Na ka humbur orientimi si komb

Kultura April 21, 2018 - 09:30

Në rubrikën e rregullt të së shtunës "Jepi Zërit", prezantojmë Agron Alibalin, i cili ka lindur në Tiranë dhe i cili e ndan kohën midis Bostonit dhe Shqipërisë. Ai ka studiuar drejtësi në universitetet e Tiranës, Bostonit dhe Harvardit. Për veprën studimore "Faik Konica - Dritëhijet e një Diplomati", ka marrë çmimin "Faik Konica" të Federatës Pan-Shqiptare VATRA në SHBA, si dhe Çmimin për Veprën më të Mirë Studimore në Panairin e Librit, Tirana 2017. Është nderuar me Certifikatë Mirënjohjeje nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë "për iniciativën, përkushtimin e thellë dhe përmbushjen e dëshirës së Faik Konicës për t'ia besuar librat e bibliotekës së tij Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë".

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

"Si ka mundësi?" është pyetja që i bëj më shpesh vetes. Është i ashtuquajturi Ligji i Mërfit (Murphy). Shkurt shpjegohet kështu: nëse je në metro duke pritur trenin, me siguri që treni i kahes së kundërt do të mbërrijë më parë. Pyetja më vjen ndërmend sidomos atëherë kur, sikurse në metaforën e trenit, ndihem tërësisht i vendosur të rrugëtoj në një kahe të caktuar, por për çfarëdo shkaku, rrugëtimi aq i dëshiruar nuk njëmendësohet.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Varet nga koha dhe vendi. Udhëtimi i zakonshëm në rininë e parë ishte rruga për në bibliotekë, që ishte dera e dijes dhe streha e sigurt në kohën e diktaturës. Sot është rruga buzë Lanës, plot pemë anash, për në punë. Kurse kur ndodhem jashtë, udhëtimi i zakonshëm është në natyrë, mundësisht në Plazhin që Këndon (Singing Beach). Si pasojë e një formacioni të rrallë gjeologjik, tek e shkel pafajësisht me shputë, rëra të përgjigjet me një kuisje të ëmbël. Atje kaloj momentet e domosdoshme të përsiatjes, qetësisë e kthjelltësisë, në ajrin e pastër, nën zhurmën e dallgëve që e puthin rërën herë butësisht, herë me shkumë e pasion, rrethuar nga ngjyrat përhumbëse e të papërsëritshme të horizontit.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Janë disa. "Tre shokë" i Erich Maria Remark, është një ndër librat rrëmbyes të fëmijërisë, që qysh herët shpalosi botën e tmerrshme të luftës, por edhe universin e bukur të dashurisë së kthjellët e shoqërisë së vërtetë. Tjetër, novela "Breznitë e Hankonatëve", e Kadaresë, një analizë e jashtëzakonshme artistike e dramave, tragjedive, intrigave në historinë 200 e ca vjeçare të një familjeje toske në Gjirokastër, me plot penelata të së drejtës zakonore. Dhe së fundi, një libër nga bota e shkrimtarëve tanë të talentuar, e kurrsesi të harruar: "Net gjahtarësh" e Miço Kallamatës. Për këtë të fundit nuk po shprehem më tej, pasi e meriton të rizbulohet përmes leximit! Dhe së fundi, një libër të dashur në një gjuhë të huaj, të cilin e zbulova para dy vjetësh, por që nuk arrita ta përfundoj...

Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare?

Përpiqem të mbahem optimist. Të gjej fillin në rrëmujën sociale, kibernetike e mediatike. Shqetësues është mendimi që, sikur na ka humbur busulla, apo orientimi si komb. E pra ka kombe të tjera që janë ngritur dhe kanë sfiduar historinë dhe sot respektohen gjithkund. Po ne?

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Së pari, më duhet të them se kultura e vërtetë, si përçim vlerash të mirëfillta, që u përkasin të gjithëve, nuk mund të bashkohet apo të ndikohet nga politika e ditës, gjë që ndodh jo rrallë në trojet arbërore.  Tjetër: e vërteta e madhe shprehet, por nuk vlerësohet sa duhet në thelb: jemi komb i vogël, me gjuhë e kulturë të lashtë, vlera të njëjësishme që sot ndihen të rrezikuara. Albanologjia, për shembull, renditet sot si ndër lëndët pa të ardhme në universitetet perëndimore. Çabej e thotë bukur: shqipja është pasuria më e madhe dhe e vetme që kemi. Dhe ç'mund të bëjmë ne sot për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën, kur e kemi më shumë se një shtet?  Ka përpjekje të lavdërueshme, sidomos në Kosovë, për ruajtjen dhe pasurimin e standardit. Por, në përgjithësi nuk bëjmë sa duhet. Harrojmë se me hapat, apo vendimet që marrim sot i japim drejtim së nesërmes. Një shembull: studiuesi Ben Andoni ka hedhur idenë që godina e ish-Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës të kthehet në aneksin albanologjik të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. E pse të mos bëhet kjo? Pse të mos kthehet ajo në qendrën depozitare mbarëkombëtare të albanologjisë në mijëvjeçarin e tretë - kësaj shkence aq të çmuar e tashmë të rrezikuar?

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Kadareja shkruan diku për nostalgjinë e natyrshme dhe beninje për të kaluarën. Në studimet e së drejtës zakonore referohet jo rrallë Ligji i Lashtë e i Mirë. Mirëpo shoqëria ecën objektivisht përpara. Idealja do të ishte një e sotme që, bashkë me zhvillimin e natyrshëm, do të trupëzonte vlerat e së kaluarës, si dhe një e nesërme që do të ishte edhe më e mirë e gjithëpërfshirëse se sa e sotmja.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Në fushën e pikturës do të veçoja një vepër, më ngjan, të piktorit vlonjat Sabaudin Xhaferri: Djegia e Tragjasit. Kisha lexuar për fshatin piktoresk, të cilin e pat vizituar Edward Lear-i në vitin 1848, prej nga na la një peizazh mahnitës të një vendi plot jetë, si dhe dy-tre faqe të jashtëzakonshme nga ditari, ku përshkruan zemërbardhësinë tragjasiote, pavarësisht nga varfëria e skajshme. Tragjasi më doli më pas në hulumtimet e mija në arkivat amerikane. Para ca kohe vizitova Tragjasin e vjetër, të shkrumbuar, njëlloj si në ditën e krimit. Në zbritje, tek një hotel restorant në fushë, më goditi piktura e Xhaferrit: pasqyrimi me realizëm akribik i shkatërrimit, i zjarrit, ikjes, së turmave të njerëzve, shumica gra. Kishte pa dyshim edhe një paralelizëm të fuqishëm me Kosovën ajo pikturë. Ndër poezitë, do të veçoja kryeveprën në anglisht të Faik Konicës, "Sonet në kujtim të një vashëze të vdekur", që e mbuloj tek "Dritëhijet".

Ndër këngët shënoj "S'ma njohe zemrën", teksti nga i madhi Betim Muço, muzika Jetmir Barbullushi, kënduar nga Bashkim Alibali.

Kurse, ndër filmat, pa dyshim filmin "Skënderbeu", që ka fituar dy çmime në Festivalin e Kanës, dhe për të cilin kam edhe mbresa të forta dhe të çmueshme personale.