Shënohet Dita e Monumenteve dhe Lokaliteteve Historike

Kultura April 19, 2018 - 10:01

Në bazë të një vendimi që u mor në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s, në vitin 1983, data 18 Prill shënohet si Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Lokaliteteve Historike. Kjo datë e veçantë edhe sivjet u manifestua me disa aktivitete të ndryshme në Kosovë, shkruan zot gazeta "Zëri".

Muzeu i Kosovës organizoi sërish aktivitetin “Lojërat e gjyshërve tanë”, duke mbledhur në Lapidariumin e këtij institucioni plotë nxënës, të cilët erdhën me gjyshërit e tyre dhe mësuan se me cilat lojëra argëtoheshin gjeneratat e më hershme.

Loja me guralec, kulla, cic-mic e symbyllurazi janë emrat e disa nga lojërave që u sollën në kujtesë në Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Lokaliteteve Historike.

Për nder të kësaj dite, në Lapidariumin e Muzeut Kombëtar, u promovuan edhe tri botime të Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Titujt “Harta Arkeologjike e Kosovës”, vëllimi i tretë, “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut” dhe “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt” u prezantuan para publikut dhe për to foli arkeologu Shafi Gashi, i cili u shpreh i lumtur që këto botime po përurohen në vitin kur Kosova ka mbushur dekadën e parë të shtetësisë.

“ ‘Harta Arkeologjike e Kosovës’, vëllimi i tretë, ngërthen në vetë një territor që përfshinë pjesën juglindore dhe jugore të Kosovës, kryesisht komunat si ajo e Ferizajt, Gjilanit, Kamenicës dhe po ashtu komunat kufitare si ajo e Parteshit, Hanit të Elezit, Kaçanikut etj. Në kontekstin gjeografik ky territor shtrihet në pellgun e dy lumenjve, rrjedha e Lepencit dhe ajo e Moravës. Në kontekstin kulturor ka pasur një ndikim të madh dhe në shkëmbimin ekonomik gjithashtu”, tregoi Gashi duke theksuar se që nga viti 2006 është bërë analizë dhe punë e madhe në këtë drejtim. Gashi përmendi se gjatë këtyre hulumtimeve janë identifikuar lokalite të ndryshme arkeologjike.

Ai pati një lutje edhe për Qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës, që gjatë ndërtimit të autostradave të merren në konsideratë mbetjet arkeologjike që paraprakisht ata të kryejnë të gjitha punët arkeologjike.

Drejtori i Institutit Arkeologjikë të Kosovës, Enver Rexha, u shpreh falënderues për punën që arkeologët kanë bërë për botimin e këtyre vëllimeve si dhe për përkrahjen që kanë marrë nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Rexha bëri të ditur se botimet “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Istogut” dhe “Trashëgimia Arkeologjike e Komunës së Skenderajt” do të botohen edhe në gjuhën angleze.

Ai tha se përmes këtyre botimeve kanë ndihmuar në krijimin e një identiteti kulturor arkeologjik.

“Vëllimi i katërt do të përmbyllë territorin e Kosovës. Ne kemi krijuar një identitet kulturor arkeologjik”.Në fund, kreu i MKRS-së ndau mirënjohje për përfaqësuesit e familjeve, të cilat kanë dhuruar gjetje arkeologjike”, theksoi ai.

Gjatë këtij përurimi, Kujtim Gashi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha se botimet  arkeologjike do të ndihmojnë në dokumentimin e të kaluarës së Kosovës.

“Jemi së bashku për të promovuar tri botimet e Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe paraprakisht angazhimin e arkeologëve, profesionistëve, komunave që kanë bashkëpunuar me institucionet tona gjatë procesit të evidentimit të lokaliteteve, ekspeditave të ndryshme me karakter të përnjohjes, por dhe atë shkencor. Puna e Institutit Arkeologjik të Kosovës, në bashkëpunim me arkeologë tjerë të vendit dhe ndërkombëtarë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mundësuar në vazhdimësi dokumentimin e të kaluarës sonë, thesarit të trashëgimisë dhe qytetërimit të hershëm”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se përkushtimi për të mbështetur punën shkencore të Institutit Arkeologjik dhe institucioneve e profesionistëve do të vazhdojë.

“Rëndësi më e madhe do t’i kushtohet angazhimit të kuadrove të reja në fushën e arkeologjisë, kurse fokus të përbashkët do të kemi botimet dhe prezantimet e rezultateve brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh ministri Gashi.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, falënderoi për kontributin e jashtëzakonshëm të gjithë arkeologët, redaksinë e Hartës Arkeologjike , autorët, si dhe autorin e dy botimeve Haxhi Mehmetaj dhe komunat përkatëse.

Në shënim të kësaj dite, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndau tri mirënjohje për përfaqësuesit e familjeve, të cilat kanë dhënë kontribut në fushën e trashëgimisë arkeologjike duke i dhuruar gjetjet arkeologjike.

Mirënjohjet u ndanë për familjen e  Faik Islamit nga fshati Gllamnik, Komuna e Podujevës, familjen e  Hamdi Ibishi nga fshati Orllan, Komuna e Podujevës dhe për familjen e Prend Nikolla e Pjeter Heqimi nga fshati Zllakuqan, Komuna e Klinës. Zëri