Hana Arapi prezanton ekspozitën personale 'n’4-tën'

Kultura April 20, 2018 - 09:57

Qyteti i Prizrenit këtë fundjavë do të mirëpres një ekspozitë bashkëkohore të një artiste që vjen pikërisht nga ky qytet. Bëhet fjalë për Hana Arapin, dizejnatoren grafike që po finalizon përgatitjet për hapjen e ekspozitës së saj të parë personale, të cilën ka zgjedhur ta titulloj “n’4-tën”. Kjo ekspozitë pritet të hap dyert për publikun e interesuar më 21 prill, me fillim nga ora 19:00, në Hamamin e Prizrenit, shkruan sot gazeta "Zëri".

Për gazetën “Zëri” artistja Hana Arapi tregoi se ekspozita “n’4-tën” përmban njëzet e gjashtë punime dhe disa mediume arti. Kjo ekspozitë fokusohet në fushën e Komunikimit Vizual, i cili përfshin mediat digjitale, ilustrimin, fotografinë dhe tipografinë. E gjitha kjo punë është kurorëzuar me ndihmën e kuratorës së ekspozitës “n’4-tën”, profesoreshës Lyra Zajmi.

“Kjo është ekspozitë e dizajnit grafik, ku vizitorët munden ta shohin  përvojën time në fushën e Komunikimit Vizual, i cili përfshin mediat digjitale, ilustrimin, fotografinë dhe tipografinë. Ekspozita është fresh, ‘cool’ dhe shumëngjyrëshe, e cila vjen me njëzet e gjashtë punime, prej të cilave katër janë video animacione”, tregoi Hana.

Absolventja e Dizajnit Grafik në Universitetin e Prishtinës me këtë ekspozitë po përmbyll një rrugëtim katër vjeçar të shkollimit, për t’i lënë vend shtigjeve të reja.

“Në përgjithësi frymëzimi për punime më vjen duke lexuar, duke hulumtuar dhe duke punuar pa ndërprerë. Me kuratoren time, profesoreshën e nderuar Lyra Zajmi, gjithmonë jam konsultuar mbi punimet e mia, qofshin ato punime të fakultetit, personale apo edhe punime për klientë. Dhe erdhi dita kur ajo më tha qe isha gati për hapjen e ekspozitës sime të parë personale”, tregoi për “Zërin” Arapi.

Image

Përveç kuptimit kohor, autorja e kësaj ekspozite ka edhe një shpjegim tjetër për emrin “n’4tën”, që lidhet edhe me planet për të ardhmen.

“Kjo ekspozitë paraqet rrugëtimin tim katërvjeçar në botën profesionale të dizajnit grafik, ku dhe paraqitem me katër segmentet e tij dhe si marshi i veturave. Për momentin jam në shpejtësinë e 4-të, e shumë shpejt do të vjen edhe ekspozita ‘n’5tën’.

E di që do të mbetet një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë. Jam tepër e emocionuar, mirëpo jam duke e shijuar çdo moment të procesit”, shpjegoj Arapi.

Si të gjithë artistët në Kosovë, e sidomos të rinjtë, që përballen me mungesë të hapësirave ekspozuese, mungesë të përkrahjes në organizim e sfida të tjera, edhe Hana është përballur me një barrë të tillë.

 

“Kam mësuar shumë, sepse përgatitja e një ekspozite në fushën e dizajnit grafik është me të vërtetë një ‘lëndë’ në vete. Sfidat janë të ndryshme, është shtypja e punimeve, kontrollimi i detajeve të cilat mund të duken mirë në ekran, por në shtyp dallojnë shumë. Kërkon detaje të logjistikës si aranzhimi i punimeve, organizimi i ngjarjes, ftesave, mirëpo ndihem shumë me fat për njerëzit që më rrethojnë, profesoreshën Lyra, kolegët Erblini, Leila, Martina, Diellza, Qëndrimi si dhe familja, të cilët më kanë përkrahur dhe më kanë mbështetur pa masë”, shpjegoj Hana.

Këtë të shtunë në Hamamin e Prizrenit "Gazi Mehmet Pasha", i cili paraqet njërën prej ndërtesave publike më karakteristike të periudhës Osmane në Prizren, me rëndësi të jashtëzakonshme historike, arkitektonike, shoqërore dhe mjedisore, Hana pret të marrë përshtypjet e vizitorëve të kësaj ekspozite.

“Hapja ceremoniale e ekspozitës do të mbahet këtë të shtune, me datë 21.04.2018, në ora 19:00, në Hamamin e Prizrenit. Ekspozita është e hapur për të gjithë! Unë e kam shijuar shumë këtë eksperiencë, besoj që edhe publiku do ta shijojë”, përfundon ajo. Zëri