Kultura

TKK sërish pa udhëheqës

TKK sërish pa udhëheqës
19 prill 2018 • 10 : 17
Argjenda Selmani

Këtë të enjte janë bërë katër ditë që kur Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Kjo për shkak se të hënën Kumrije Hoxha, ushtruesja e detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Dorëheqjen e saj, rreth dy javë pasi ka pranuar këtë detyrë, Hoxha e ka arsyetuar me probleme shëndetësore.

Kryetarja e Këshillit Drejtues të TKK-së, Burbuqe Berisha, i ka thënë gazetës “Zëri” se të enjten ky këshill do të mblidhet për të parë se kush mund të vihet së shpejti në krye të kësaj detyre, deri sa të hapet konkursi për drejtor.

“Ende nuk e dimë. Sot do të kemi mbledhjen e Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar dhe do të shohim se kush mund ta marrë këtë detyrë deri në shpalljen e konkursit për drejtor të Teatrit Kombëtar. Siç është thënë, Kumrija ka dhënë dorëheqje për shkaqe shëndetësore. Nuk është e lehtë të përballohet presioni që është kur je në krye të një institucioni siç është teatri”, ka thënë Berisha.

E pyetur se kur pritet që të hapet konkursi për drejtor të këtij institucioni, Berisha nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar, por ka thënë se kjo pritet të ndodhë shumë shpejt.

Rikujtojmë se Teatri Kombëtar i Kosovës ka mbetur pa drejtor, sepse më 17 mars Këshilli Drejtues i TKK-së shkarkoi nga detyra e tij ish-drejtorin Agim Sopi. Shkarkimi i Sopit është bërë me gjashtë vota për dhe një abstenim. Këshilli drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës përbëhet nga Burbuqe Berisha, Shkëlqim Millaku, Fisnik Ademi, Jahja Shehu, Orhan Kërkezi, Ismet Azemi e Valon Kashtanjeva.

Kur u shkarkua Sopi, që sapo kishte nisur vitin e tretë të mandatit të tij që parashihej të ishte 4 vjeçar, tha për gazetën “Zëri” se qeveria e re që ka ardhur muaj më parë, po ndërhyn politikisht në institucionet e kulturës dhe në bordet e tyre.

Kohët e fundit Teatri Kombëtar i Kosovës u ballafaqua me disa probleme të theksuara. Problemet me ujëra të zeza dhe kanalizim që shpërthyen në bodrumin e këtij institucioni shkaktuan probleme për aktorët e TKK-së si dhe balerinët e Trupës Kombëtare të Baletit që mbajnë provat dhe shfaqjet e tyre në këtë institucion. Si rezultat i kësaj më 10 prill në TKK nuk u dha asnjë shfaqje. Zëri

 

© zëri.info