenjë që kur të mbërrija në Kodër të Diellit, kam me pa detin!

Këngët nga MTV

Zbulimi i antenave satelitore, do me thënë vitet 85 e tutje, ishte kënaqësi. E kemi pas MTV -në ku kemi mundur të dëgjojmë muzikë 24 orë, sikur prindërit mos t’i  kishin dëgjuar lajmet çdo orë! Kanë qenë vite të një lloj revolucioni muzikor. Madonna, Michael Jackson, Wham e shumë të tjerë. Po si ngushëllim e kemi pasur një studio e cila ka pasur kasetofon, radio dhe gramafon, përveç kësaj kemi mundur dhe të incizonim.  Eh, në këto vite shumë këngëve jemi munduar t'ua nxjerrim tekstet, si "Papa don't preach" e Madonës, "Careless whisper" e bendit “Wham” e shumë tjera, se s’kemi pasur Google, e ajo nxjerrje e teksteve ka qenë mos vet, në të shumtën e rasteve gabim, haha. Pas nxjerrjes së teksteve i kemi kënduar, zakonisht kur vinte Venera, shoqja ime e mirë. Aq shumë i jepnim zor sa shumë shpesh hynte nëna në dhomë duke na thënë: “Çika, pak më ngadalë!”.

"Unchain my heart" nga Joe Cocker

 Joe Cocker dhe kënga e tij "Unchain my heart" më kujton kohën e kafiterisë “Gjani”.Vend ku gjatë verës ka pasur aq shumë të ri saqë edhe rrugën e zinim, por fatmirësisht s'ka pasur shumë qarkullim në atë kohë.

“A vritet pafajësia” nga Leonora Jakupi

Viti 1998, kohë të vështira, luftë. Unë me dy djemtë, Fisin 2.5 vjeç e Tomorin 2 muaj e gjysmë, pata ikur në Shqipëri. Pritej të përhapej lufta edhe ma shumë dhe ika. Para lajmeve të TVP - së, qe u transmetoheshin nga studiot e TVSH, zakonisht e lëshonim një këngë të Leonora Jakupit, "A vritet pafajsia". Sa kam qenë në Shqipëri vazhdimisht kam qarë me këtë këngë.

"You'll be in my heart" nga Phil Collins

Vitet 2000, në të shumtën e rasteve kam dëgjuar këngët e filmave vizatimor për shkak të fëmijëve. Njëra prej tyre është kënga e Phil Collins "You'll be in my heart" , prej filmit vizatimor “Tarzan". Ma kujton kohën kur fëmijët kanë qenë të vegjël, kur gjithçka dukej qysh ish dashur me qenë, përveç kësaj lufta kishte përfunduar, ishim në liri dhe shpresonim se kemi me u bo një shtet alla Zvicër! ( Ja kam bërë qejfin vetes).

"Je suis malade" nga Lara Fabian

"Je suis malade" e Lara Fabian, është një këngë e cila m'i kujton xhirimet e filmit "Tri dritare dhe një varje".

“Happy” nga Pharrell Williams

Kënga "Happy" e Pharrell Ëilliams, ka qenë kënga me të cilën jam zgjuar për  një kohë shumë të gjatë. Këngë e cila më ka shty t’i jap vetes një motiv për të kaluar ditën, për t’i kushtuar vetës kohë. Nuk është këngë, të cilën tash e dëgjojë me shumë qejf, sepse më kthen në një kohë jo të mirë.

Cello

Eh tash, kohëve të fundit, po i dëgjoj dy cello. Janë të gjitha cover të këngëve të cilat i kam dëgjuar edhe po kënaqem shumë!

 

Zëri