Kultura

Gjashtë shkrimtarë garojnë për 'Man Booker 2018'

Gjashtë shkrimtarë garojnë për 'Man Booker 2018'
18 prill 2018 • 10 : 05

Gjashtë shkrimtarë nga gjashtë vende të ndryshme të botës tashmë kanë hyrë në garën e ngushtë për të fituar çmimin prestigjioz të letërsisë “Man Booker 2018”, shkruan sot gazeta "Zëri".

Juria e këtij çmimi ka bërë të ditur titujt e librave si dhe emrat e të nominuarve e që janë: “Vernon Subutex” i Virginie Despentes (Francë), “The White Book” i Han Kang (Korea e Jugut),  “World Goes On” i László Krasznahorkai (Hungari), “Like a Fading Shadow” i Antonio Muñoz Molina (Spanjë), “Frankenstein in Baghdad” i Ahmed Saadawi (Irak) dhe “Flights” i Olga Tokarczuk (Poloni).

Përmes këtij çmimi, që jep një fitues të vetëm çdo edicion, puna e përkthyesve shpërblehet në mënyrë të barabartë, me vlerë monetare prej 50,000 funtesh, që ndahen midis autorit dhe përkthyesit. Përveç kësaj, çdo autor dhe përkthyes që është nominuar do të marrin 1,000 euro secili. Për këto nominime që juria ka zgjedhur sivjet janë shqyrtuar 108 libra.

Javë më parë, kur u bë publikua lista e parë me 13 shkrimtarët potencial për të fituar këtë çmim, Lisa Appignanesi, kryetare e panelit gjykues të çmimit ndërkombëtar të “Man Booker 2018” është shprehur e kënaqur që lista finale e të nominuarve ka sjellë një diversitet autorësh.

"Analizimi i propozimeve për çmimin ndërkombëtar të ‘Man Booker’ ka qenë një aventurë joshëse. Ne kemi udhëtuar nëpër vende, kultura e imagjinata deri sa kemi arritur në këtë listë, që mund të ishte një listë edhe më e gjatë. Kjo listë prezanton një pasuri talentesh e formash të ndryshme dhe disa shkrimtarë pak të njohur në gjuhën angleze më parë. Ka shkrimtarë të mëdhenj dhe ne shpresojmë që lexuesit të marrin sa më shumë kënaqësi në zbulimin e punës së tyre, ashtu siç bëmë edhe ne”, ka thënë Appignanesi. Çmimi “Man Booker” bashkë me çmimin “Man Booker për Fiksion” shpërblejnë më të mirët e globit që botohen në Mbretërinë e Bashkuar.

Ky çmimi sponsorizohet nga Man Group, një firmë aktive për menaxhimin e investimeve, e cila gjithashtu sponsorizon çmimin “Man Booker për Fiksion”. Fituesi i çmimit “Man Booker Prize” do të shpallet më 22 maj, në një darkë në Muzeun Victoria & Albert në Londër.

 Më parë me këtë çmim të rëndësishëm të letërsisë është vlerësuar dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare, ndërsa dy vjet më parë libri i tij “Kamarja e turpit” ishte sërish kandidat për këtë çmim nën përkthimin e John Hodgson. A.S Zëri

© zëri.info