Edicioni i 5-të i festivalit "Erdhlezeti" sjellë shfaqje unike nga e gjithë bota në Prishtinë

Kultura April 20, 2018 - 11:21

Me mesazhin “MUZIKA ËSHTË GJUHA JONË!”, Erdhlezeti Festival 2018 mbahet me 6 Maj, prej orës 12:00 deri në orën 23:00, në platonë përpara librarisë/kafes Dit’ e Nat’.

Sivjet, lista e performuesve përbëhet nga grupe muzikore tejet unike nga Kosova, Slovenia, e Hungaria. 

Për vitin e 5-të me rradhë, Festivali Erdhlezeti i paralajmëron artistët që do performojnë në qendër të Prishtinës me 6 Maj për të festuar Shën Gjergjin, duke i kujtuar Kosovarët edhe njëherë që vera është fare pranë.

Erdhlezeti është festival i muzikës që sjellë tinguj nga e gjithë bota në kryeqytet, e i jep rast publikut që ta shuajë etjën për shfaqje të veçanta muzikore pak para se të shpërthejë periudha kaotike e verës.

Festa e Erdhlezetit fillon në terrasën e Dit’ e Nat’ me Ashikët e Gjakovës, një grup jo-tipik i burrave Gjakovar që këndojnë vetëm në hapësira të mbyllura, rreth sofrës, me plot meze në tavolinë.

Ashikët e hapin festivalin me disa nga këngët më autentike të repertoarit tradicional të muzikës Gjakovare e Shkodrane.

Erdhlezeti ka lindur në Dit’ e Nat’, me idenë që muzika ka fuqinë t’i bashkojë njerëzit. Për të kaluar vëmendjen tek bina kryesore, sivjet festivali ka formuar “bendin e shtëpisë”.

Erdhlezeti All Stars vjen me plot këngëtarë e artistë nga zemra e kryeqytetit – me disa surpriza marramendëse që do të publikohen në ditën e festivalit.

Festa vazhdon me Nesesari Kakalulu, një grup Slloven, i krijuar nga dëshira e flaktë e anëtarëve për të eksploruar ritmet e muzikës afrikane. Afrobeat-i i Nesesari Kakalulu e detyron dëgjuesin të vallëzojë me çdo kusht. 

Dhe për fund, fokusi shkon te performanca kryesore e natës. Besh o droM është një kolektiv muzikor Hungarez i përbërë prej 8 muzicientëve, të apasionuar për kombinime të instrumenteve e tingujve nga më të ndryshmet. Muzika e tyre inspirohet nga folku Rom nga Evropa Lindore, tingujt e klarinetit të Mesdheut, si dhe ritmeve perkusive nga Lindja e Mesme. Besh o droM, me shumë mjeshtëri, i kombinon të gjitha këto në skenë me një shfaqje energjetike e cila e kapë cilëndo publikë.

Me një repertoar të ngjeshur e të përzgjedhur me kujdes, Erdhlezeti shfrytëzon muzikën si mjet të integrimit shoqëror, duke i mbledhur të gjithë Kosovarët që ta festojnë ikjën e dimrit, e ardhjën e verës.

Biletat gjithë-ditore për Erdhlezeti 2018 mund t’i bleni me çmim promocional prej 3€ në Dit’ e Nat’, Soma, Miqt Pub, Taverna Tirona, dhe Bon Vivant, ndërsa në javën e fundit para festivalit biletat do të kushtojnë 5€.

Këtë vit Erdhlezeti Festival mundësohet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, Originals, Birra Peja, Semitronix Hotel, Frutti, Dit’ e Nat’, White Tree, Miqt Music, e Taverna Tirona.