Në Bienalen e Venedikut me historinë e të nëntëdhjetave

Kultura April 21, 2018 - 09:32

Në edicionin e 16-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arkitekturës – Bienalja e Venedikut 2018, në Pavilionin e Kosovës, kuratore e së cilit është arkitektja dhe artistja Eliza Hoxha, nën titullin “The city is everywhere” (Qyteti është gjithandej) do të paraqiten shtëpitë kosovare gjatë viteve të 90’ta, si kompensim për qytetin. Ky Pavilion do të tregojë se si gjatë viteve 90’ta shqiptarët u përjashtuan nga jeta institucionale publike për shkak të situatës politike në vend dhe se si shqiptarët ndërtuan sistemin paralele të institucioneve nëpër shtëpi private.

Në një konferencë për media, mbajtur të premten në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Kujtim Gashi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit theksoi se një pjesëmarrje e tillë është shumë e rëndësishme për shtetin e Kosovës.

 

“Për ne si shtet është shumë e rëndësishme të jemi në një ngjarje të tillë që shënon arritje kulturore, hap tema dhe debate të reja që lidhen me qytetin, marrëdhëniet e njerëzve me të, proceset globale që e implikojnë atë dhe vendimet politike që merren me të. Andaj, ku ka më mirë se në një ngjarje të atillë si kjo Kosova të shpalos rrëfimet e saja pas një viti mungese ose mospjesëmarrje”, tha ministri Gashi.

 

Kuratorja e Pavilionit të Kosovës, Eliza Hoxha, tha para gazetarëve se ka qenë sfiduese vendosja e temës së pavilionit në kontekstin e temës së përgjithshme që është ‘Hapësira e lirë’ dhe që ka menduar gjatë se si mundet Kosova të prezantohet në kornizën e kësaj teme

 

“Konteksti i viteve 90’ta është një kontekst që është shumë pak i eksploruar për shumë arsye. Mendoj që ka qenë moment  i mirë t'ju rikthehemi dhe ta rimendojmë si një rrëfim magjik, gjithëpërfshirës, qysh kanë qenë ato vite, gjithë përfshirëse”, tha Hoxha.

 

Tutje ajo tregoi se si Pavilioni i Kosovës paraqet një shtëpi në ndërtim e sipër dhe të pakryer, për shkak të këtyre funksioneve shtesë, ku e brendshmja paraqet të jashtmen, njëkohësisht. Hapësira e Pavilionit të Kosovës është e mbështjellë me pasqyrë, ku ajo krijon efektin  e zgjerimit dhe hapjes si metaforë për lirinë psikologjike, por jo dhe atë fizike. Pjesë e Pavilionit të Kosovës janë edhe satelitët, ata në këtë Pavilion po përdorën si strehë, për të treguar rolin që kishin dikur në Kosovën e izoluar.

 

“Streha jonë në Pavilion janë satelitët, të cilët janë streha jonë shpirtërore me të cilët jemi ushqyer informativisht dhe kulturalisht. Jemi formësuar si gjeneratë dhe i kemi pasur shumë të rëndësishëm”, tregoi Hoxha.

Ekipi i Pavilionit të Kosovës pati bërë thirrje publike për mbledhjen e këtyre satelitëve nga qytetarët, të cilët nuk i përdorin. E pyetur nga gazeta “Zëri”, Hoxha tregoi se fatkeqësisht kësaj thirrje nuk iu përgjigjën shumë qytetarë.

“Shumë pak njerëz i janë përgjigjur kësaj thirrje. Arsyet nuk i dimë. Ndoshta ky është një test në kuptimin e aktivizimit. Nëse ky aktivizim social që ka qenë në vitet e 90’ta është zbehë, ndoshta ky është një parametr matës që na bën neve të mendojmë dhe reflektojmë vetën në këtë pasqyrën e Pavilionit, se si duhet të sillemi karshi shtetit dhe reprezentimit tonë të ri”, tha Eliza.

Pavilioni i Kosovës ka nevojë për rreth 80 satelitë dhe thirrja për dhurim vazhdon të jetë e hapur. Pavilioni i Kosovës në Venedik hapet me 24 maj.